Çmimi i energjisë, rritja do të vijojë pas privatizimit të OSSH-së
Ervin Koçi
Të hënën do të hapet tenderi për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, bëri të ditur dje detajet e fundit rreth privatizimit të 76 për qind të aksioneve të OSSH-së. Ky privatizim është quajtur si një ndër më të vështirët në sektorin e privatizimeve që ka realizuar qeveria shqiptare. Sipas ministrit Ruli, do të jenë 4 kompani që kanë kaluar fazën parakualifikuese dhe që do të marrin pjesë në tenderin e ditës së hënë më 29 shtator 2008. Ai garantoi se, “procesi do të jetë transparent”, duke shpjeguar për mediat se, për kompanitë janë parë disa kritere për të cilat nuk ka qenë parësore oferta financiare sa ajo teknike. “Qeveria kërkon më shumë një investitor të përgatitur teknikisht për të privatizuar OSSH-në sesa një ofertë të majme financiare”, - tha ministri Ruli. Ai ka shpjeguar këtë fakt me vetë specifikën që karakterizon sistemin e shpërndarjes së energjisë. Në këtë pikë, Ruli renditi humbjet e mëdha gjatë shpërndarjes së energjisë dhe mosmbledhjen e parave të energjisë që shpërndahet në rrjet. Pjesa më delikate e tenderit mbetet rruga se si do të bëhet vlerësimi i ofertave mes treguesve teknik dhe çmimit të ofruar, pasi kjo është hera e parë ku në një tender publik qeveria u jep të drejtën investitorëve të vendosin kushte.
Kushtet e privatizimit
Kompanitë që do të paraqesin ofertat e tyre, të hënën nuk do të përjashtohen nga disa objektiva të vendosura nga qeveria shqiptare. Nga Qeveria është kërkuar ulja e humbjeve të energjisë përgjatë rrjetit shpërndarës. “Kemi vënë kufij deri kur mund të pranohen lëvizjet në kushtet teknike. Vlerësimi mbetet një proces kompleks”, - sqaroi Ruli. Pavarësisht se si do të variojnë ofertat dhe sa e kënaqur do të jetë me rezultatin, qeveria ka vendosur t’i shkojë procesit deri në fund. “Ligji na lejon që edhe një ofertë e vetme sikur të jetë, boll që të jetë e vlefshme”,- sqaroi Ruli. Qeveria ka vendosur që përgjegjësinë kryesore për furnizimin me energji t'ia lërë KESH-it, ndërsa investitori privat do ketë për detyrë të siguroje energji vetëm sa të mbulojë humbjet që shkaktohen nga mosarkëtimet apo humbjet e tjera teknike. "Transaksioni është strukturuar në bashkëpunim me IFC-në dhe me kontributin e një numri të gjerë aktoresh të tjerë si ERE dhe KESH",- tha ministri Ruli, duke shtuar se një kontribut të veçantë kanë dhënë dhe partnere të tillë si Banka Botërore dhe USAID. Në garë për privatizimin e OSSH, janë 4 kompani që janë “EVN”, “CEZ”, “ENEL” dhe "Stetmarker Energy", të cilat më 29 shtator do të paraqesin në ministrinë e Ekonomisë ofertat e tyre.
Rritja e çmimit
Çmimi i energjisë elektrike pritet të rritet, por kjo do të jetë një rritje graduale brenda 5 vjetësh. Ministri Ruli shpjegoi se “për vitin e ardhshëm nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, por kjo periudhë do të quhet transitore”. Ai shtoi se, rritja e çmimit të energjisë për 5 vitet e tjera do të mbulojë kostot që do të dalin nga periudha tranzitore. “Çmimi do të rritet në mënyrë graduale nga viti 2010 deri në vitin 2015”,- konfirmoi ministri i Ekonomisë, Genc Ruli. Nuk përjashtohet risku që kompanitë të mos i plotësojnë objektivat e vëna nga shteti shqiptar, por edhe në kësi rastesh Qeveria lajmëron se i ka marrë masat. “E kemi paralajmëruar investitorin privat se nëse nuk përballon dot humbjet në rrjet dhe sigurimin pa kufizime të energjisë elektrike, atëherë ai do ta blejë vetë energjinë që mungon”,- nënvizoi Ministri Ruli. Duke pasur përpara një vit elektoral, qeveria premton se do të vijojë me mbrojtjen e shtresave në nevojë, nga rritja e çmimit. Ministri Genc Ruli ka shpjeguar se në rast të një viti të vështirë me çmime të larta importi të energjisë, “nuk përjashtohet mundësia e subvencionimit të kompanisë që do të garantojë importin”.
Vjedhja e energjisë, kundërvajtësit do të dënohet me burg
Problemi kyç dhe më i debatueshëm i privatizimit të OSSH-së është ulja e nivelit të humbjeve dhe vjedhjeve në rrjet, si dhe rritja e arkëtimeve. Të dyja këto probleme do të kryhen vit pas viti nga kompania private, e cila do të kryejë investimet që do të ndikojnë në përmirësimin e situatës. Çdo ndërhyrje në sistemin elektrik shqiptar, pritet të konsiderohet “vepër penale” në Kodin Penal, jo si deri tani që ka qenë thjesht një kundërvajtje. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, tha se, "ne do të fuqizojmë ligjin, i cili dënon si vepër penale ndërhyrjen në sistemin energjetik dhe do të ketë dënim maksimal me burg për të gjithë ata që prekin rrjetin". Ai shtoi se në Kodin Penal është një nen që parasheh si kundërvajtje penale prekjen e rrjetit, qoftë atij të energjisë apo atij të ujit.
27 Shtator 2008