E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha mbledh Grupin e Punës për çështjet e ujit dhe kanalizimeve

-         - Duhet të veprohet me shpejtësi dhe me përparësi absolute për përfundimin e procesit të kanalizimeve dhe të impianteve të përpunimit, veçanërisht në zonat turistike

 -         - Ministria e Mjedisit duhet të praktikojë qëndrimet më të rrepta, ndaj të gjithë atyre strukturave vendore që nuk trajtojnë mbi baza ligjore problemet e lidhura me gropat septike

 -         - Është e domosdoshme që Drejtoria e Rrugëve, në të gjitha ndërtimet, të parashikojë  kolektorët e ujërave të shiut. Shoqëritë e ujësjellësve duhet të jenë përgjegjëse për furnizimin me ujë, për shërbimin e kanalizimeve dhe trajtimin e ujerave të shiut.

Kryeministri Berisha drejtoi mbledhjen e Grupit të Punës për çështjet e ujit dhe kanalizimeve, për të diskutuar rreth problematikave në këtë fushë, si dhe për të trajtuar dhe përcaktuar disa detyra të rëndësishme, me synim funksionimin edhe më të mirë të punës në këtë drejtim.

Duke vlerësuar përpjekjet e mëdha që janë bërë deri tani në sektorin e ujit, veçanërisht për sa i përket zvogëlimit të humbjeve në rrjete, rritjes së nivelit të faturimit dhe të arkëtimit, vendosjes së matësve në shkallë vendi, etj, Kryeministri vuri në dukje se, në drejtim të kanalizimeve dhe të trajtimit të mbetjeve që dalin prej tyre, kërkohet një veprim shumë energjik. Kryeministri tërhoqi vëmendjen se duhet të veprohet me shpejtësi dhe me përparësi absolute për përfundimin e procesit të kanalizimeve, të lidhjes së këtij sistemi me kolektorin dhe të lidhjes së kolektorit me Impiantin e përpunimit, veçanërisht në zonat turistike, që kanë edhe ngarkesën më të madhe në 3-4 muajt e verës. Por, ky proces duhet të shtrihet në të gjithë vendin.

Gjithashtu, theksoi Kryeministri, është e domosdoshme që Drejtoria e Rrugëve, në të gjitha ndërtimet, të parashikojë  kolektorët e ujërave të shiut. Shoqëritë e ujësjellësve duhet të jenë përgjegjëse për furnizimin me ujë, për shërbimin e kanalizimeve dhe trajtimin e ujerave të shiut.

Kryeministri u ndal edhe në problemin madhor të gropave septike dhe u shpreh se qëndrimi që mbajnë strukturat e pushtetit vendor për këtë çështje është shumë i rëndë. Këto struktura, edhe pse kanë autobote dispozicion, i çojnë këto mbetje në vende që nuk duhet t’i dërgojnë, në zona të paautorizuara. ”Është shumë e rëndë kur edhe në vendet që ka kolektor, apo impiant përpunimi, këto struktura bëjnë zgjidhje më të shkurtra dhe nuk i zhvillojnë tërësisht kapacitetet e tyre. Ministria e Mjedisit duhet të praktikojë qëndrimet më të rrepta, ndaj të gjithë atyre që nuk trajtojnë mbi baza ligjore problemet e lidhura me gropat septike”, u shpreh Kryeministri.

Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Problemet e lidhura me ujin janë probleme jetike për çdo vend, për çdo komb, për çdo komunitet. Ndaj dhe unë kërkova këtë takim me ju për të trajtuar dhe përcaktuar disa detyra të rëndësishme për të ardhmen. Në fakt, këto janë çështje thelbësore të infrastrukturës së zhvillimit të vendit, çështje me një ndikim shumë të madh në jetën e individit dhe komuniteteve.

Në 5 vitet e fundit, është bërë një përpjekje e madh në këtë sektor, për të shënuar një kthesë në qëndrimin ndaj tij. Është arritur që të zvogëlohet humbja, është arritur të rritet niveli i faturimit, të rritet niveli i arkëtimit, është rritur përqindja e matësve të ujit në shkallë vendi, është reduktuar në mënyrë të  ndjeshme subvencioni për këto shoqëri, për shkak të përmirësimit të menaxhimit. Arritja më e madhe është që sot, në sajë të investimeve të gjithanshme, qoftë të ministrisë së Punëve Publike, por edhe të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, mbi 95 për qind  e shqiptarëve marrin ujë rubineti, natyrisht jo 24 orë. Këto vite, është rritur me 55 për qind, në shkallë vendi, aksesi në kanalizime.

E vërteta është që, në rast se në drejtim të furnizimit me ujë ka një realitet të ri dhe që duhet përmirësuar përsëri, në drejtim të kanalizimeve dhe të trajtimit të ujërave të ndotura dhe të mbetjeve që dalin prej tyre, kërkohet një veprim shumë energjik. Duhet të kemi parasysh edhe faktin se ky vend pret në vit mbi 4 milionë turistë e vizitorë. Pra, në vetvete, domosdoshmëria e zhvillimit të kapaciteteve, në përputhje me këto zhvillime, është shumë e madhe. Përsëri sot janë pa akses në kanalizime rreth 1 milionë banorë, shifër kjo shumë shqetësuese. Kjo do të thotë se ne duhet të lëvizim me shpejtësi, me përparësi absolute në zonat turistike, ku duhet të finalizojmë përfundimin e procesit të kanalizimeve, të lidhjes së këtij sistemi me kolektorin dhe të lidhjes së kolektorit me Impiantin e përpunimit. Investime të mëdha janë bërë dhe po bëhen. Mjafton t’ju kujtoj këtu se janë 14 impiante në ndërtim e sipër, por ritmet duhet t’i shpejtojmë dhe këtë ta bëjmë, para së gjithash, në zonat turistike, nga Velipoja në Ksamil. Më pas, i rikthehemi çdo zone tjetër të vendit. Por, këto zona kanë përparësi, pasi kanë edhe ngarkesën absolute në periudhën 3-4 mujore të vitit.

Në qëndrimin ndaj problemeve të ujit kemi probleme serioze me organizimin. Qeveritë vendore janë aktualisht përgjegjëse direkt vet për ujërat e shiut, të cilat na i adresojnë pa asnjë lloj hezitimi, në kolektorët e ujërave të ndotura, të cilat do të rrisin në mënyrë shumë të pamerituar koston e funksionimit të impianteve, të cilat mund të kenë shumë përdorime të tjera dhe është shumë e pamerituar që ato të derdhen nën ujërat e ndotura.

Është e domosdoshme që Drejtoria e Rrugëve të parashikojë në të gjitha ndërtimet, kolektorët e ujërave të shiut, sikundër, së bashku me ministrinë e Brendshme, duhet të zbatohet parimi që shoqëritë e ujësjellësve të jenë përgjegjëse për furnizimin me ujë, përgjegjëse për shërbimin e kanalizimeve, për shërbimet e ujerave të shiut. Kjo le të bëhet edhe me një vendim të ri në qoftë se është e nevojshme. Pushteti vendor nuk ka as ekspertizën, as specialistët, për të mos thënë, edhe vullnetin, përveçse në zonat qe pati përmbytje, që të trajtojë këtë problem të rëndësishëm seriozisht. Ndaj është shumë e rëndësishme që çështjet e ujit tu jepen tërësisht shoqërive të ujësjellës kanalizimeve.

Problem madhor janë gropat septike që kanë një zinxhir problemesh, së pari, vet fakti se qeniet e tyre janë vatra infeksioni thellësisht problematike. Por, po kaq problematike është qëndrimi që mban pushteti vendor ndaj tyre. Këto struktura kanë 1 autobot a 2 dispozicion dhe marrin e i çojnë këto mbetje në vende që nuk duhet t’i dërgojnë asnjëherë, shpërndajnë llumin e tyre në zona të paautorizuara dhe krijojnë një problem shumë të madh me to. Është shumë e rëndë kur edhe në vendet që ka kolektor, apo impiant përpunimi, këto struktura bëjnë zgjidhje më të shkurtra dhe nuk i zhvillojnë tërësisht kapacitetet e tyre. Ministria e Mjedisit duhet të praktikojë qëndrimet më të rrepta, ndaj të gjithë atyre që nuk trajtojnë mbi baza ligjore problemet e lidhura me gropat septike. Duhet të krijohet një realitet i ri, një praktikë e re në qëndrimin ndaj tyre. Ne po ndërtojmë një seri impiantesh dhe duhet të bëjmë gjithçka që të shpejtojmë punimet, të bëjmë gjithçka që kontratat të zbatohen me rigorozitet, qoftë për kanalizimin, për ndërtimin e kolektorit, për lidhjen e tij me impiantin. Ka vonesa në disa prej këtyre impianteve, në disa prej këtyre sistemeve. Unë gjykoj se këtë vit duhet të bëjmë gjithçka për të shpejtuar punimet në këto sisteme që janë faktikisht në përfundim e sipër. Pra, kërkohet angazhimi ynë total për t’i vënë ato në funksion, në Durrës, në Vlorë, Sarandë, në Velipojë, Golem e vende të tjera.

Një problem i veçantë dhe që duhet t’i paraprijmë me të gjitha ligjet dhe vendimet përkatëse, është problemi i llumit që nxjerrin këto impiante. Nëse nuk i japim përgjigje të studiuar këtij problemi, ai shndërrohet në një problem të madh në vetvete. Sasia e tij është e përllogaritur përafërsisht rreth 35 mijë ton në vit, nga këto impiante. Duhet të bëhet gjithçka për të përcaktuar mundësinë e përdorimit të tij në bujqësi, duke ruajtur të gjitha standardet, mundësinë e përdorimit të tij për pasurimin e tokave joprodhimtare, mundësinë e depozitimit të tij në vende ku nuk krijojnë probleme. Por, në këtë aspekt, ne jemi mbrapa dhe duhet të bëjmë gjithçka që dora dorës, me ndërtimin e impianteve të tjera, ta zgjidhim edhe këtë çështje. Së shpejti do të fillojë impianti edhe për Tiranën që do të ketë kapacitet përpunues për rreth 800 mijë banorë për përpunimi. Pra është edhe kjo një detyrë e madhe.

Problemet e lidhura me statuset e shoqërive duhet të marrin fund brenda 6 muajve. Çdo shoqëri ka gjithsej 4 shoqëri ujësjellës kanalizime që nuk janë transferuar ende dhe ato duhet të transferohen në mënyrë përfundimtare. Gjatë këtyre viteve, përqendrimi total ka qenë furnizimi me ujë, por tani kërkohet një përqendrim i fuqishëm në trajtimin si të furnizimit, por edhe në shërbimet dhe trajtimin e ujërave të ndotura, ujërave të shiut, mbetjeje. Pra, duhet një përballje komplekse, në mënyrë që Shqipëria të qëndrojë, apo të luftojë për zbatimin e standardeve evropiane të BE-së në këtë fushë, që janë edhe standardet më të mira që ekzistojnë dhe më të mirat në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Ju jeni marrë dhe merreni çdo ditë me këto problem, por tani ne duhet ti vendosim këto probleme në një rrafsh të ri, sepse janë një problem madhor”.  


10/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›