E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentarë të Partisë Demokratike

Zonja deputete,

Zotërinj deputetë,

Së pari, ju përshëndes përzemërsisht dhe kam kënaqësinë e veçantë, t’ju informoj se përdorimi i internetit, në harkun kohor 12 mujor, ka njohur rritjen më të lartë, një rritje me shpejtësi kuantike, është rritur me 340 për qind. 

Unë u ndala në këtë çështje, sepse kur në vitin 2006, kjo forcë politike shpalli si një nga objektivat më madhor të saj “Shqipërinë në moshën dixhitale”, kjo nismë u mbulua me skepticizmin më të madh, madje edhe përtej skepticizmit, të opozitës shqiptare dhe jo vetëm saj. “Shqipëria dixhitale” është  Shqipëria, në të cilën qytetarët e saj disponojnë potencialet më të mëdha të komunikimit. E vërteta është se e drejta për komunikim është sinonim i të drejtës për të vërtetën, për të mësuar të vërtetën. Rritja me 340 për qind është rritja më marramendëse që mund të jetë regjistruar ndonjëherë dhe kjo ka ndodhur pas  liçensimit të 3G-së nga autoritetet  shqiptare, masivizimit të Smart-phone, që përfaqëson një kompjuter të mrekullueshëm në xhepin e çdo qytetari.

Ju besoj e keni marrë vesh se  sot, shkalla e penetrimit të  telefonisë celulare në Shqipëri, nga 140 që ishte një vit më parë është ngjitur në 189 për qind. E vërtetë, pasioni i shqiptarëve për celularët, për komunikimin është shumë i madh!  Sot, asnjëri nuk ka tjetër, veçse të përshëndesë këtë progres të jashtëzakonshëm të vendit drejt  "Shqipërisë dixhitale".  Në vitin 2007, ne kemi pasur rritjen më të madhe në Europë, për përdorimin e internetit. Në vitin 2010, ne kemi qenë të dytët në botë, për sigurinë  e rrjetit, ndërsa viti 2011 shënon një rritje prej 340 për qind për përdorimin të internetit në Smart-phone, e cila sot është bërë edhe mënyra me komode e shfrytëzimit të këtij universi  virtual.

Por ka një problem për t'u zgjidhur dhe ky problem qëndron në çmimin e internetit.  Kompanitë e mëdha kanë  adaptuar një qëndrim të ri, përsa i përket çmimeve të bisedave telefonike dhe unë i  përgëzoj ato.  Faktikisht, ato çmime krahasuar me vitin 2005, janë ulur disa herë.  Sot, me karta konstante apo të parapaguara, me paketa apo jashtë tyre është një komunikim intensiv, në të katër anët e vendit.  Nuk të kërkon kush më "më bëj një zile". Kjo kërkesë që diktohej nga çmimet  stratosferike, sot është harruar, është arkivuar. Por sot, interneti sërish ka një çmim më të lartë, sesa në vendet  e tjera.  Qeveria po merr të gjitha masat që, në të katër anët e vendit ,shqiptarët të mund të blejnë internet me çmimin më të ulet në Europë. 

Ne i qëndrojmë asaj që premtojmë! Posta Shqiptare ka përgatitur masterplanin për të hapur edhe 1200 pika të tjera të dhënies së internetit falas, duke u bërë kështu ndoshta  vendi i vetëm, apo ndër të paktë në botë, që ofron internet falas për qytetarët e saj. Kështu që edhe ky problem që ka mbetur për t'u zgjidhur, pra i çmimit të internetit, do të marrë zgjidhjen me kushtet  e ndershme të tregut. Ndërkohë janë një  seri projektesh madhore në zhvillim e sipër, të cilat finalizohen gjatë këtij viti.

Unë përgëzoj Komisionin e Ligjeve që nisi sot, shqyrtimin e një ligji shumë të rëndësishëm për të gjithë botën e biznesit shqiptar, por edhe për administratën dhe për punonjësit, siç është ligji i Gjykatës Administrative, i përgatitur me ekspertizën më të mirë që USAID-i,  financuesi kryesor i këtij projekti, kontraktoi për hartimin e tij. Partia Socialiste ka miratuar në parim ligjin, gjë që nuk e bëri për 2 vjet rresht dhe ka kërkuar konsultime të mëtejshme. Kjo është gjë normale. Të vetmen  gjë që urojmë është që të mos e përdorin për të pritur ndonjë datë tjetër, kur do të diskutohet për Shqipërinë, për ta bllokuar. Uroj të marrin kohën e tyre, të kenë konsultime të gjëra që, ndonëse janë bërë, le të bëhen përsëri, nuk ka asnjë kundërshtim. 

Unë uroj gjithashtu dhe bëj thirrje që të njëjtin vullnet të tregojnë dhe për ndryshimin e imunitetit, kufizimin e imunitetit, në qoftë se janë të çliruar nga një grusht i vogël milionerësh, që, siç e keni vënë re, në çdo dalje televizive flasin vetëm për paratë. Ku e kishin gjetur Keti  Bazhdarin, që në çdo tre fjali thoshte unë kam para!  E kanë ngulitur deri në palcë, se për të qenë socialist i efektshëm, duhet të jesh milioner, ndryshe harroje. Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë! Fideli po, por zonja si prurje e re?! Unë kam para, thoshte?!  Në rast se grupi i milionerëve e lejon, ne do ta vlerësonim shumë. Ne jemi të gatshëm të përdorim cilindo variant.

Por zhvillimi më interesant, siç e keni konstatuar, në të gjitha ciu-ciut  e javëve të fundit dhe editorialet është përpjekja e zotit Rama për t'u bërë arkitekt i të djathtës. Pasi e ndriçoi të majtën, e udhëhoqi nga disfata në disfatë, tani si t’ia bëjë me të djathtën. Këtu ka një bizantinizëm  të vogël brenda, kujt do t’ia hedhë Bamirin në prehër. Ekzakt! Pasi e detyroi të votojë, etj.  etj.., tani e ka kapur halli se  në ç’ferrë  do ta vendosë.

Unë i them zotit Rama se nga themelimi i PD-së e deri më sot, ka një histori. Kanë dështuar të gjithë ata, të cilët janë përpjekur t'ua servirin sapunin për djathtë. Atë faqeziun nuk votoi që ta shkarkonim nga KLD, sepse nuk guxonte të votonte. Tani derdh lot krokodili, se po çahet e djathta. Megjithatë mendoj se komenti më i mirë për të gjitha këto është, "no comment". 


12/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›