E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet projektligji për rritjen e pagës së gjyqtarëve

Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, ku propozohet rritja e pagës së gjyqtarëve.

Duke prezantuar këtë reformë në sistemin e pagave të gjyqtarëve, Kryeministri Berisha tha se ajo synon rritjen e  performancës, shmangien e korrupsionit dhe abuzimeve, ndërsa kërkoi përfshirjen në ligj si përfitues edhe të prokurorëve.

Për këtë çështje, Kryeministrit Berisha u shpreh:

 “Politika që kemi ndjekur, e rritjes deri në mbidyfishim të pagave të ulëta e të mesme dhe e rritjes me 2 përqind ose edhe aspak të pagave të larta, është një politikë nga e cila kanë përfituar shumica dërrmuese e punonjësve të shtetit. Kjo politikë ka ngushtuar diferencën midis pagës së kryeministrit apo ministrit dhe pagës mesatare që ishte 9.5 herë dhe ka zbritur në 4.5 herë. Do të thosha se ka bërë një diferencë të qytetëruar dhe që ekziston në vendet e lira. Diferenca e parë ishte një diferencë çnjerëzore.

Por kjo ka sjellë edhe një pasojë. Meqenëse rrogat e gjyqtarëve ishin të përcaktuar si përqindje e rrogës së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë e të ministrave, ato mbeten në vendnumëro, u rritën me 2 përqind ose aspak në ndonjë vit kur kemi bërë zero rritje për këto paga. Kjo nuk ka qenë pozitive dhe ministri i Drejtësisë, në  bashkëpunim me EURALIUS dhe institucione të tjera, ka sjellë një ligj që i ka dhënë përgjigjen e duhur këtij problemi, i cili duhej të merrte një përgjigje dhe ne prej kohësh kërkonim të gjenim një zgjidhje për të. Por ligjin e konsiderojmë përsëri të mangët, pasi nuk përfshin prokurorët. Në ligjet që kemi votuar në parlament, bashkë me opozitën, ne i kemi lënë ata komponentë të pushtetit gjyqësor. Në shumë vende janë pjesë e ekzekutivit, në vende të tjera dhe në Shqipëri janë shtyllë e atij pushteti. Ndaj mendoj se ligji duhet t’ju njohë edhe prokurorëve, po ato atribute që u njeh gjyqtarëve dhe mendoj se bëjmë një gjykim shumë të drejtë, në shpërblimin më të mirë të punonjësve të këtij sistemi, me besimin se do ndikojë pozitivisht në performancën e tyre, në integritetin e tyre moral, shmangien e korrupsionit, abuzimeve, në atë shkallë që mund të influencojë.

Theksoj se ndërhyrja ligjore ka qenë dhe është e domosdoshme, pasi, faktikisht, ata, janë të vetmit punonjës të këtij shteti, gjykatësit e gjykatës së Faktit dhe të Apelit, për shkak të mos rritjes së pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, që mbeten vendnumëro, ndërkohë kur mësuesi, mjeku infermieri, agjenti tatimor, agjenti doganor, polici nuk pësuan një gjë të tillë, për shkak të mos rritjes së rrogës së ministrave. Ndaj unë e quaj shumë të rëndësishme.”


27/03/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›