E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala dhe motivacion

...ato që njohim përgjysmë (!)

Nëse burimi kryesor i FJALëS janë mendimet, në tërësi procesi i të menduarit, ajo që e bën të shpërthejë është motivimi, shkruajnë social-psikologët Robert Liebert dhe Robert Baron (2002). Sigurisht këtu ndërthuren vetitë e personalitetit, ndjenjat dhe emocionet, nevoja sociale e madje biologjike për të arritur atë që do.

Pse një fjalë të bind e një tjetër “ta bën kokën dhallë”? Pse një folës është i dashur dhe tejet i pëlqyeshëm dhe tjetri është acarues dhe i padurueshëm? Pse njërit i ngjit fjala si “me zamkë” dhe tjetrit i fluturon kot në erë? Mos vallë e ka fajin vetëm fjala si fjalë, apo edhe konteksti i të menduarit dhe sidomos shtysa e brendshme e njeriut, motivacioni? Të gjitha këto dukuri bashkëjetojnë, por të ushtruarit e njeriut është dukuria bazë, për të fituar elementët e domosdoshëm në “organizimin motivacional të fjalës”.

Fjala dhe raporti i saj me motivacionin duket sidomos në fjalimet publike, tek oratorët, tek folësit televizivë, tek pedagogët dhe ligjëratat e tyre, tek analistët dhe opinionistët, tek gjithkush që mendon se i drejtohet publikut nëpërmjet fjalës së folur. Fjala e shkruar është një stil dhe mendësi tjetër. Fjala e shkruar nuk ka të bëjë vetëm me të menduarit, pasionin, motivimin, stilin, aftësitë etj., por edhe me mjaft dukuri që fjala e folur i superon. Kategoria e të folurit lidhet direkt me motivacionin.
Le të shohim ballafaqimin e politikanëve dhe artin e tyre të të folurit, duke përfshirë brenda pasionet, energjitë, melodinë zanore, burrërinë, strategjinë kulturore, aftësinë e rrjedhshmërisë, elegancën dhe stilin e përkryer ose jo, tiket e vogla, fjalët pasive, mungesën e rrjedhshmërisë, ushtrimet e herëpashershme, ngadalësinë, “ë”-të e zgjatura dhe reflektive, mospërputhjet aktive e pasive e... shumë dukuri të tjera. Ju të gjithë mund të çoni në mendje folës televizivë dhe kujtoni Kulen, po ashtu të njëjtën gjë mund të bëni edhe me Radin, nuk mund të harroni përrallat e Kallamatës ose të Manushit, mund të ndiqni reklamat e çaushit a të ndonjë tjetri. Gjithashtu mund të shihni organizimin e të folurit jo të njëtrajtshëm dhe me ngjyresa aktive të Fevziut e të Ballës, mund t’i bindeni logjikës së ftohtë e plot kulturë të Krastës, pavarësisht se nganjëherë ka një “tik” interaktiv. Ju mund të ndiqni elokuencën e padisiplinuar të Stefanit dhe logjikën krahasuese edhe në të folur të Lubonjës. Shembujt sigurisht janë gati të pafund, sidomos me përvojën e tanishme të shumë televizioneve. Sepse do të tërhiqte vëmendjen se s’bën Gjebreja me Meçon (nëse kjo do të hiqte aktivin “xha” italisht). Pa brutalitet, me një lloj kantalence të lehtë, me ritëm, elegancë, rrjedhshmëri, me siguri të mjaftueshme kulturore.

Por midis dy “titanëve” është edhe një i tretë, Nano. Le të kujtojmë prej tij vetëm deklaratën e dorëheqjes së Nanos më 1998, në një të folur anglisht para opinionit publik shqiptar dhe pse jo ndërkombëtar. Një e folur e saktë, e rrjedhshme, e figurshme, me diksion të kontrolluar, analitik, i shkurtër, solid, përkëdhelës, motivacional dhe i thellë. Por edhe i saktë gjuhësisht, pa tepërime e zgjatje në fonema – siç ka qenë gjithnjë në stilin e të folurit të Nanos. Ky ka qenë kulmi dhe i papërsëritur prej të tjerëve. Tek Nano mbizotëron BATUTA si një element i shkathtësisë së të menduarit. Por gjithashtu edhe mjaft zgjatje fundore abuzive që e mërzitin dëgjuesin e shikuesin.
Tani mund të kthehemi te “titanët” aktualë të politikës shqiptare. Rama mbizotëron dukshëm në mënyrën e të folurit skenik dhe në organizimin e mendimeve, rrjedhshmëria, figurativizmi, spontaniteti, eleganca, pa tepërime dhe nuk ka fjalë pasive. Rama dëgjohet me dëshirë edhe kur nuk e sheh, nganjëherë më mirë që nuk e sheh, sepse lëvizjet e tij (pantomimika), pjesëmarrja emocionale në fjalë, urrejtja që përcjell etj., është më mirë të mos e shohësh. Motivacioni tek Rama është i gënjeshtërt, është i shtirur, ndonëse shpesh përcjell emocione të forta, është kurdoherë më pranë mashtrimit dhe kjo për fat të keq i lexohet menjëherë në tradhtimin që i bën mimika. Rama është brutal, dërrmues, i ka të tejdukshme emocionet negative dhe i përcjell ato menjëherë. Ai është narcistik i plotë dhe eleganca në të folur, ritmi, kadenca, melodiciteti dhe figurshmëria e ndihmojnë së tepërmi në këtë drejtim.

Ndërsa Berisha brenda pasionit të madh në të folur, narracionit, kulturës zotëruese, shkathtësisë për ta ngjyrosur të folurin me batutën e gjetur, kthimin shpesh prapa, ritmit, ndryshimit të tonacionit, përdorimit të figurës së shkathët, etj., ka një tik, një pengesë emocionuese, madje mashtruese, që e pengon, që i jep karakteristikat e një të foluri me elementë të theksuar pasivë, sidomos në përsëritjet e panevojshme (nganjëherë edhe i fjalive të tëra). Ulje-ngritjet, kadenca, emocionaliteti dhe sidomos shtysa e qartë e të folurit produktiv, “njomështia” dhe jo thatësia e të folurit, jo zëri metalik e i egër por shtruarja, besimi në atë që thotë kanë një prapavijë motivacionale të qartë. Berisha është i bindur në ato që thotë. E gënjeshtërta tek ai nuk duket, është e fshehur, kështu edhe mashtrimi. Tek Berisha bien në sy, ashtu si edhe te Rama klithmat, britmat, shfrimet emocionale, kërcënimet me fjalë intonative dhe të shoqëruara me gjestikulacione të përshtatshme e të papërshtatshme. Sidoqoftë të dy janë të motivuar fort, të dy janë të së njëjtës natyrë, veçse (për shkak të moshës) energjia e njërit është në nivel më të lartë se tek tjetri. Por fjalët energjike kanë të bëjnë më tepër me pjesëmarrjen emocionale, se sa me motivacionin dhe shkallën e ndikimit të tij tek fjala. “Fjala është vepër e fuqishme - thotë Hajnrih Hajne - dhe kështu që fjalët mbartin një peshë të rëndë”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›