E Diel, 1 Nëntor 2026

Sugjerimi i FMN-së: “Qeveria shqiptare të kërkojë marrëveshje tjetër me ne”



Ervin Koçi

FMN-ja ka reaguar dje pas debatit të hapur dy ditë më parë midis opozitës dhe qeverisë lidhur me largimin e këtij institucioni financiar nga vendi ynë. Ka qenë përfaqësuesja e përhershme e FMN-së në vendin tonë, Ann Margaret Westin, e cila ka sqaruar se i takon qeverisë shqiptare të bëjë një kërkesë pranë Fondit për një marrëveshje tjetër për sa i përket monitorimit dhe kontrollit të buxhetit dhe financave publike. Ajo ka sqaruar se është një procedurë e cila ndiqet me të gjitha vendet anëtare të Fondit Monetarë Ndërkombëtarë. “Qeveria shqiptare duhet të bëjë kërkesë nëse dëshiron të lidhë një tjetër marrëveshje tjetër me FMN-në,” - ka deklaruar Ann Margaret Westin, përfaqësuese e përhershme e FMN-së në Shqipëri. Në funksion të këtij qëllimi FMN-ja ka lënë të hapura dy hapësira për qeverinë shqiptare, një marrëveshje tjetër bashkëpunimi mund të diskutohet ose gjatë mbledhjeve të ardhshme në Uashington, ose gjatë vizitës së fundit të FMN-së në vendin tonë që pritet në muajin nëntor.

Vijimi i bashkëpunimit

Përfaqësuesja e Fondit në vendin tonë, Ann Margaret Westin, ka deklaruar gjithashtu se në përfundim të marrëveshjes aktuale, afati i të cilës është në muajin janar të vitit 2009, FMN-ja do të afrojë asistencë teknike për Shqipërinë ashtu siç bën për çdo vend tjetër anëtarë. Marrëveshja që qeveria shqiptare kishte me FMN-në dhe që skadon në janar të vitit 2009, është e gjashta e këtij lloji dhe e katërta për sa i përket periudhës më të gjatë. Pak ditë më parë, misioni i FMN-së dhe shefi i këtij misioni Gervin Bell deklaroi se do të largoheshin nga Shqipëria dhe nuk do të kishin më rolin mbikëqyrës për menaxhimin e buxhetit dhe financave publike. Lidhur me skadencën e mandatit të FMN-së, ka reaguar edhe opozita dhe ekspertët e ekonomisë të cilët kanë kërkuar qëndrimin në Shqipëri deri në përfundim të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009.

Pse po largohet FMN-ja

Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili është i pranishëm në Shqipëri që në fillim të viteve ‘90, ka parashtruar se largimi nga vendi duhet të ndodhë në vitin 2009. Gjatë vizitës në Shqipëri dy vite më parë, nëndrejtori i FMN-së, Murilo Portugal, u shpreh për mediat se largimi nga Shqipëria i misionit të FMN-është i pashmangshëm, dhe kjo për shkak se Shqipëria kishte bërë përparime. Ai shtoi, në takimet me personalitetet shqiptare, se FMN-ja do të asistojë Shqipërinë si këshilluese. Gjithsesi, vendimin përfundimtar për t’u larguar nga Shqipëria si politikëbërës, bordi i FMN-së e mori më 28 mars të këtij viti. Në këtë mbledhje bordi, FMN-ja miratoi raportin e fundit për Shqipërinë, i cili dha vlerësime pozitive për të gjitha zhvillimet dhe reformat ekonomike të ndërmarra nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë. E vetmja kërkesë e bordit ngelet energjia, e cila sipas FMN-së, vazhdon të mbajë peng deri diku edhe të ardhurat fiskale. Deklarata u bë nga zv.drejtori i FMN-së, Murilo Portugal, gjatë mbledhjes ku Bordi Ekzekutiv i FMN-së miratoi rishikimin e katërt në kuadrin e marrëveshjeve PRGF dhe EFF, të fundit me Shqipërinë, dhe miratoi lëvrimin e 4 milionë dollarëve. Ky ishte rishikimi i katërt i performancës ekonomike dhe garancive financiare të Shqipërisë në kuadrin e marrëveshjes trevjeçare, Fondi i Reduktimit të Varfërisë dhe Rritjes Ekonomike (PRGF) dhe marrëveshjes së Fondit të Përgjithshëm (EFF). Bashkë me ndihmën prej 4 milionë dollarësh, ndihma trevjeçare e FMN-së arrin në afërsisht 19.9 milionë dollarë. Konkluzionet e bordit të FMN-së i bëri publike vetë Portugal.

Roli i FMN-së pas janarit 2009

Duke filluar nga viti i ardhshëm, FMN-ja do të funksionojë sipas artikullit 4, me një tjetër lloj standardi. FMN-ja do të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri, politikat monetare, politikat buxhetore, hartimin e buxhetit, por nuk do të mundë të japë “urdhra”. Kështu, në rast se qeveria e sheh të domosdoshme të ulë TVSH-në për shembull, mund ta bëjë atë, duke besuar në politikën e saj qeverisëse. Në rast se qeveria do të dëshironte të bënte të njëjtën gjë gjatë këtyre viteve, nuk do të mund ta bënte, pasi FMN-ja nuk do ta lejonte. Largimi i FMN-së nga ky stad monitorimi në stadin tjetër të këshilluesit, do të thotë që Shqipëria ka të njëjtin nivel besueshmërie në hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike me vendet më të zhvilluara.

Kush është FMN-ja dhe roli i saj në Shqipëri

“Të promovojnë zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin botëror”. Kështu e përkufizon ekzistencën e tij Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili është një sistem botëror monitorimi mbi politikat ekonomike dhe politikat monetare, e pranishme në 185 vende. Ky aktivitet njihet ndryshe si mbikëqyrje. FMN-ja, nëpërmjet mbikëqyrjes siguron ekspertë ekonomikë dhe financiarë për të gjitha vendet, por edhe në mënyrë individuale për vendet me probleme më të shumta ekonomike. Por roli i FMN-së ndryshon për çdo shtet, pavarësisht se është e pranishme në çdo vend të botës. Kështu, në vendet perëndimore, roli i saj është thjesht monitorues dhe këshillues, ndërsa në vendet e varfra, roli i saj është vendimmarrës. Që nga viti 1991 FMN-ja në Shqipëri ka kushtëzuar politikën ekonomike dhe atë monetare. FMN-ja ka këshilluar se sa duhej të rriteshin taksat, sa buhej buxheti, sa duheshin rritur pagat. Kjo politikëbërje bënte të mundur që vendi ynë të përfitojë edhe kredi nga FMN-në por kryesisht nga institucionet e tjera ndërkombëtare. Para tri vitesh, FMN-ja nënshkroi marrëveshjen e fundit me Shqipërinë, e cila në fakt ishte edhe prova e fundit. Në këto tri vite, Shqipëria duhet të tregonte se mund të zhvillonte një politikë monetare dhe ekonomike sipas standardeve më të mira. Gjatë këtyre tri viteve, Shqipëria kaloi “klasën”, pasi tregoi se ka një politikë monetare efikase dhe të pavarur, politika buxhetore efikase etj.

27 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›