Kryeministri Berisha pret ministrin e Shtetit për Drejtësinë të Mbretërisë së Bashkuar, Lordin Tom McNally

Kryeministri Berisha priti sot në një takim ministrin e Shtetit për Drejtësinë të Mbretërisë së Bashkuar, Lordin Tom McNally.
Lordi McNally e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira të ekzistojnë ndërmjet dy vendeve. Ai nënvizoi se kjo vizitë në Shqipëri është një shtysë me tej në thellimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në disa aspekte, si në fushën e drejtësisë, në Shërbimin e Provës, në mbështetjen teknike në çështje të ndryshme në këtë fushë, etj. Lordi McNally vlerësoi arritjet pozitive që Shqipëria po bën në përmirësimin dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë.
Ministri i Shtetit për Drejtësinë në Mbretërinë e Bashkuar, McNally vlerësoi, gjithashtu, se Shqipëria është një vend shumë dinamik dhe ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Ai konfirmoi edhe njëherë vazhdimin e mbështetjes dhe asistencës nga qeveria britanike në rrugën drejt integrimit evropian.
Kryeministri Berisha falënderoi Lordin McNally për vizitën, si dhe për ndihmën e mbështetjen e gjithanshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë dhe vazhdon t’í japë Shqipërisë, por veçanërisht në ndihmën dhe mbështetjen për përmirësimin dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë, në luftën kundër krimit të organizuar, në zbatimin e ligjit për luftën kundër pastrimit të parave dhe krimeve të tjera në fushën ekonomike, etj. Kryeministri e njohu atë edhe me zhvillimet e arritjet e qeverisë shqiptare në sistemin e drejtësisë.
Duke nënvizuar rëndësinë e madhe që ka Mbretëria e Bashkuar në procesin e integrimit, Kryeministri Berisha u shpreh se pas anëtarësimit në NATO, anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet një nga prioritetet tona më të mëdha.
Pas interesimit nga ana e Lordit McNally për zgjedhjet vendore, Kryeministri Berisha e garantoi atë se, pas ngritjes së një sistemi transparent e të mirëorganizuar zgjedhor dhe të certifikuar nga faktori ndërkombëtar, ashtu si në zgjedhjet e shkuara qeveria do të bëjë gjithçka ka në dorë për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme më 8 maj.
25/03/2011