E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha, thirrje bashkive e komunave të aplikojnë me projekte në grantin e Zhvillimeve të Rajoneve për t’u financuar nga qeveria, nga buxheti i këtij viti

Kryeministri Berisha, në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile, shfrytëzoi rastin për t’u bërë thirrje të gjitha bashkive dhe komunave të vendit për të paraqitur projektet  e tyre për financim nga fondi i Zhvillimit të Rajoneve. Kryeministri tha se afati i dorëzimit të projekteve është data 2 prill.  

Kryeministri theksoi se mbledhja e radhës së Komitetit të Rajoneve do të jetë për çeljen e fondit për projekte të reja dhe përparësi do të kenë, absolutisht, bashkitë dhe komunat që nuk kanë marrë projekte të reja vitin e kaluar, ose dy vite më parë.

Ato bashki e komuna që nuk sjellin projekte, tha Kryeministri, kanë përgjegjësi para qytetarëve të tyre dhe nuk do të mund t’u thonë atyre se qeveria nuk i ka mbështetur.

Lidhur me këtë çështje, Kryeministri u shpreh:

Meqenëse jam këtu para mediave, në një mbledhje që është pothuajse sa një mbledhje qeverie, shfrytëzoj rastin t’ju bëj thirrje autoriteteve vendore, bashkive dhe komunave të Shqipërisë  të  aplikojnë me projekte në grantin e Zhvillimeve të Rajoneve, pasi afati i fundit do të jetë data 2 prill. Pas kësaj dite, nuk do të merren më projekte për t’u financuar me buxhetin e këtij viti. Në mbledhjen e parë të Komitetit të Rajoneve ne disbursuam fondin për punime të shkuara dhe punime që janë në vazhdim. Mbledhja e dytë do të jetë për çeljen e fondit për projekte të reja dhe, siç është theksuar edhe në mbledhjen e parë, përparësi do të kenë absolutisht bashkitë dhe komunat që nuk kanë marrë projekte të reja vitin e kaluar, ose dy vite më parë. Në mënyrë që t’ia lemë përgjegjësinë njëri tjetrin siç duhet, ata që nuk sjellin projekte kanë përgjegjësi para qytetarëve të tyre dhe nuk do të mund t’u thonë se qeveria nuk ka financuar, që nuk i ka mbështetur. Qeveria do të mbështesë çdo projekt, me përparësi komunat apo bashkitë në të cilat vitin e kaluar, ose edhe më gjatë, nuk janë mbështetur projekte.

Kjo ishte thirrja ime dhe shpresoj që në mesin e muajit prill të mund të mblidhet Komiteti i Zhvillimit të rajoneve, për të çelur fondet për projektet e reja. Natyrisht, kjo mbledhje u shty pak, por gjendja e emergjencës bënte të domosdoshme që zonat verilindore dhe juglindore të kishin një kohë shtesë për paraqitjen e projekteve. Atë kohë shtesë ne po ua japim. Letë shpresojmë se do të paraqiten projektet e çdo komune e bashkie”.


09/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›