Kryeministri Berisha merr pjesë në Samitin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në Samitin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që u zhvillua në Zagreb të Kroacisë. Takimi u përqendrua në diskutimet mbi thellimin e bashkëpunimit rajonal.
Në Samit merrnin pjesë krerët e shteteve dhe të qeverive të dhjetë vende anëtare: Shqipërisë, Kroacisë, Greqisë, Bullgarisë, Turqisë, Rumanisë, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Gjithashtu në Samit ishin të pranishëm Presidenti i Komisionit Evropian Jose Barroso, Kancelaria e Republikës Federale Gjermane Angela Merkel, në cilësinë e Presidentes së radhës të Bashkimit Evropian, Komisioneri evropian për Zgjerimin Olli Rehn, Presidenti i Parlamentit Evropian Hans Gert Poettering, Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit Nicholas Burns dhe Koordinatori Special i Paktit të Stabilitetit Erhard Busek.
Gjatë Samitit mori fjalën edhe Kryeministri Berisha, i cili përshëndeti qeverinë kroate për punën e bërë gjatë kryesimit të SEECP-it dhe për organizimin e këtij Samiti. Kryeministri vuri edhe një herë theksin në çështjen e Kosovës, duke u shprehur se zgjidhja e çështjes së statusit të Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të zgjatet, sepse nuk ka asnjë alternativë tjetër për rajonin përveç integrimit euro-atlantik. Ai ka theksuar gjithashtu se kjo është arsyeja pse qeveria shqiptare beson që Këshilli i Sigurimit duhet të adoptojë rezolutën për statusin e Kosovës, bazuar në propozimin e Presidentit Ahtisaari. "Shqipëria, sikurse dhe SHBA dhe EU, mbështet plotësisht planin e Presidentit Ahtisaari si një platformë reale që siguron paqe dhe stabilitet në Kosovë por edhe në rajon," tha Kryeministri.
Një nga çështjet e trajtuara gjatë fjalës së Kryeministrit ishte edhe anëtarësimi i Shqipërisë dhe i vendeve të Kartës së Adriatikut në NATO. Në këtë kontekst, theksoi Kryeministri Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, duke punuar së bashku në kuadrin e Kartës së Adriatikut dhe Partneritetit për Paqe, janë në prag të meritimit të ftesës për antëtarësim nga Samiti i NATOS në Riga, e bazuar në performancën e tyre individuale. Në këtë kontekst, u shpreh Kryeministri, ne presim me kënaqësi dhe shpresë të madhe vizitën që do të bëjë në Shqipëri, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, më 10 qershor.
Procesi i Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore synon që të promovojë elementët e demokracisë e të shtetit ligjor, frymën e tolerancës e të pajtimit, zhvillimin dhe integrimin ekonomik të vendeve pjesëmarrëse dhe të rajonit si një i tërë.