E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria kineze dhuron kompjutera për ngritjen e 6 laboratorëve IT. Ministri Pollo: Nga donacioni prej 1 milionë USD përfitojnë studentët e UT dhe UPT

Në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik dhe teknik nënshkruar ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës u organizua sot në godinën e Kryeministrisë ceremonia e aktit të marrjes në dorëzim të disa pajisjeve IT të dhuruara nga Qeveria kineze.

Mbi 90 kompjuterë (PC) dhe pajisje të tjera IT, si Lap Top, servera, pajisje zyre, etj., me vlerë afro 1 milionë USD që do të përdoren për të pasuruar laboratorët kompjuterikë në Universitetin e Tiranës dhe Universitetin Politeknik të Tiranës, më konkretisht për:

1.      Laboratorin kërkimor e didaktik, për degën e Informatikës Ekonomike, UT

2.      Laboratorin GIS dhe Imagery, për Fakultetin e Shkencave, UT

3.       Laboratorin Didaktik, për ngritjen e cilësisë së dizenjimit për degën Arkitekturë, UPT

4.      Si dhe ngritja e Qendrës Superkompjuter për UPT.

Për Qeverinë shqiptare aktin e marrjes në dorëzim e nënshkroi Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo ndërsa për Qeverinë e Republikës Popullore të Kinës nënshkroi Ambasadori kinez i akredituar në Tiranë z. Ye Hao.

Pas nënshkrimit të aktit Ministri Pollo u shpreh në një deklaratë për mediat: “Falenderoj Qeverinë e Republikës Popullore të Kinës për ndihmën e rëndësishme të dhënë, ndihmë e cila finalizohet me nënshkrimin e këtij akti të marrjes në dorëzim të kompjuterëve, dhe pajisjeve të tjera IT. Nga ky donacion, me vlerë afro 1 milionë USD, do të përfitojnë Universiteti i Tiranës dhe ai Politeknik. Po në kuadër të këtij projekti, përveç 4 laboratorëve të mësipërm, do të krijohen edhe 2 laboratorë të tjerë:

5.       Laboratori GIS dhe Instrumenta Gjeodezikë, për Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, UPT

6.      Laboratori i informatikës për Universitetin e Shkodrës ”

Ministri Pollo kujtoi gjatë fjalës së tij se: “Kjo ndihmë është në vijim të ndihmës së dhënë nga Kina, vite më parë, përsëri në vlerën prej 1 milionë USD për projektin TIK-Shkolla, që sot është finalizuar dhe çdo shkollë bazë apo e mesme është e pajisur me 1-2 laboratorë kompjuterikë, të lidhur me internet. Sot ne angazhohemi në arsimin e lartë dhe sidomos në fakultetet dhe departamentet e përzgjedhura, që kanë nevojë për TIK, përdorimi i të cilës ngre standardet e kërkimit shkencor dhe cilësinë e studimeve, por dhe të shërbimeve që departamentet dhe fakulteteve më sipër mund të ofrojnë për tregun.”

“Shpresojmë, - uroi Ministri Pollo në fund të fjalës, - në bashkëpunim të mëtejshëm me Qeverinë e Republikës Popullore të Kinës dhe përfitim për të dy vendet.” 

Gjatë fjalës së tij Ambasadori kinez z. Ye Hao tha ndër të tjera se: “Kina dhe Shqipëria kanë një traditë të hershme të miqësisë dhe të bashkëpunimit dhe ceremonia e sotme është në vazhdimësi të kësaj miqësie. Detyra e Ambasadës kineze në Shqipëri është nxitja e bashkëpunimit të mëtejshëm.”

Ambasadori përmendi në fjalën e tij një sërë projektesh të Republikës Popullore të Kinës në vendin tonë, në kuadër të marrëveshjes ekonomike-tregtare, me anë të mbërritjes në Shqipëri të investitorëve privatë kinezë dhe organizimit të panairit Shqipëri- Kinë, por edhe projekte në art, në sport, etj.

Në të ardhmen, Ambasadori premtoi nënshkrimin e një memorandumi për të bashkëpunuar në fushën e turizmit, me qëllim rritjen e numrit të turistëve kinezë që do të vizitojnë Shqipërinë.

Marrëveshja për bashkëpunim ekonomik dhe teknik ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës është nënshkruar më 29 tetor 2009.


29/05/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›