Kryeministri Berisha merr pjesë në përurimin e Qendrës së Mirëqenies NOBIS, në Tiranë

- - Le të urojmë ne që qendra të tilla të shohim sa më shumë në kryeqytetin tonë, në lagjet e tij, në periferitë e tij dhe në qytetet e tjera të vendit.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite, në përurimin e Qendrës së Mirëqenies NOBIS, pranë Liqenit Artificial, në Tiranë.
Qendra NOBIS është një investim shqiptar, e menaxhuar nga kompania Italiane HIDRON, një prej kompanive më të suksesshme në Itali, për konceptimin dhe menaxhimin e qendrave të mirëqenies. Kjo qendër, një investim prej 6 milion eurosh i kompanive TID dhe AGNA, e shtrirë në një sipërfaqe prej 4200 m2 ofron për qytetarët e çdo moshe një gamë të gjerë shërbimesh relaksuese. Shumëllojshmëria e këtyre shërbimeve, standardet e larta që ofron, si dhe lokalizimi i Qendrës brenda qytetit, e klasifikojnë atë Qendrën më të madhe të Mirëqenies në Ballkan.
Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha përgëzoi investitorët, që me idetë dhe iniciativën e tyre i dhuruan Tiranës, një nga qendrat më të mëdha në rajon, e cila i jep kryeqytetit një dimension të ri, shumë të rëndësishëm.
Kryeministri theksoi se është e domosdoshme që të bëhet gjithçka, në mënyrë që qytetarët e Tiranës ti duan dhe ti frekuentojnë këto qendra, në interesin më të mirë të tyre dhe të familjeve të tyre. “Duhet të bëjmë çdo gjë që ky pasion, jo dhe kaq i zhvilluar për kushte dhe rrethana të njohura, të zhvillohet me shpejtësi në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë. Le të urojmë ne, që qendra të tilla të shohim sa më shumë në kryeqytetin tonë, në lagjet e tij, në periferitë e tij dhe në qytetet e tjera të vendit.” u shpreh kryeministri.
Pjesëmarrës në këtë inaugurim ishin edhe Kryetari i Bashkisë, zoti Lulzim Basha, ministra të kabinetit, ambasadori italian në Tiranë, zoti Massimo Gaiani, drejtues të firmave investuese shqiptare dhe italiane, përfaqësues të biznesit, etj.
Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari dëshiroj të përshëndes përzemërsisht të gjithë ata, të cilët me investimin e tyre, me mendjen e tyre i dhuruan Tiranës, kryeqytetit te vendit, këtë qendër, ndër më të bukurat, më të mëdhatë në rajon, qendër stërvitje, shplodhje, kreacioni, qendër në të cilën qytetarë të të gjitha moshave, familje të tëra, kanë mundësi të vijnë këtu për zhvillimin, për përsosjen e aftësive të tyre fizike, psikologjike, tipareve të tyre më të arrira. Qendër, e cila në thelb ka vërtet fuqi kurative, shplodhëse, qendër që i jep kryeqytetit një dimension të ri, shumë të rëndësishëm. Ky është një investim prej më se 6 milion eurosh, bashkëpunim i grupeve shqiptare dhe italiane, ndër më seriozet në fushat e tyre. Në këtë qendër punësohen 60 punonjës të kualifikuar në Shqipëri dhe në Itali, të cilët do të jenë gjithashtu një ekip i fuqishëm i trajnimit, i përgatitjes, i kualifikimit të stafeve të qendrave të tjera.
Zoti Kryetar i Bashkisë,
Tek po vizitoja këtë qendër, në fund të vizitës sime mendova se me çfarë ndjenje kënaqësie, shplodhje, largohen pas seancave që bëjnë këtu, ata qytetarë që vijnë të frekuentojnë këtë qendër dhe me çfarë ndjenjash largohen pas seancave, ata qytetarë që frekuentojnë industrinë e mëkatit, lojërat e vesit.
Ndaj dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë që qytetarët e Tiranës të dashurojnë këto qendra, në interesin e tyre më të mirë, në interesin e familjeve të tyre, duhet të bëjmë gjithçka që ky pasion jo dhe kaq i zhvilluar për kushte dhe rrethana të njohura, të zhvillohet me shpejtësi në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë. Këtu është shkolla e notit, shkolla e baletit dhe një seri shkollash të tjera kursesh të tjera, të cilat do të bëjnë të mundur që kryeqytetit të ketë sportistët më të mirë në të ardhmen, balerinët më të shkëlqyer, por mbi të gjitha secili qytetar që vjen këtu del nga kjo qendër me një optimizëm, del nga kjo qendër me një mirendjenjë të brendshme fizike dhe psikike të merituar.
Ndaj dhe duke shprehur edhe njëherë vlerësimin tim, falënderimin tim, për investitorët, për këta, për këtë Qendër të krijuar mes grupit NOBIS dhe Grupit Hidron që e menaxhon këtë, një menaxhim i përkryer italian, le ti urojmë ne suksese këtij grupi dhe këtij investimi, le të urojmë ne që qendra të tilla të shohim sa më shumë në kryeqytetin tonë, në lagjet e tij, në periferitë e tij dhe në qytetet e tjera të vendit.
Edhe njëherë Gëzuar dhe ju faleminderit.
22/02/2012