Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar
“Zotërinj deputetë,
Së pari dëshiroj t’ju përshëndes dhe t’ju falënderoj për ekspozetë e shkëlqyera që bëtë për buxhetin, si një moment kulmor përgjegjësie i mazhorancës ndaj qytetarëve. Nga ana tjetër ju ftoj të vazhdojmë me reforma të thella, për të cilat vendi ka nevojë shumë të madhe. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne si qeveri, si parlament dhe si mazhorancë të vazhdojmë reformat në të gjitha aspektet, në mënyrë që Shqipëria të mos njohë ngadalësim për shkak të vitit zgjedhor. Besoj se vlerësimi që mund t'u bëhet përpjekjeve tona të deritanishme, por edhe vlerësimi më i madh që do të mund të merrnim nga zgjedhësit do të ishte vazhdimi me seriozitetin më të madh të reformave të nisura në të gjitha fushat.
Pati një rëndësi shumë të madhe fakti që Kodi Zgjedhor u miratua rreth tetë muaj para zgjedhjeve. Ka një rëndësi të jashtëzakonshme që çdo ditë të punohet për t’i dhënë vendit infrastrukturën më moderne për zgjedhjet në drejtim të pajisjes që qytetarëve me kartat e identitetit, listave të zgjedhësve, të zbatimit të Kodit Zgjedhor me shpejtësi e seriozitet dhe kjo përbën një përparësi madhore. Por, përparësi madhore mbeten reformat në të gjitha fushat, të cilat nuk duhet të njohin të ndalur.
Janë të një rëndësie jetike reformat në fushën ekonomike dhe ne po procedojmë në këtë drejtim. Janë një seri ligjesh dhe vendimesh që do të merren për të lehtësuar të gjitha procedurat e klimës së biznesit dhe investimeve. Së shpejti do të sjellim në Parlament amendime të rëndësishme për lejet e ndërtimit, të cilat janë një gangrenë e vërtetë në këtë vend. Do të sjellim në Parlament ligje dhe vendime të tjera që zhdërvjellësojnë në maksimum të gjitha shtyllat e klimës së biznesit. Kjo është dy herë më e domosdoshme po të kemi parasysh recesionin e njoftuar në disa nga ekonomitë më të mëdha të botës dhe të Evropës. Ekonomia shqiptare vazhdon rritjen dhe të gjithë treguesit janë se edhe këtë tre mujor e mbyllim me rritje të qartësuar 2-shifrore. Ky përbën një avantazh të madh, por njëkohësisht përbën dhe një detyrim shumë të madh që të përpiqemi ta ruajmë këtë rritje ekonomike në shkallën më të madhe të mundshme gjatë vitit që vjen. Kjo kërkon thellimin e reformave, e revolucionit fiskal dhe konsolidimin e disiplinës fiskale.
Reformat janë shumë të rëndësishme dhe në fushën e shëndetësisë. Ne i nisëm këto reforma. Këtu theksoj se ka pasur një vonesë, të cilën duhet ta njohim dhe është një vonë e krijuar nga disa faktorë. Së pari, ne gjetëm në faliment të plotë mekanizmi financiar të sistemit shëndetësor. Ai ishte në faliment të plotë dhe ishte pikërisht për shkak të fushatës elektorale që parapriu ardhjen tonë në pushtet. Pagat e punonjësve të shëndetësisë ishin jashtë çdo standardi dhe nuk bënin të mundur reformën. Çdo reformë ka koston dhe çmimin e vetë. Këto vështirësi u kapërcyen dhe po kapërcehen. Mungon një përllogaritje e saktë e çmimit të shërbimeve, e çmimit të kartelave dhe e çmimit të procedurave. Po ndërmerret një punë e madhe dhe e gjithanshme për përcaktimin e tyre në mënyrë që blerësi i këtyre shërbimeve, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, të mund të bëjë buxhetimin më të mirë. Duhet ta pranoj se, pavarësisht se është relativisht e vonuar, vendosmëria është e plotë për të proceduar me reformën në shëndetësi, e cila me gjithë vështirësitë e mëdha që ka është jetike dhe e domosdoshme për të përmirësuar cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve shqiptarë.
Reformat do të vazhdojnë në sistemin e drejtësisë. Parlamenti ka votuar një pakt për sistemin në drejtësi dhe ne i qëndrojmë atij. Ne do ta vazhdojmë reformën dhe unë e ftoj opozitën, në interesin më të mirë të vendit dhe të gjithë forcave politike pa përjashtim, t’i përmbahet paktit të votuar në Parlament. E garantoj se ne jemi të vendosur ti kalojmë këto ligje me konsensusin më të gjerë të mundshëm. Reforma të mëtejshme do të vazhdojnë në Forcat e Armatosura, të cilat janë jetike për konsolidimin e tyre si forca të një vendi anëtar të NATO-s. Reforma duhet të vazhdoj edhe në arsim.
Për të gjitha këto ka një dokument bazë dhe në këtë dokument janë detyrimet që rrjedhin për Shqipërinë nga raporti i Komisionit Evropian dhe Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. Në raport, ashtu sikurse e keni parë, janë përcaktuar të gjitha arritjet dhe fushat ku duhet punuar më shumë. Në të janë përcaktuar të gjitha detyrimet. Ndaj, ju ftoj dhe ju siguroj se qeveria së bashku me ju nuk do të ndërpresë në asnjë moment përpjekjet për të jetësuar kërkesat e këtij raporti.
Ky vit dhe këta muaj kërkojnë që ne të jemi më të vendosur, më aktivë dhe më të shpejtë në mënyrë që zgjedhjet e vitit 2009 të mos ngadalësojnë dhe të mos cenojnë zbatimin e dy projekteve kryesore të shqiptarëve, integrimi në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Unë zgjodha sot të flas përpara jush për reformat, sepse nuk kemi asgjë më të rëndësishme se reformat. Dhe çdo ditë të flasim dhe të veprojmë për zbatimin e tyre do të bëjmë të mundur të përmbushim më mirë detyrimet tona.”
24/11/2008