Fituesit "morale" me Luksemburgun

Përballja e Shqipërisë me Luksemburgun, ka dhe disa fitues e në listën e shpallur nga Oto Baric.
Kristi Vangjeli (Aris, Greqi)
Në fakt janë disa të tillë, por më i madhi prej tyre është mbrojtësi i Arisit të Selanikut,21-vjecari Kristi Vangjeli (më 5 shtator mbush 22 vjec), që ia arriti të impresionojë kroatin me përvojë 40-vjecarë si trajner qysh në takimin e parë të tij me Kombëtaren. Performanca e tij në ndeshjen me Anglinë ishte befasuese dhe konfirmoi korcarin si pasuesin më të mirë të Altin Haxhit, kur veterani gjirokastrit do të largohet nga Kombëtarja. Fotoja agjensisë Reuters, ku Majkëll Ouen është nën mbrojtjen e rreptë të Kristi Vangjelit bëri xhiron e botës. Ngulmimi i Baric dhe ndërgjegjësimi i lojtarit se Kombëtarja e tij është Shqipëria dhe jo Greqia (Vangjeli ka dhe pasaportë greke), është dhe fitorja më e madhe për të dyja palët.
Blerim Rrustemaj (Borusia Mënshengladbah II, Gjermani)
Shansi është për mbrojtësin e Borusia Mënshengladbah II. Paraqitja e tij me Anglinë, sidmos markimi i rreptë i Majkëll Ouen e shndruan në një figurë tjetër të rëndësishme për të ardhmen e Kombëtares A. Rrustemaj u thirr me urgjencë për ndeshjet zyrtare me Slloveninë dhe Bullgarinë, ku nuk mundi të luante asnjë minutë. Luksemburgu mund t'i japë atij minutat e para zyrtare, për më tepër që mungon për shkak të dëmtimit një mbrojtës me eksperiencë si Elvin Beqiri.
Besart Berisha (Hamburg, Gjermani)
Rikonformoi veten në një nga momentet më të vështira të tij, në prag të largimit nga Hamburgu. Goli, goditja e shtyllës dhe driblimet e tij magjepsën menaxherët në "Turf Moor" duke nisur edhe tratativat për sigurimin e shërbimit të tij. Baric e vlerësoi si të jashtëzakonshëm, por më shumë se i tillë, duhet vlerësuar vetë Baric, i cili e vendosi kosovarin si mesfushor të avancuar dhe jo si sulmues të mirëfilltë. Berisha ka luajtur pesë ndeshje me përfaqësuesen shqiptare, por ajo kundër Anglisë do t'i shërbejë shumë dhe për një kohë të gjatë. Gjithsesi prishtinasit i duhet një gol zyrtar.
Endri Vrapi (Teuta, Shqipëri)
I thirrur për herë të parë nga gjermani Hans Peter Brigel, për ndeshjen e fundit (miqësore) nën drejtimin e tij kundër Gjeorgjisë së Topmellë, mbrojtësi i Teutës u la në haresë për një kohë të gjatë. Paraqitja e tij e mirë me klubin durrsak, zbori në Antalia të Turqisë dhe miqësorja pa titullarë me Anglinë i dhanë një vend në Kombëtare, që Vrapi nuk u shpërdoroi kurrsesi. Edhe sulmuesi Daniel Xhafaj, po i Teutës, mund të quhet një fitues. Edhe pse nuk luajti në Angli ai u rithirr në Kombëtaren me Luksemburgun.
Julian Ahmataj (Dinamo, Shqipëri)
Mesfushori i majtë i Dinamos fitoi një vend në listën e madhe për dy ndeshjet kundër Luskesmburgut. Ato pak minuta kundër Anglisë e kanë bindur trajnerin Baric për ta thirrur sërish lojtarin që shquhet për dinakërinë e tij në organizimin e lojës nga krahu i tij.
Humbësi
Vioresin Sinani (Tirana, Shqiperi)
Sulmuesi Vioresin Sinani, golashënuesi më i mirë i Shqipërisë për edicionin 2006-2007 dhe sulmuesi kryesor i Tiranës, kampiones së Shqipërisë nuk u thirr për ndeshjen me Luksemburgun edhe pse ishte në miqësoren me Anglinë.