E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në Konventën e Partisë Demokratike, ku u prezantua programi për punësimin

“Në katër vitet që vijnë do të hapim 250 mijë vende të reja pune.”

“Zotimi ynë solemn është se në katër vitet që vijnë do të kemi 16 miliardë dollarë investime.”

“Zotohemi të trefishojmë grandet për bujqësinë, për peshkimin, blegtorinë, agrobiznesin.”

“Zotohemi se në krye të katër viteve, Shqipëria, 7 milionë turistë dhe vizitorë, 30 përqind më shumë punësim në turizëm; 7 vite pa taksa për çdo investim në zonat  malore të Shqipërisë.”

“Sot më mirë se kurrë, më të qartë se kurrë e dimë se ku janë potencialet tona.”

Të dashur delegate e delegatë të Konventës së Partisë Demokratike, për më shumë punë, për paga më të larta,

demokrate e demokratë shqiptarë, qytetare e qytetarë të Shqipërisë, përshëndetjet më të përzemërta,

zonja kryetare e parlamentit,

zoti Bode, zoti Patozi,

zoti kryetar i bashkisë,

zotërinj ministra,

drejtues qendrorë e vendorë të Partisë Demokratike,

vëllezër e motra, zonja e zotërinj,

Sot, nga kjo Konventë dëshiroj me përulje të përshëndes në radhë të parë, çdo grua, çdo burrë, çdo vajzë, çdo djalë që erret këtë natë i papunë dhe që ndjek këtë Konventë, me shpresën e besimin se do t’i japim përgjigjen më të mirë problemit të tij madhor.

Në emrin tuaj, unë dua të garantoj sot gratë e burrat, të rejat e të rinjtë e Shqipërisë që presin me padurim për të pasur vendin e punës, se Partia Demokratike, qeveria dhe kryeministri i vendit do të bëjnë çdo përpjekje për punësimin e tyre, për krijimin e vendeve të reja të punës.

Punësimi, krijimi i vendeve të reja të punës, pagat më të mira janë qëllimi më madhor i çdo reforme, i çdo vendimi, i çdo përpjekjeje në programin e Partisë Demokratike. Angazhimi ynë para jush është solemn, është total dhe ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që këtë të drejtë themelore të njeriut ta gëzoni si shumica e shqiptarëve. Ju garantoj sot nga kjo tribunë se katër vitet që vijnë do të jetë vitet e punësimit e pagave më të larta për ju e mbarë shqiptarët.

Të dashur qytetare e qytetarë, gra e burra, vajza e djem në pritje të vendit të punës, ju dëgjuat këtu bashkëpunëtorët e mi të flasin për autostrada moderne, porte e aeroporte, shkolla moderne, ferma moderne, fabrika e uzina, për teknologjinë të lartë të informacionit. Të gjitha këto që janë ndërtuar janë fryt i suksesit të shqiptarëve, të grave dhe burrave, të reja dhe të rinjve që me talentin, energjinë, gjeninë e tyre krijuese po ndryshojnë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj e çdo vit, Shqipërinë. Por unë jam i bindur se aty mungon suksesi juaj dhe ju mezi prisni ta ndërtoni atë, të ndërtoni Shqipërinë.

Të dashur qytetare e qytetarë shqiptarë, gra e burra, vajza e djem që prisni me të drejtë vendin e punës, ju drejtohem tani si familjar, si prind, si gjysh. E di më mirë se kushdo çdo të thotë të mos jesh në gjendje t’i bësh dhuratë fëmijës, të mos jesh në gjendje ta kënaqësh atë. Ndaj edhe zotimi ynë është: do të bëjmë gjithçka për vendet tuaj të punës, do të bëjmë çdo gjë të punësoheni sa më shumë.

Sot paradite desha të shkruaja dy fjalë për konventën tonë në Facebook. Ajo që më erdhi ndërmend vetiu ishte se njeriu ka nga Zoti tre bekime kryesore: bekimi i parë është shëndeti; bekimi i dytë është puna që ju meritoni, bekimi i tretë është familja. Ndaj edhe ju këtë bekim nga Zoti do ta keni edhe nga shoqëria, do të bëjmë gjithçka për punësimin tuaj.

Ju, që na ndiqni sot para ekraneve të televizioneve apo në valët e radios, me të drejtë, në mënyrën më të ligjshme shtroni pyetjen pse ne të papunët duhet t’ju besojmë juve, pse ne të papunët duhet të të besojmë ty Sali Berisha, pse në të papunët duhet t’i besojmë Partisë Demokratike.

Pyetja juaj është më e ndershmja e më e drejta dhe unë ju përgjigjem: duhet të na besoni, sepse këto tetë vite, por edhe gjatë gjithë ekzistencës sonë në politikë, ne i kemi faktuar shqiptarëve vendosmërinë tonë për çdo sakrificë, për të mbajtur premtimet. Duhet të na besoni se katër vjet më parë, në këtë sallë Sali Berisha premtoi 160 mijë vende pune, por u krijuan 200 mijë vende pune. Duhet të na besoni se në të gjithë jetën time politike, kurrë ndonjëherë nuk jam përpjekur të mësoj më shumë se në këtë kohë.

I kam rënë qark Shqipërisë, kam takuar punëtorë, kam takuar menaxherë, kam takuar investitorë, kam takuar blegtorë, fermerë, kam takuar mësues, të rinj e të reja, akademikë, pedagogë, specialistë të mëdhenj vendas e të huaj, me qëllimin e  vetëm për të marrë mendimet e tyre sesi ne në katër vitet që vijnë të krijojmë më shumë vende pune e rroga më të mira për ju. 

Duhet të na besoni se ne krijuam 200 mijë vende pune, sepse ne i besojmë lirisë, sepse ne konsiderojmë lirinë ekonomike, iniciativën e lirë të qytetarit, pasurinë më të çmuar, magjinë e tregut, forcën e tij. Duhet të na besoni se, në qoftë se në kulmin e krizës më të madhe që Europa ka njohur, siç do të thoshte një nga personalitet më të shquara të financave të botës, qeveria shqiptare menaxhoi mirë shtrëngatën. Duhet të na besoni se ne bëmë gjithçka që iniciativa juaj e lirë, iniciativa e lirë e investitorëve nga mbarë bota të kenë në këtë vend, klimën më miqësore. Shqipërinë e renditëm në 10-20 vendet më të mira në botë për regjistrimin e biznesit, për garancinë e investimeve, për raportin paga/produktivitet, për lirinë fiskale.

Duhet të na besoni se pas anëtarësimit në NATO, pasaportës së madhe të sigurisë, jashtë parashikimit tonë, investimet e huaja në Shqipëri u rritën me 316 përqind. Duhet të na besoni se në katër vite, në këtë tokë që vetëm pak vite më parë ishte vendi i investimeve të ndaluara, e investimeve të ‘mallkuara’, u investuan nga investitorë vendas e të huaj, nga sektori privat shqiptar dhe sektori publik 12 miliardë dollarë, që u kthyen në vende pune e në rroga. Sot më mirë se kurrë, më të qartë se kurrë e dimë se ku janë potencialet tona.

Secili nga ju, para se të hezitojë të përqafojë programin tonë, të shtrojë pyetjen: çfarë ndodhi, si ka mundësi që këto katër vite, ne investuam në këtë vend 12 miliardë dollarë. Po, ka mundësi, sepse këto katër vite, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, sepse reformat tona merituan heqjen e vizave, sepse reformat tona merituan marrjen e statusit, sepse ne dëshmuam se ne jemi vend serioz, se zbatojmë ligjet dhe ligjet më të mira.  

Shqipëria mori 12 miliardë dollarë investime, sepse taksa e sheshtë 10 përqind, taksa e librave të shenjtë u shndërrua në levën e Arkimedit për ekonominë shqiptare.

Ne që premtuam 160 mijë vende pune, realizuan 200 mijë, a nuk kemi të drejtë të premtojmë sot, me realizmin më të madh, me minimumin më të madh, 250 mijë vende!   

Këto javë, demokrate e demokratë, qytetare e qytetarë, Shqipëria u bë ndofta vendi i parë në botë pa asnjë taksë për kapitalin. Ky është zotimi ynë, me bindjen më të madhe se kjo është mbështetja më e fuqishme për investimet vendase e të huaja, për krijimin e dhjetëra mijëra vendeve të reja të punës.

Ndaj është rasti t’ju ftoj juve, qytetare e qytetarë shqiptarë, të votoni për Shqipërinë pa taksën e kapitalit, për vete, për të papunët, për rrogat tuaja, për rroga më të larta.

Tre javë më parë dërguam në parlament dhe u votua javën që shkoi, ligji që rrit me 10 përqind, pagat e 220 mijë shqiptarëve, duke hequr tatimin mbi të ardhurat personale për çdo rrogë nën 30 mijë lekë. Kjo do të thotë 10 përqind më shumë vende pune në këto sipërmarrje.

Qytetare e qytetarë shqiptarë, të gjithëve pa përjashtim, ju bëj thirrje të votoni më 23 qershor këtë ligj, sepse rrogat nuk janë të majta e të djathta, vendet e punës nuk janë të majta apo të djathta. Ato janë të qytetarëve shqiptarë e të mirëqenies së tyre.

Së shpejti, në parlament do të kalojë ligji, i cili do të përjashtojë të rejat e të rinjtë, nga çdo lloj detyrimi tatimor në tre vitet e para të punës së tyre. Të tjerët mund të më pengojnë me votën e bllokimit, që t’u njoh të drejtën 16-vjeçarëve për të votuar, por nuk mund të më pengojnë kurrë për të mbështetur punësimin e tyre pa asnjë taksë, pa asnjë tarifë, për tre vite rresht.

Të dashur qytetare e qytetarë, vajza e djem, gra e burra, që sot jeni të papunë në vendin tim, programin tonë duhet t’i besoni, sepse ne kemi një program realist për ju. Ne që ia dolëm të kemi në katër vitet që lëmë pas, 12 miliardë dollarë investime, zotimi ynë solemn është se do të kemi 16 miliardë dollarë investime. I rikujtoj ndonjë skeptiku se vetëm në kaskadën e Devollit, në kaskadat e Alpeve, në Luginën e Drinit, kaskadën e Osumit, të Vjosës e lumenjtë e tjerë, në katër vitet që vijnë do të investohen mbi 2.3 miliardë dollarë. Skeptikëve ju rikujtoj se në katër vitet që vijnë, në gazsjellësin Trans-Adriatik, në gazifikimin e Shqipërisë do të investohen së paku 2 miliardë dollarë.

Ndaj thirrja ime vëllazërore për të gjithë qytetarët shqiptarë, për të gjithë ata që e duan Shqipërinë, vend të zhvilluar, votoni programin e punësimit, programin e investimeve të Partisë Demokratike, se keni investuar për vete, për vende të reja pune, për rroga më të larta, për Shqipëri të zhvilluar, Shqipëri europiane.

Përsëri mund të pyesni: ku do t’i krijoni ju, 250 mijë vende të reja pune. Në katër vitet që vijnë, në tokën e bekuar të këtij vendi, në fushat, kodrat, luginat e në malet e tij do të krijojmë 130 mijë vende të reja pune.

Ne e bazojmë zotimin në atë që kemi arritur dhe që kemi çdo gjë të qartë, çdo gjë në majë të lapsit, çdo gjë në realitetin më objektiv.

Katër vitet që shkuan ne subvencionuam 42 mijë fermerë. Katër vitet që shkuan, fermerët shqiptarë, pas subvencionit tonë investuan katër herë më shumë në tokën shqiptare. Atëherë, ne premtojmë minimumin, zotohemi të trefishojmë grandet për bujqësinë, për peshkimin, blegtorinë, agrobiznesin. Ne nuk zotohemi se do punësojmë 300 mijë punëtorë të rinj në fermat tona. Jo, do të punësojmë së paku edhe 130 mijë të rinj të tjerë në këto ferma.

Qytetarë dhe qytetare shqiptarë, votoni programin tonë të punësimit. Ne në kulmin e krizës europiane ia dolëm jo të kemi rritje, por të kemi ulje të papunësisë. Ne në kulmin e krizës europiane ia dolëm të shmangim recensionin dhe të garantojmë një rritje katër herë më të madhe sesa rajoni. Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e bumit të vërtetë, do të jenë vitet e ngjitjes së madhe të Shqipërisë në horizontet e zhvillimit.

Mbaj mend si sot një takim timin dhe të bashkëpunëtorëve të mi tetë vjet më parë në Vlorë. Maksimumi i premtimit tonë ishte se në një mandat do të dy apo trefishonim numrin e turistëve. Një vit para këtij premtimi, Shqipëria kishte pasur gjithsej 300 mijë turistë dhe vizitorë. Sa pati ajo vitin e kaluar? 4.7 milionë turistë dhe vizitorë. Dhe prisni, se unë ju jap fjalën e nderit se ky është  vetëm fillimi i një turizmi të madh, se destinacion më të mirë mbi dhe se Shqipëria nuk do të ketë. Brigjet e saj janë bërë dhe po bëhen të famshëm çdo ditë e më shumë në mbarë botën. Janë malet e saj dhe jo malet e vendeve të tjera që vlerësohen Himalajet e Europës.

Zotimi ynë është: në krye të katër viteve, Shqipëria, 7 milionë turistë dhe vizitorë,  30 përqind më shumë punësim në turizëm; 7 vite pa taksa për çdo investim në zonat  malore të Shqipërisë.

Qytetare dhe qytetarë shqiptarë,

unë ju ftoj ju  të votoni këtë program, sepse nga turizmi fiton secili nga ne, fiton çdo shqiptar, çdo fermer, çdo blegtor, çdo tregtar, fiton Shqipëria, emër, nder,  reputacion në Europë dhe në botë.

Qytetare dhe qytetarë të Shqipërisë,

ne do të punësojmë 250 mijë qytetarë katër  vitet që vijnë, sepse në mandatin tjetër, ne do të marrim statusin e vendit kandidat, do hapim negociatat me Bashkimin Europian. 23 qershori është fundi i bllokimit me votën tuaj. Ne u anëtarësuam në NATO, investimet na  u trefishuan. Ne do shkojmë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe investimet do të pesëfishohen.

Ndaj të dashur qytetarë shqiptarë, gra dhe burra, vajza dhe djem, më 23 qershor të votojmë për punësimin, të votojmë për integrimin. Mos harroni se këtë rrugë e nisëm 20 vjet më parë. Nuk na shkonte kurrë ndër mend se ne do të ishim të vetmit promotorë të integrimit dhe nuk donim, por fati ky ishte.

Ishim ne që anëtarësuam Shqipërinë në Këshillin e Europës, ishim ne që morëm ftesën  për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ishim ne që anëtarësuam Shqipërinë në NATO, ishim ne që realizuam heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë, ishim ne  që merituam statusin e vendit kandidat dhe na u  bllokua në mënyrën më të pandershme dhe jemi ne që do e zhbllokojmë  atë, me votën tonë, jemi ne që do ecim të vendosur në këtë rrugë.

Ndaj edhe një herë dua të ndalem prapë tek bashkëqytetarët e mi, djem dhe vajza, burra dhe gra që sonte janë të pafund, të bashkohen me ne në këtë betejë, sepse ne kemi faktuar besimin tek liria, besimin e madh tek iniciativa e lirë. Ne e dimë shumë mirë sesa e çmuar është për ju, iniciativa juaj e lirë, por sa e çmuar është ajo  për shoqërinë, sesa jetik për ju, për suksesin tuaj është puna, por sa jetik për Shqipërinë është suksesi juaj.

Ndaj të vazhdojmë më 23 qershor drejt një horizonti të ri, drejt të një mandati të ri, drejt punësimit, rrogave më të larta.

Mirënjohjen më të thellë të gjithë atyre që kontribuuan kaq shumë në këtë program të mrekullueshëm, në të cilin ne kemi shndërruar punësimin, kryefjalën e tij, çështjen e të gjitha çështjeve të tij. Ne jemi ndryshimi - Përpara! Përpara! Përpara!”


30/03/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›