Kryeministri Berisha takon Zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të zgjerimit të BE, zotin Stefano Sannino
Kryeministri Berisha prit sot një takim, Zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të zgjerimit të BE, zotin Stefano Sannino.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Sannino për seminarin që po organizohet në Tiranë, mbi planin e veprimit të qeverisë për adresimin e 12 rekomandimeve të KE, duke i rikonfirmuar atij se integrimi evropian i Shqipërisë mbetet projekti më madhor kombëtar i këtij shekulli për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe se qeveria shqiptare është vendosur të bëjë çdo përpjekje për ecjen me shpejtësi përpara për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE.
Zoti Sannino e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe mbështetjen që qeveria shqiptare dhe Kryeministri Berisha po i japin këtij seminari, i cili do të shërbejë si një instrument për të krijuar një platformë të përbashkët pune, në plotësimin e detyrave të lëna nga 12 rekomandimet e KE, si dhe i rikonfirmoi atij mbështetjen e BE ndaj te gjitha reformave dhe perspektivës evropiane të Shqipërisë.
Zoti Sannino vlerësoi hapat dhe arritjet e rëndësishme të Shqipërisë, gjatë viteve të fundit, në të gjitha fushat e reformave prioritare, në veçanti, liberalizimin e vizave, te cilën e cilësoi si një arritje e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ne takim u theksua se realizimi i zgjedhjeve vendore të 8 majit, konform standardeve ndërkombëtare do te shënoje një hap te rëndësishëm përpara, ndaj thirrja e tryezës së partive politike ne parlamentin shqiptar nga mazhoranca u vlerësua si një ngjarje shumë pozitive, e cila është në funksion të dialogut politik parlamentar për të adresuar rekomandimet e OSBE-ODIHR-it që i drejtohen partive politike.
Kryeministri Berisha e risiguroi se qeveria shqiptare dhe mazhoranca ka si përparësi për këto zgjedhje vendore, arritjen e standardeve më të mira ndërkombëtare, për zgjedhje të lira dhe të ndershme,si dhe ka vënë në fokus interesin më të mirë të qytetarit ndaj dhe është plotësisht e angazhuar dhe po punon për arritjen e standardeve, duke plotësuar çdo detyrim ligjor dhe politik të shtruar para saj. Në këtë kontekst, kryeministri shtoi se përmbushja e detyrimeve ligjore, në kohë dhe me seriozitet edhe nga ana e opozitës ka rendësi themelore në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Në takim u theksua se shprehja e vullnetit pozitiv politik, jo vetëm nga maxhoranca, por edhe nga opozita është garanci shtesë, përkrah ligjit, për përmbushjen e të gjitha standardeve ndërkombëtare.
28/03/2011