E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike

Nën drejtimin e Kryeministrit dhe njëkohësisht kryetarit të Partisë Demokratike z. Sali Berisha u zhvillua sot mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së, ku u miratuan kandidatët për drejtues të pushtetit lokal dhe anëtarë të këshillave në zgjedhjet e 8 majit.

Më gjerësisht në këtë mbledhje, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Ju ftoj të përshëndesim me një duartrokitje të zjarrtë fitoren e shkëlqyer të ekipit kombëtar, fitore që mbushi me gëzim, kënaqësi dhe krenari, zemrën e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovës, Maqedoni dhe në mbarë botën.

Natyrisht, kartolinën e urimit qeveria është e detyruar ta bëj si duhet. Dua t’ju informoj se qeveria do të shpërblejë ekipin kombëtar, drejtuesit e saj, për këtë rezultat dhe këtë performancë. Skuadra kombëtare e shqiptarëve është në një ngjitje të vërtetë dhe ndeshja e djeshme ishte një nga ndeshjet më të bukura të zhvilluara në stadiumin “Qemal Stafa”, por edhe në të gjithë stadiumet e tjera.

Unë u gëzova shumë për këtë fitore. E ndoqa ndeshjen më shumë interes dhe emocion së bashku me bashkëpunëtorët e mi. Në minutën e 61 zoti Bode desh fluturoi në tavan, por nuk e kisha mendjen tek Bode, e kisha te stadiumi. Kur shoh edhe zotin Basha në mes të tifozëve, sa nuk po fluturonte nga gëzimi. Por kishte një specifikë minuta e 61, minuta kulmore në të cilën Hamdi Salihi, një nga yjet e futbollit të Evropës dhe futbollit shqiptar, shënoi golin dhe vendosi kurorën e fitores. Kështu që dua ta përgëzoj në mënyrë të veçantë Hamdi Salihin për golin e shkëlqyer. Ishte kurora e fitores. Natyrisht, në selinë tjetër u fikën dritat se iu duk se ai gol u bë drejt për sloganin e tyre – “Fajin e ka Saliu”. Të tilla faje Saliu do t’i ketë të shumta. Saliu qëndron i gatshëm për gola të tjerë fitoreje. Ndaj edhe një herë t’i përgëzojmë për ndeshjen e shkëlqyer dhe, natyrisht, qeveria do t’i shpërblejë ata. Në këtë kampionat ata kanë dëshmuar performancën më të mirë dhe ngjitjen më dinjitoze. Le të urojmë dhe ata dhjetëra e mijëra të rinj që mblidhen nga të katër anët e trojeve shqiptare, të veshur me flamur, dhe që përbëjnë një mbështetje e inkurajim të jashtëzakonshëm për ekipin tonë kombëtar. Viti 2012 do të jetë viti i finalizimit të stadiumit kuq e zi. E meritojnë plotësisht.

Tani rikthehemi te çështjet që duam të trajtojmë sot. Ne de facto kemi nisur fushatën elektorale dhe përgatitjet intensive për këtë fushatë. Unë dua t’ju përcjell ju të gjithë kandidatët e “Aleancës për Qytetarin”, qoftë ata për qytetarë të parë, qoftë ata për parlamentarë vendorë. T’ju përcjell të gjithë strukturat, të gjithë anëtarët, simpatizantët e Partisë Demokratike dhe qëllimin më madhor të kësaj fushate, votën e lirë të shqiptarëve.

Ne jemi parti e votës së lirë. Ne jemi qytetarë të këtij vendi të bashkuar, pavarësisht nga të gjithë dallime të tjera, te besimi ynë i hekurt dhe i palëkundur, te vota e lirë dhe vlerat e saj. Në trashëgiminë e forcës sonë politike qëndrimi ndaj votës, konsolidimi i saj, janë ndër thesaret më të çmuara, jo vetëm tonat, por edhe kombëtare. Historiku i votës ka qenë padiskutim i dhimbshëm, sepse vendi pati fatin të ketë një forcë, e cila që nga themelimi i saj në vitin ‘41 me të gjithë transformimet që bëri nuk dëshmoi kurrë ndonjëherë përkushtimin e plotë për votë të lirë. Viti 2005 ishte një arritje historike për vendin, kur kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht Kryeministër i asaj kohe pranoi rotacionin në një proces zgjedhor që për hir të së vërtetës ishte sërish larg parametrave evropiane. Por, duhet të pranojmë, që nuk u bënë tentativa të mbahej pushteti dhe ndodhi rotacioni. Nga ajo ditë e deri më sot dhe deri sa të jemi në pushtet, në çdo proces zgjedhor detyrimi ynë është absolut: të respektojmë votën e qytetarëve tanë, të bëjmë që ata të votojnë si qytetarë evropianë.

Zonja dhe zotërinj,

Kjo qeveri, kjo shumicë, për të arritur në standardet më të mira ka bërë investimet më të mëdha. Sot ne shkojmë drejt zgjedhjeve me një kuadër ligjor tërësisht konsensual; me standardet më të larta teknologjike në numërimin e votave; me vendimin tonë të hekurt për të respektuar çdo votë të qytetarëve shqiptarë. Zgjedhjet e vitit 2009 nuk ishin vetëm zgjedhjet më të mira që kishte zhvilluar vendi, por ishin edhe zgjedhje që plotësuan standardet kryesore të OSBE-së. Por ai që u bën nder çdo përfaqësuesi tonë, çdo komisioneri e çdo numëruesi është vlerësimi se nuk pati asnjë përpjekje për të manipuluar rezultatet dhe as për numërim të parregullt. Gjithnjë në një proces zgjedhor përgjegjësitë më të mëdha e më të rëndësishme i ka mazhoranca, i ka qeveria. Ne i kemi kaluar me sukses të plotë provat tona. Ne duhet të konsolidojmë gjithnjë e më shumë këtë sukses, i cili është jetik për zgjedhjet në çdo vend, por dy herë më shumë jetik në Shqipëri. Sepse sërish kemi një forcë politike, ndër kryesoret e vendit, e cila ka një raport kryekëput të vjetër me votën. Ka një raport me të cilin ka faktuar çdo ditë se përveç votës në favor nuk njeh votë dhe nuk pranon votë tjetër. Ndaj dhe ne do të kemi si objektiv kryesor një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Kjo ka një kusht themelor për të mos thënë të parë dhe të fundit: zbatimin e ligjit zgjedhor. Zgjedhjet, pa së gjithash dhe mbi të gjitha, janë proces i shtetit ligjor. Ndaj dhe ju kërkoj që Kodi Zgjedhor të studiohet, të njihet, të punohet, sipas përgjegjësive në të gjitha nivelet. Ne kemi vullnetin për të zbatuar ligjin. Ne do të njohim vetëm ligjin. Unë kam besimin më të madh se këto zgjedhje do të jenë të standardeve më të mira.

Natyrisht, ne shkojmë në këto zgjedhje të sigurt në fitore të merituar. Në shkojmë në këto zgjedhje pasi kemi krijuar aleancën më të fuqishme që vendi ka njohur ndonjëherë, aleancë që përfaqëson të gjitha rekordet elektorale, mbi 55 përqind të shqiptarëve. Por kjo nuk mjafton. Këto janë zgjedhje ku në epiqendër totale të tyre është vendosur qytetari. Ndaj dhe aleanca u shpall si “Aleanca për Qytetarin”. Unë nuk po hyj në detaje, por dua t’ju rrëfej diçka. Tek po diskutonim për himnet e adrenalinës së fushatës unë u shpreha një herë për ‘Barracuda”, një herë tjetër për “Eye of the tiger”. Qytetarin kam unë himn të adrenalinës. Kur nuk pi kafe dëgjoj një prej tyre. Jua thash këtë për t’ju treguar se gjithçka në total do të jetë për qytetarin, si rruga më e sigurt për të ndërtuar qindra e mijëra projekte në interes të qytetarit shqiptar; si rruga më e sigurt për të zhvilluar këtë vend me shpejtësinë më të madhe; si rruga më e sigurt për të arritur fitoren më të thellë që nga ’92 e deri më sot.

Përballë, aleanca e së shkuarës, aleanca e partisë së punës. E dini që zoti Rama u rikthye te dashuria e tij e vjetër, i rezistoi i njërës prej atyre partive të ekstremit të majtë, por nuk i rezistoi dot tjetrës, partisë së gjakut. Aty u dorëzua. E përfshiu Partinë e Punës. Shumë emra dhe nofka donin t’i vinin, se mua më funksionojnë shumë mesazhet. Një herë thanë ta quanin aleanca e fajit, por e lanë se fajin e ka Saliu. Tjetri tha ta quanin aleanca e betonit. Faktikisht, në rrafshin parimor këta u shfaqën si aleanca e së shkuarës. E bëri me qëllimin për të shprehur një dhimbje për emrin e ndryshuar. E bëri nga nostalgjia për etërit shpirtërorë. E bëri se sërish i tingëllon një hormon brenda kokës, slogani Partie e Punës, Parti e Punës. Atë e di vetë ai, por ne jemi aleanca e qytetarit, për qytetarin, me qytetarin.

Ne shkojmë të sigurt në një fitore të shkëlqyer, sepse ne para çdo shqiptari dalim si qytetarë, si prindër, si familjarë, si zyrtarë, si politikanë, që kemi mbajtur premtimet tona. Ne kemi mbajtur premtimet tona duke filluar nga ujësjellësit e vegjël dhe kanalizimet e lagjeve të fshatrave, tek shndërrimi i ëndrrave më të mëdha të këtij kombi në realitet. Ne kemi shndërruar në realitet një Shqipëri tjetër sot, një Shqipëri që ende nuk ka infrastrukturën e kompletuar siç e meriton por një Shqipëri në të cilën këto vite janë bërë më shumë se tridhjetë mijë vite të marra së bashku si infrastrukturë. Kur e them këtë nuk e them se patëm shpejtësi kozmike, por e them se ekipi ishte prapambetje e këtij vendi. Shqipëria ishte vendi i kohërave të ndaluara. Më rastis të shoh në televizor segmente të rrugës “Egnatia” dhe vështroj kalldrëmin mijëravjeçar, ndërkohë kur mbi trembëdhjetë mijë kilometra rrugë të këtij vendi në vitin 2005 nuk kishin kalldrëm, por baltë siç kanë qenë  nga koha kur njerëzit lëviznin me qerre e karroca. Pra ne e kemi ndryshuar dhe e po ndryshojmë me shpejtësi Shqipërinë. Janë këto projekte, janë këto makro-projekte, të cilat kanë bërë që, së bashku me rendin e sigurinë, Shqipëria të shpallet destinacioni turistik i botës për këtë vit. Shqipëria  i pasur këto bukuri. Shqipëria ende nuk ka resorte luksoze turistike, por ndërtimi i kësaj infrastrukture, mikpritja më e shkëlqyer, më e ngrohtë e njerëzore, dhe bukuritë e vendit bën që ajo të përzgjidhej këtë vit.

Ne këto pesë vite kemi bërë sa kurrë ndonjëherë për fëmijët e qytetarëve shqiptarë. Dyfishuam rrogat e mësuesve. Unë e kuptoj që janë dyzetmijë mësues dhe nuk janë saç janë shqiptarët, por janë misionarët që ne u besojmë fëmijët, shkollimin, edukimin dhe mësimin e tyre. Këtë ne e kemi bërë edhe me mjekët e infermierët. Po ndërtojmë kudo shkolla europiane. Kemi çuar internet në çdo shkollë, kudo që ndodhet. Në vitin 2005, pas ardhjes në pushtet, kur unë shpalla këtë projekt opozita e përqeshi, por skepticizmi ishte universal. Dhe normal. Ndërsa sot, kudo që shkojmë, të rinjtë nuk flasin për gjë tjetër më shumë sesa për internetin. Në qeverisjen tonë ne kemi shpallur se nuk braktisim asnjë zonë. Aty ku është komuniteti do të jemi ne. Unë e kuptoj se nuk i kemi prekur, nuk kemi arritur tek të  gjithë. Unë e kuptoj se shumica akoma nuk e ka ndjerë këtë politikë, por ne po ecim me vendosmëri të madhe drejt gjithsecilit komunitet kudo që ndodhet, në ultësirën e bregdetit, në alpe apo në Tomor. Roma nuk është ndërtuar në një ditë,  por e vërteta është se ecja jonë është më e shpejta, më e fuqishmja. Në këtë rrugë padiskutim që ka gabime. Askush nuk del jashtë teorisë së gabimeve, por ka një gjë, ka një vullnet të hekurt për të korrigjuar gabimet në mënyrë të përditshme. Ju garantoj se në qoftë se ne ia dalim t’i qëndrojmë me kaq seriozitet dhe vendosmëri këtij programi, tmerrësisht ambicioz, ia dalim se korrigjojmë dhe gabimet tona.

Ne ia dalim në këtë rrugë, sepse programit që kemi shpallur i kemi qëndruar dhe i qëndrojmë me vendosmërinë më të madhe. Ne kur erdhëm në pushtet shpallëm dy armiq kryesor, krimin e organizuar dhe korrupsionin. Nuk pati ndonjë vend tjetër të ketë një rezultat kaq spektakolar. Vitin e kaluar kishim 3.5 milionë turistë. Kanë ardhur si në vendin më të sigurt dhe janë larguar po njëlloj të sigurt në shtëpitë e tyre. Ky vend, asnjëherë, nuk do mund të ndërmerrte projektet më të mëdha të kohërave në rast se nuk do të bënte një luftë me vendosmëri të hekurt ndaj korrupsionit.

Zonja dhe zotërinj,

Korrupsion ka, por ka edhe një luftë të vendosur kundër tij. Korrupsion ka, por ka edhe rezultate të pamohueshme në luftën kundër tij. Sot Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nga viti 2004-2009 ka dyfishuar të ardhurat nga taksat dhe tatimet. Shqipëria u bë vendi i parë në botë me prokurim elektronik 100 përqind. Sot ky është vendi më privat i Evropës. Nuk ka asnjë vend tjetër me shkallën më të thellë të sektorit privat se sa Shqipëria. Sot ky vend po ecën me shpejtësi drejt procedurave të tjera dixhitale. Pra, ne i qëndrojmë programit tonë. Natyrisht, kjo luftë do të ishte më e plotë në rast se opozita shqiptare do ta merrte seriozisht këtë luftë, nuk do të përdorte për mburojë imunitetin dhe mjete të tjera që janë pa të ardhme. 

Ndaj dhe ne shkojmë të sigurt në fitore, sepse ne na besojnë. Ne kemi shndërruar në realitet ëndrra shekullore të shqiptarëve, anëtarësimin në NATO. Me përpjekjet më të mëdha ne shndërruam në realitet rrugën e kombit, Durrës – Morinë. Ky komb është një komb jetim në historinë e tij. Për fatin e tij më të keq në arkiva ka pasur të regjistruar armiq të shumtë, të cilët nuk kanë synuar as më shumë e as më pak sesa shfarosjen dhe zhdukjen e tij. Me këtë komb ishte bërë gjithçka që të mos ishte i lirë. Ne i dhamë përgjigjen më të shkëlqyer, më përfundimtare problemit të lirisë kombëtare duke anëtarësuar Shqipërinë në NATO. Ne pas angazhimeve të mëdha në çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj shuam ato barriera të tmerrshme që na ndanin fizikisht, pasi shpirtërisht një komb është i pandarë. Ne ndërtuam korridorin e kombit dhe e ndërtuam me një përpjekje mbinjerëzore. Edhe një herë ju them ju dhe të gjithë Shqiptarëve se shkëmbinjtë, dherat, betoni e lëvizura në këtë korridor janë rreth 100 milionë tonë, kundrejt 16 milion tonë që janë të gjitha lëvizjet e të gjithë kaskadës së Drinit. Kjo është një vepër që e ne ndërtuam, e bëmë për kombin. Një korridor ëndërr e bëmë realitet. Ne ia dolëm, me përpjekje shumë të mëdha, të bëjmë shqiptarët të lëvizin të lirë në mbarë Evropën në një kohë kur bijtë e atyre që përmbysëm 20 vjet më parë e që kishin mbajtur Shqipërinë në izolimin më të thellë bënë fushatën më të fuqishme kundër lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë. Bënë gjithçka për të futur në kutinë e mashtrimit lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Bënë shpenzime dhe pagesa marramendëse për të bllokuar këto viza dhe një ëndërr të madhe që ka të bëjë me çdo qytetar shqiptar dhe më së paku me politikanët. Sepse politikanët mund të lëviznin, por ata që nuk lëviznin lirshëm ishin qytetarët shqiptarë. Ne e shndërruam në realitet dhe këtë ëndërr të madhe.

Ne shkojmë të sigurt në fitore, sepse ne kemi në zbatim e sipër qindra e qindra projekte në të katër anët e vendit dhe ne do të hartojmë mijëra projekte të tjera, për të investuar gjatë katër viteve që vijnë katër herë më shumë sesa në periudhën që kaloi, në katër vitet tona. Katër vitet që vijnë, në këtë debat dhe dialog intensiv me qytetarët ne do të identifikojmë qindra e mijëra probleme, kudo aty ku jetojnë shqiptarët. Ne nuk i kthejmë shpinën as Shalës, as bregut të Frashrit, as Mokrës apo Dukagjinit. Jo sepse, absolutisht, ky është vend i bekuar dhe kjo është tokë e bekuar. Ky është vend me asete dhe pasuri të mëdha. Ne i qëndrojmë fuqishëm. Faktikisht në këtë fushatë, ne mbi bazën e qindra e mijëra projekteve hartojmë dhe ndërtojmë projektin e Shqipërisë vend i zhvilluar në vitin 2017. Kjo do të thotë se qytetari shqiptar do të jetë qytetar i një vend të zhvilluar. E theksoj edhe një herë, kjo është një fushatë për qytetarin, për jetën e tij, të familjes së tij, të fëmijëve të tij, të fqinjëve të tij, të komunitetit të tij. Kjo fushatë është rast i art për ne që të identifikojmë të gjitha kapacitet me të cilat mund të ndryshojmë në thelb jetën e komuniteteve aty ku jetojnë. Infrastruktura ka ndryshuar Shqipërinë. Dua t’ju informoj se në Kamzë, në Paskuqan, në Kënetë në Durrës nuk ka më të ardhur, madje ka disa familje që po rikthehen atje prej nga kanë ardhur, po i rikthehen atyre pasurive që i lanë, por që tani mund ti shfrytëzojnë me suksesin më të madh. Në qoftë se para katër vitesh  për të shkuar nga Tirana në Kalanë e Dodës apo nga Tirana në Bushtricë, për të mos thënë në Valbonë apo Dukagjin, duheshin 7-8 orë, ndërsa me këtë infrastrukturë që po ndërtojmë duhet të paktën 1/3 e kohës.

Pra ne shkojmë në këtë fushatë për të studiuar, për të mësuar, për të biseduar me qytetarin, për të regjistruar të gjitha potencialet ekzistuese më të mira vendore. Ju garantoj se duke hequr gjyslykët e zyrtarizmit ne do të gjejmë në çdo fshat të këtij vendi, për të mos thënë në çdo lagje, diçka që është më e mirë se kudo, që ne do ta respektojmë. Ndaj dhe ne shkojmë atje për të mësuar, për të projektuar se si ta zmadhojmë, si ta fuqizojmë, si ta bëjmë më të dobishme për banorët e atij komuniteti. Gjithçka është për qytetarin dhe për komunitetin.

Zoti Rama ka zgjedhur Berishën, ndërsa unë kam zgjedhur qytetarin. Zgjedhjet janë bërë. Unë do jem me qytetarët. Ky zotëri nuk ka arritur të kuptoj kurrë qytetarin dhe rolin e tij. E keqja e madhe është se më kujton shpesh një roman, në të cilin personazhi thotë se iu desh gjithë jeta që ta pësonte për të mësuar atë që i kushtoi një jetë të tërë të dështuar. Pasi humbi thellë në vitin 2007 pavarësisht se thotë fitova, se për të ka rëndësi karrigia e Tiranës, por se humbi Partia Socialiste e doli 120 mijë vota më pak se në zgjedhjet e mëparshme s’ka rëndësi, pasi humbi në mënyrë dëshpëruese në vitin 2009, tani na çon sfidë dhe u thotë qytetarëve ju nuk ekzistoni, për mua ekziston vetëm obsesioni im dhe ky është Berisha.

Unë e garantoj se në vitin 2013 do t’i duket lule viti 2009, ndërsa në 2011 përgjigjen më të plotë do ta ketë nga zoti Basha. Zoti Rama, në panik, sapo e mori vesh se ne do bënim konventën për kryetarin tonë vrapoi të Balla i tij për të shpallur kandidaturën, se pati frikë mos nuk e voton forumi. Kanë tensione të mëdha. Megjithatë janë punët e tyre, ne nuk hyjmë farë në ato çështje. Ne, dhe unë tani, e hapëm fushatën e Tiranës me modelin e fushatës tonë.

Të nderuar drejtuese dhe drejtues të Partisë Demokratike,

Fushatën e Tiranës që kandidati ynë, ish ministri Basha, e paraqiti para qytetarëve të Tiranës mendoj se mishëroi në mënyrën më të shkëlqyer parimet themelore apo drejtimin themelor të fushatës sonë – për qytetarin, me qytetarin! Zoti Basha shpalosi alternativën më të  shkëlqyer të “Aleancës për qytetarin” në këto zgjedhje, alternativë e cila do të bazohet fund e krye në interesat, në vlerat, në problemet e qytetarit; alternativë e cila do të kristalizojë vizionin më të kthjellët të zhvillimit të bashkive dhe komunave tona; alternativë e cila është pritur me interesin më entuziast nga qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.

Tifozët kuq e zi brohoritjet e djeshme “Basha për Tiranën” nuk i bënë se Basha është ndonjë tifoz i madh, por i bënë për frymën dhe platformën qytetare që Basha shpalosi për ta, për fëmijët dhe familjet e tyre. Ai spontanitet është për tu respektuar. Ndaj dhe ju ftoj që ky model të studiohet. Ky është modeli ynë, modeli i fushatës sonë. Basha tha nuk e kam armik kundërshtarin, por unë jam qytetar, do të merrem me qytetarin, nuk do të merrem me kundërshtarin. Pra është  filozofia jonë kjo. Ne nuk ecim me klishetë e armikut. Ne kemi qejf të bëjmë publike fushatën dhe të shpallim. Ne e bazojmë atë te qytetari, te vlerat, te problematika. Dhe unë ju garantoj se do të vij në mënyrë intensive tek qytetarët tuaj, në komunat dhe bashki. Por, sigurisht, do të vij me zotimin solemn për të mbështetur kandidaturat tuaja, projektet që ato bëjnë. Unë do tu premtoj qytetarëve ato projekte që ju do të hartoni së bashku me ta. Sigurisht, programi për Tiranën është Tiranën dhe secili prej jush do t’i japë programit të tij dimensionet e komunitetit. Por programi që paraqiti zoti Basha është një program i shkëlqyer në sensin që mishëron plotësisht linjat tona dhe bën të sigurt që me datë 8 maj fitimtari më i madh të jetë qytetari shqiptar. Fitimtar të jenë ata që së bashku me qytetarin janë të vendosur të ndërtojnë dhe të hartojë projektin e të ardhmes 4 vjeçare, dhe më afatgjatë, të komunave dhe bashkive të vendit, Shqipërisë në tërësi.

Jam i sigurt se ecim drejt fitores më të bukur dhe më të thellë që kemi njohur që nga viti 1992. Është shumë e rëndësishme që pas 20 vjetësh të përsërisim atë kurore që do të shndrisë në shekuj si kurora e themelimit të sistemit demokratik në Shqipëri.

Faleminderit!”


27/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›