Kryeministri Berisha: Funksionimi cilësor i Shërbimit Civil është kusht themelor për një qeverisje të mirë
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot paradite ne konferencën informuese për ecurinë e reformës në Administratën Publike të vendit. Të pranishëm në këtë konferencë ishin ministri i Brendshëm Bujar Nishani, Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri Ettore Sequi, Drejtoresha e Shërbimit Civil të vendit Blerta Selenica, drejtues të shërbimit civil të institucioneve të vendit, etj.
Kryeministri vlerësoi organizimin e kësaj konference nga ana e ministrisë së Brendshme dhe Përfaqësisë së Bashkimit Evropian në Shqipëri, konferencë në të cilën trajtohet një problem themelor i funksionimit të shtetit në tërësi. “Në këto 20 vite, Administrata Publike ka qenë faktor kryesor i të gjitha reformave të realizuara, reforma që kanë shënuar transformime epokale në këtë vend”, u shpreh Kryeministri.
Funksionimi i Shërbimit Civil, vijoi Kryeministri, është garanci për mbrojtjen e interesit publik, për një shërbim më të mirë, gjithnjë në përmirësim, ndaj qytetarëve, është kusht themelor për një qeverisje të mirë.
Ndërkohë, Kryeministri siguroi se qeveria po përgatitet për të hapur shkollën e Administratës Publike, shkollë e cila do të garantojë kualifikimin e vazhdueshëm të punonjësve të administratës.
Duke u ndalur në hapat e mëtejshëm në këtë drejtim, Kryeministri Berisha u shpreh se kalimi i ligjit të Gjykatës Administrative dhe vendosja e sistemit të Gjykatës Administrative, projekt -kodi i ri për Procedurat Administrative dhe projektligji për organizimin dhe funksionimin e Administratës Publike, janë tre zhvillime të tjera madhore që do të ndihmojnë në konsolidimin e mëtejshëm të Shërbimit Civil në Shqipëri. “Dua t’ju siguroj që të bëjmë gjithçka që të bashkëpunojmë me opozitën, në mënyrë që këto ligje shumë të rëndësishme për funksionimin më të mirë të administratës publike në tërësi dhe shërbimit civil në veçanti, konsolidimin dhe përsosjen e punës së tyre, të votohen sa më shpejt në parlament dhe të hyjnë në fuqi sa më shpejt”, theksoi Kryeministri.
Kryeministri Berisha siguroi se qeveria do të bëjë gjithçka që në Shqipëri të mbetet një administratë e vogël dhe një qeveri e vogël.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, dëshiroj të falënderoj për organizimin e kësaj konference ministrinë e Brendshme dhe Përfaqësinë e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadorin Sequi, konferencë në të cilën trajtohet një problem themelor i funksionimit të shtetit në tërësi.
Në këto 20 vite, Administrata Publike ka qenë faktor kryesor i të gjitha reformave të realizuara, reforma që kanë shënuar transformime epokale në këtë vend. Administrata Publike është përshtatur me një dinamizëm të madh ndryshimesh të gjithanshme të vendit. Ajo është përballur me vështirësi serioze, është përballur me trysni politike të pa merituara, është përballur me pasojat e vendosjes së menjëhershme të statusit të nëpunësit civil, është përballur me pamundësinë, për arsye po politike, të ndryshimeve të domosdoshme ligjore, në mënyrë që kjo administratë e shërbimit civil, që përbën shtyllën dhe pasurinë më të madhe të administratës shtetërore, të mund të ri dimensionohej, të mund të konsolidohej, të mund të pësonte ndryshimet e domosdoshme, në përputhje me prurje më cilësore.
Shërbimi civil është shërbimi kryesor i shtetit. Në këtë kontekst, ai përbën një pasuri shumë të madhe. Funksionimi i tij është garanci për mbrojtjen e interesit publik, është garanci për një shërbim më të mirë, gjithnjë në përmirësim ndaj qytetarëve. Pra, është kusht themelor për një qeverisje të mirë.
Unë kam ndjekur me shumë interes përpjekjet e departamentit dhe Administratës Publike të shërbimit civil, të ministrisë së Brendshme, për përmirësimin e bazës ligjor të funksionimit të këtij sistemi. Sugjerimet e ekspertizës së huaj mendoj se kanë arritur në projektligje që i përshtaten plotësisht kohës dhe nevojave të këtij shërbimi, projektligje të cilat ri dimensionojnë shërbimin civil, e shtrijnë atë më tej, projektligje të cilat japin mundësi të plotë, krahas garancive dhe mbrojtjes së punonjësve, edhe për ripërtëritjen dhe angazhimit e një softi gjithnjë e më të kualifikuar.
Ndërkohë, qeveria po përgatitet për të hapur shkollën e Administratës Publike, shkollë e cila do të garantojë kualifikimin e vazhdueshëm të punonjësve të administratës. Kalimi i ligjit të Gjykatës Administrative dhe vendosja e sistemit të Gjykatës Administrative, projekt -kodi i ri për Procedurat Administrative dhe projektligji për organizimin dhe funksionimin e Administratës Publike, janë tre zhvillime të tjera madhore që do të ndihmojnë në konsolidimin e mëtejshëm të Shërbimit Civil në Shqipëri. Në të gjithë përpjekjet dhe në administratën në tërësi, ne do të bëjmë gjithçka që të mbetemi një administratë e vogël dhe një qeveri e vogël. Ideja e “under staf” është një ide që nuk duhet pranuar. Shqipëria nuk do të shndërrohet ndonjëherë në një administratë të madhe. Kjo krizë që përjetojnë sot vendet e zhvilluara, një nga shkaqet e saj ka administratat e fryra. Raporti Shqipëri- Greqi është 1 me 4. Kjo do të thotë që ne duhet të bëjmë përpjekjet më maksimale për kualifikimin e administratës sonë. Kjo do të thotë që ne duhet të bëjmë gjithçka për funksionet polivalente në administratën tonë, do të bëjmë gjithçka për aplikimin e teknologjive më moderne në funksionimin e administratës sonë, të cilat shkurtojnë shumë burimet njerëzore. Kjo do të thotë se ne do të përmirësojmë më tej raportin shërbim civil -administratë publike, duke u përpjekur ta shtrijmë shërbimin civil në të gjithë degëzimet e Administratës Publike dhe ta shndërrojmë atë në kërcellin kryesor, në shtyllën kryesore të funksionimit të saj.
Edhe njëherë, dua t’ju përshëndes përzemërsisht dhe t’ju falënderoj me shumë mirënjohje, ju, punonjësve të shërbimit civil, për kontributin e madh që keni dhënë dhe jepni në realizimin e reformave në fusha të ndryshme të vendit dhe dua t’ju siguroj që të bëjmë gjithçka që të bashkëpunojmë me opozitën, në mënyrë që këto ligje shumë të rëndësishme për funksionimin më të mirë të administratës publike në tërësi dhe shërbimit civil në veçanti, konsolidimin dhe përsosjen e punës së tyre, të votohen sa më shpejt në parlament dhe të hyjnë në fuqi sa më shpejt. Faleminderit".
29/05/2012