Kryeministri Berisha: Jemi në hapjen e siparit për Tiranën moderne të shekullit të 21-të, në lartësinë e ëndrrës së qytetarëve të saj
“Ky ekip i ri që qytetarët e Tiranës votuan pak muaj më parë, në një hark kohor të shkurtër, me dashuri e përkushtim për qytetarët e qytetin e tyre ia dolën të sjellin këtë zhvillim madhor dhe u deshën gjithsej disa muaj.”
Kryeministri Berisha pa sot nga afër projektet për zgjatimin e bulevardit të Tiranës dhe rehabilitimin e lumit të Lanës, të cilët u prezantuam pak ditë më parë, në konkursin ndërkombëtar të organizuar nga bashkia e Tiranës. Maketet e 7 projekteve të studiove të njohura në botë (DAR Group Turkey & United Kingdom, Grimshaw Architects, West 8, Albert Speer & Partners, Cino Zuçhi Architetti, Gerkan, Marg & Partners dhe Kees Christianse & Partners) janë vendosur në hollin e Muzeut Historik Kombëtar.
Kryeministri u shpreh se me këtë vizitë i bashkohet qytetarëve të Tiranës, të cilët po ndjekin me interes e kërshëri këto projekte, pas procesit të konsultimit me ta, që ka iniciuar Bashkia e Tiranës, për të tërhequr opinionet e tyre për përzgjedhjen e projektit fitues.
“Çdo qytetar i Tiranës dhe çdo qytetar shqiptar – tha Kryeministri - ka të drejtë të ëndërrojë e kërkojë të ketë në Shqipëri, një nga metropolet më të bukura e të zhvilluar të rajonit, të ketë një metropol simotër të metropoleve të mëdha europiane. Ndaj ky përbën një zhvillim historik.”
Kryeministri Berisha u njoh me karakteristikat dhe elementet e secilit projekt përsa i përket vizionit për organizimin urbanistik, shfrytëzimit të hapësirës publike, hapësirave të gjelbra etj.. Kryeministri veçoi tre elementë të këtyre projekte, të cilët i konsideroi themelorë: Bulevardi, lumi dhe parqet.
“Nëse vetëm tre elementë në këto projekte të realizoheshin: bulevardi, lumi e parqet, – tha Kryeministri - Tirana do ishte krejt tjetër. Është një shans historik për këtë qytet që të ketë parqet që meriton, të ketë mushkëritë e frymëmarrjes së tij. Është një shans historik për këtë qytet, i cili vendoset midis dy lumenjve, që ato të meritojnë një vëmendje e përkushtim shumë më të madh.”
Këto elemente të integruara, theksoi Kryeministri, i japin Tiranës një dimension të ri, duke formuar një kompleks ndër më të gjelbëruarit dhe funksionalët, nga kodrat e liqenit tek kodrat e Paskuqanit.
“Ka një leksion fondamental që nxirret nga këto projekte: Tirana duhet të zhvillohet në tërë hapësirën e saj. Ata që e themeluan Tiranën nuk e themeluan që ajo të kufizohet nga ky breg në atë breg, por që ajo të zhvillohet e të shpaloset si kryeqendra urbanistike e kombit, në të gjithë hapësirën ku ajo ndodhet.”
Fjala e Kryeministrit pas njohjes me projektet për zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Lanës:
“Erdha këtu të vizitoj dhe të njihem me projektet, sëbashku me drejtuesit e bashkisë së Tiranës dhe qytetarët e saj, që me kaq interes po e ndjekin këtë proces, si një proces i një rëndësie historike dhe jetike për Tiranën e qytetarët e saj, por edhe për të gjithë shqiptarët. Tirana është zemra, është ëndrra më e bukur e shqiptarëve që në vitet e para të jetës së tyre e në vazhdim.
Shfrytëzoj rastin të përshëndes shumë përzemërsisht bashkinë e Tiranës, kryetarin e saj, të gjithë ata, të cilët në një kohë rekord bënë që të zbarkojnë këtu, me projektet e tyre, studiot urbanistike ndër më të njohurat në botë, ku problemi më kryesor është vështirësia e përzgjedhjes. Urbanistë të reputacionit botëror kanë dhënë përgjigjet më të shkëlqyera, më tërheqëse e më të qëndrueshme me projektet e tyre për Tiranën e shekullit të 21-të. Duhet të mbajmë gjithnjë parasysh se ky qytet ka një histori të gjatë, të cilën historianët dhe studiuesit ende nuk e kanë qartësuar. E lidhin me ndërtimin e xhamisë, por e vërteta duket se shkon shekuj e shekuj më parë, por, megjithatë, këtë t’ia lëmë historianë. E vërteta është se ky qytet ka një vendvendosje ndër më të mrekullueshmet jo vetëm në Shqipëri, por absolutisht në rajon, në Europë e në botë. Një qytet që mbështetet në një masiv jeshil të përjetshëm, siç janë kodrat që e bashkojnë me malin e Dajtit; një qytet që mbështetet në një mal që në të gjithë lartësinë e tij, përfshi edhe vetë kreshtën, është i mbuluar nga lisa, ahe e pisha në çdo pëllëmbë të tij; një qytet që në krahun perëndimor të tij ka për kurorë, kodrat ondulonte, më të bukurat që njeriut i kap syri, të cilat impresionuan Edwart Lear më shumë se të gjithë elementet e këtij peizazhi; një qytet që ndodhet 35 kilometra nga deti dhe një nga plazhet më të mrekullueshëm; një qytet që sheh nga veriu në një hapësirë të pafundme. I rrafshët, por edhe me ondulacionet e tij, nuk mund të gjendet një terren si ky, në Tiranë, për të vendosur dhe ndërtuar një qytet.
Ata që zgjodhën Tiranën për kryeqytet, e zgjodhën duke u bazuar në përshkrimin që Sami Frashëri i bënte kryeqytetit, se ku duhet ta kishte Shqipëria që vjen kryeqytetin e saj. Sami Frashëri nuk emërtoi qytetin, por bëri përshkrimin e një qyteti që nuk mund të ishte asnjë tjetër, veçse Tirana.
Tirana moderne u themelua si Tiranë europiane, si një nga qytetet më europiane, në të cilën derdhën gjeninë e tyre krijuese arkitektë e urbanistë ndër më të mëdhenjtë e kohës. Në një kohë të shkurtër, ajo mori në qendër fizionominë e një qyteti bashkëkohor europian.
Më pas, Tirana pësoi fatin e asaj doktrine, e cila e shpalli Shqipërinë: as lindje as perëndim. Në qytet u shkatërruan vlera të jashtëzakonshme arkitekturore, urbanistike. Nuk mund të injorohet se pazari i vjetër i Tiranës, edhe për mua, ishte më tërheqësi e më i bukuri se çdo lagje e vjetër që kam parë e vizituar në qytetet tjera perëndimore. Shërbimet e tij ishin arti më i arrirë i shërbimit. Në vend të tij u ndërtua një pallat që gjendet vetëm në Ulan Bator dhe ndërtesa të tjera. Por ajo që na jep shumë shpresë janë këto projekte, sepse tek to ne shohim tani, Tiranën e shekullit të 21-të. Çdo qytetar i Tiranës dhe çdo qytetar shqiptar ka të drejtë të ëndërrojë e kërkojë të ketë në Shqipëri, një nga metropolet më të bukura e të zhvilluar të rajonit, të ketë një metropol simotër të metropoleve të mëdha europiane. Ndaj ky përbën një zhvillim historik.
Për vlerësimin e këtyre projekteve u zgjodhën personalitete botërore, ndër të cilët Libeskind, sot, një nga arkitektët më të shquar të botës, i cili po ndërton në Ground Zero [New York], që do të zëvendësojë kullat binjake dhe në shumë vende të tjera; si personalitete të tjerë të po këtij reputacioni, që bënë vlerësimin e projekteve. Ajo që ra në sy ishte vështirësia e tyre për zgjedhur projektin më të mirë dhe kjo është një dëshmi e punës shumë serioze që 7 studiot e përfaqësuara kanë bërë, se me ç’dashuri e përkushtim punuan ata, për dimensionin e ri të Tiranës së shekullit të 21-të.
Ajo çka është e rëndësishme dhe qytetarët do shprehin mendimet e tyre është se këtu ka një pasuri shumë të madh. Sigurisht që do të jenë grupet teknike ato që do të japin fjalën e fundit, por miqësisht do të thosha se nëse vetëm tre elementë në këto projekte të realizoheshin: bulevardi, lumi e parqet, Tirana do ishte krejt tjetër. Është një shans historik për këtë qytet që të ketë parqet që meriton, të ketë mushkëritë e frymëmarrjes së tij. Është një shans historik për këtë qytet, i cili vendoset midis dy lumenjve, që ato të meritojnë një vëmendje e përkushtim shumë më të madh. Aty ku rrjedh uji, rrjedh edhe jeta. Po t’i vështroni të gjitha këto projekte, studiot i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë lumit, shndërrimit të tij në një funksion të rëndësishëm për qytetin dhe qytetarët. Natyrisht, ka një leksion fondamental që nxirret nga këto projekte: Tirana duhet të zhvillohet në tërë hapësirën e saj. Ata që e themeluan Tiranën nuk e themeluan që ajo të kufizohet nga ky breg në atë breg, por që ajo të zhvillohet e të shpaloset si kryeqendra urbanistike e kombit, në të gjithë hapësirën ku ajo ndodhet. Ky është një dimension drejt Paskuqanit. Tirana dhe qytetarët e saj mezi presin dimensionet e reja të Tiranës: Dimensioni drejt Dajtit, dimensioni drejt Vaqarrit. Ky qytet ka hapësira shumë të çmuara për t’u shtrirë, të cilat të integruara në të shtojnë vlerat. Këtu më përmendën Vaqarrin, por a ka më të bukura se kodrat e jeshiluara me pisha apo ullishtat e tij?! Jemi në hapjen e një sipari për një Tiranë moderne, Tiranës së këtij shekulli, Tiranës në lartësinë e ëndrrës së bukur të qytetarëve të saj dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë, për kryeqytetin e tyre.
Por nuk mund të mos theksoj se duke u ndalur tek këto projekte, të lindin edhe keqardhje, pasi edhe keqardhja është e natyrshme. Ky ekip i ri që qytetarët e Tiranës votuan pak muaj më parë, në një hark kohor të shkurtër, me dashuri e përkushtim për qytetarët e qytetin e tyre ia dolën të sjellin këtë zhvillim madhor dhe u deshën gjithsej disa muaj. Janë humbur së paku 8 vite, nuk po them 11 dhe kjo, jo se Tirana nuk kishte urbanistë, arkitektë e njerëz të mendimit. Aspak! Ka pasur, ka e do të ketë! Disa prej tyre janë këtu. Por sepse babëzia boshtëzoi gjithçka tek betoni e leja e ndërtimit. Kjo është e vërteta! Leje pas leje, beton pas betoni, Tirana, që kishte një nga treguesit e gjelbërimit ndër më të mirët, u shndërrua në një qytet që po humbiste frymëmarrjen e saj. Por rëndësi të madhe ka që ne të gjithë shohim sot, një dimension, cili i jep Tiranës pothuaj atë gjelbërim që ka tek kodrat e liqenit. Kompleksi nga kodrat e liqenit tek kodrat e Paskuqanit do të jetë ndër më të bukurit, më të gjelbëruarit dhe funksionalët. Nuk po ndalem në të gjitha projektimet e variantet e ndryshme për zhvillimin e zonave përreth, por dua të theksoj një gjë: Në të tre elementet më thelbësor të tij, bulevardin, lumin dhe parqet, ky është një projekt që mund e do të realizohet absolutisht, në një kohë shumë më të shkurtër, nga sa mendojmë ne që rrimë këtu. Natyrisht, edhe pjesë të tjera do të marrin zhvillimin e vet.
Më lejoni ta mbyll duke shprehur nderimin e madh për qytetarët e Tiranës, të cilët në 8 maj u ndanë nga blloku e bllokimi. Tani, ish kryetari do të ketë parqe të panumërta për të bërë ciu-ciu nga mëngjesi gjer në darkë. Edhe në moshën dixhitale e sollëm, kështu që të vazhdojë.”
11/03/2012