E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret ministrin e Forcave të Sigurisë së Kosovës z. Agim Çeku

-          Shqipëria do t’i japë Kosovës mbështetje pa kufi për pjesëmarrje e integrim të saj në NATO dhe në çdo iniciativë tjetër ndërkombëtare apo rajonale.

Kryeministri Berisha priti sot në një takim ministrin e Forcave të Sigurisë së Kosovës z. Agim Çeku.

Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi lart progresin dhe reformat e bëra nga Forcat e Sigurisë së Kosovëë në fushën e sigurisë. Kryeministri e siguroi ministrin Çeku për mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme, me të gjitha kapacitetet në dispozicion, të shtetin shqiptar për forcimin e mëtejshëm të FSK-së. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria do t’i japë Kosovës mbështetje pa kufi për pjesëmarrje e integrim të saj në NATO dhe në çdo iniciativë tjetër ndërkombëtare apo rajonale.

Kryeministri Berisha vlerësoi, gjithashtu, si shumë të rëndësishme zhvillimin dhe koordinimin  në nivel rajonal të kapaciteteve në fushën e mbrojtjes, me qëllim përgjigjen në mënyrën më efikase të angazhimeve të përbashkëta apo nevojave të mbrojtjes dhe emergjencave civile. Kryeministri i shprehu ministrit Çeku falënderime për kontributin e FSK-së gjatë të dy përmbytjet në qytetin e Shkodrës.

Më tej, Kryeministri Berisha vlerësoi se prezenca e KFOR-it është një faktor shumë i rëndësishëm për mbështetjen e reformave dhe arritjen e standardeve më të larta nga Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Nga ana e tij, ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës z. Agim Çeku e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen, si dhe i mirënjohje për kontributin e mbështetjen e gjithanshme që qeveria shqiptare, në mënyrë specifike ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë, i kanë dhënë dhe po i japin Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Ministri Çeku e falënderoi Kryeministrin për mundësitë dhe hapësirat e mëdha që qeveria shqiptare ka krijuar për shkollim dhe trajnim e ushtarakëve nga Kosova në institucionet arsimore shqiptare. Ai theksoi, se Kosova po përpiqet të ndërtojë në fushën e mbrojtjes kapacitete që i përgjigjen nevojave të saj dhe atyre që janë parashikuar në kuadrin kushtetues e ligjor të bazuar mbi paketën Ahtisari.

Më tej, ministri Agim Çeku shprehu vullnetin e qartë të qeverisë së Kosovës dhe FSK-së për integrim të plotë në iniciativa dhe projekte me karakter rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes, përfshirë dhe NATO-n. Lidhur me këtë, ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës z. Agim Çeku kërkoi mbështetje maksimale nga qeveria shqiptare.

Gjatë takimit, ministri Çeku i uroi Kryeministrit Berisha një proces të suksesshëm zgjedhor.


25/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›