E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në seancën plenare të Kuvendit, mbi Progres Raportin e KE për Shqipërinë 2011

Zonja Kryetare,

zonja deputete,

zotërinj deputetë,

të dashur qytetare e qytetarë të Shqipërisë,

Dje, Komisioni Europian njoftoi vendimin e tij në Raportin vjetor, me të cilin informon shqiptarët dhe opinionin publik se Shqipëria nuk fiton statusin e kandidatit, për shkak të ngërçit, bojkotit politik të këtij vendi.

Së pari, dëshiroj edhe një herë të shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj Komisionit Europian dhe taksapaguesve të vendeve anëtare për ndihmën e tyre të jashtëzakonshme bujare që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, në këto 20 vjet, duke u shndërruar në donatorin kryesor të këtij vendi dhe duke bërë realitet me qindra e qindra projekte, në të gjitha fushat.

Së dyti, dua të garantoj qytetarët shqiptarë se çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit, kjo qeveri do të bëjë gjithçka, me përkushtimin më maksimal, për ta afruar vendin me Bashkimin Europian, do të bëjë gjithçka që procesi i integrimit të jetë një proces i parikthyeshëm. Në ndjesinë dhe besimin e çdo shqiptari, ky është një proces, në të cilin qytetarët e këtij vendi bëhen më të lirë, më të mëkëmbur e më të sigurt.

I gjithë përkushtimi ynë ndaj procesit të integrimit buron e do të burojë, frymëzohet e do të frymëzohet vetëm nga këto parime e interesa. Por që shqiptarët ta gëzojnë me dinjitet këtë proces, çdo qytetar i këtij vendi duhet ta marrë e ta pranojë si një proces të bazuar në meritë, si një proces të bazuar në performancë.

Qeveria shqiptare, në çdo aktivitet të saj, në çdo ligj e vendim, në çdo praktikë e udhëzim ka për guidë standardet europiane, afrimin e vendit me këto standarde. Të tilla kanë qenë e janë përpjekjet tona, në të gjitha fushat. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj ia kemi dalë që në rroga e pensione të lëmë mbara jo më pak se 2-3 vende anëtare të Bashkimit Europian. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj sot kemi në sistemin tonë arsimor, nivelet më të larta në Europë e në botë në rekrutimin e nxënësve në shkollat e mesme dhe rekrutimin e tyre në shkollat e larta. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj Shqipëria vrapoi në një vit, më të vështirin në historinë e botës, me 16 për qind në lirinë ekonomike. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj në kompetitivitetin,  treguesin e të gjithë treguesve, ky vend la mbrapa të gjitha vendet e rajonit, përfshi ndonjë prej tyre anëtar të Bashkimit Europian. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka pasur një rritje prej 316 për qind të investimeve të huaja, nga viti 2006-2010, sipas UNCTAD, ndërkohë kur në botë, ato janë ulur 37 për qind. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj vitin e kaluar, një vit kulmor krize, u investuan në këtë vend, 1 miliardë e 97 milionë dollarë nga investitorë të huaj dhe mbi 2 miliardë nga investitorë vendas. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj kemi regjistruar bizneset në kohën më rekord, të renditura në 10 vendet e para të botës. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj jemi në 10 vendet e para të botës për administratën publike më të lehtë. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj renditemi sot, në një nga vendet që garanton investimet e vendit e të huaja më mirë në Europë e në botë. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj ia kemi dalë që eksportet e këtij vendi të trefishohen në gjashtë vite. Ju që kërkoni të ndërtoni republikën e tregtisë, harrojeni, merruni sa të doni me banane dhe pastilie, ne do të ndërtojmë Shqipërinë e prodhimit. Shqipëria prodhuese është qëllimi ynë. Tre herë më shumë eksporte në 6 vite. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj sot, rroga minimale në këtë vend është 100 për qind më e lartë, sesa ishte pesë vjet më parë. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj rroga mesatare në vend është 120 për qind më e lartë se pesë vjet më parë. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj pensionet e fermerëve shqiptarë janë sot, 100 për qind më të larta se pesë vjet më parë. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj  pensionistët në qytet janë me të ardhura pensionale mbi 120 dollarë. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj Shqipëria është sot, vend anëtar i NATO-s dhe përmbush me dinjitet të gjitha detyrimet e saj. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj shqiptarët lëvizin sot, të lirë në mbarë Europën. Ky është zotimi ynë.

Por ka edhe një realitet tjetër. Në këtë sallë, si në asnjë vend tjetër në Euopë e në botë, e vetëshpallura opozita e miliarderëve voton kundër rritjes së rrogave, kundër rritjes së pensioneve, kundër uljes së taksave, kundër rritjes së ndihmës ekonomike. Shqiptarë, këta zotërinj nuk kanë bllokuar vetëm ligjet me 3/5, por kanë votuar kundër të gjitha ligjeve të votuara në këtë sallë dhe e kanë bërë këtë, vetëm e vetëm se e keqja juaj është e mira e tyre, vetëm e vetëm se këta duan të fërkojnë duart me papunësinë tuaj, me varfërinë tuaj, me rrogat tuaja të ulëta, me pensionet tuaja të ulëta, me izolimin tuaj. Është unike në historinë  e vendit e të Europës që një opozitë lufton nga mëngjesi deri në darkë, për të bllokuar vizat. Në memorien e çdo shqiptari, kjo do të mbetet si përpjekja më diabolike, që u bë nga ata që, për të justifikuar aktin e tyre absurd e të turpshëm, i thoshin njëri-tjetrit në kafene, pse si këmbët e dhisë u bënë të gjithë që të lëvizin pa viza, sepse vetë lëviznin me pasaporta diplomatike. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj sot, shqiptarët lëvizin të lirë, me dokumentet më të shkëlqyera në Europë, në zonën  e Shengenit.

Këto janë standarde të realizuara me mund, përpjekje e djersë. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj sot, shqiptarët do ecin në rrugë të reja nga maja e Çajupit në  Valbonë. Në katër vite, ndërtuam e rindërtuam 8 mijë kilometra dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë edhe 3-4 mijë të tjera. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj po hapim malet e po i japim çdo shqiptari të paktën 60 për qind të kohës.

Ju keni votuar kundër të gjitha këtyre. Ju keni votuar kundër çdo akti e veprimi që rriste sadopak të ardhurat, mirëqenien, jetën e qytetarëve shqiptarë.

Një ditë, në tempullin e Brukselit, një personalitet i shquar do të më thoshte: mirë ai, zotëri, se është kaq antishqiptar, po ata që e ndjekin në këtë mënyrë, çfarë janë. Përgjigja ime ishte se edhe ai, edhe ata janë shqiptarë, sepse atë që i kanë bërë shqiptarët, Shqipërisë, nuk ia ka bërë asnjë barbar. Atë që i ka bërë Enver Hoxha, Shqipërisë, nuk ia kanë bërë të gjitha pushtimet. Atë që i kanë bërë Toptanët dhe Haxhiqamilët, Shqipërisë, nuk ia kanë bërë të gjithë okupatorët. Atë që i kanë bërë shqiptarët, Shqipërisë, nuk ia ka bërë kurrkush. Kur unë u deklarova një herë, se këta jemi ne, shqiptarët, me këtë desha të them se unë nuk ju përjashtoj dot, ju jeni shqiptarë, jeni pjesë e këtij vendi, pjesë e këtij kombi. Ju nënshtroheni si skllevër. Kryetari juaj, pasi humbet me 141 mijë vota, ju thotë: bëmë gabim e do të votojmë gjithçka për integrimin dhe ju thoni: ‘Eureka’, ‘Rroftë kryetari’ se do të votojmë. Por pastaj, ai ju thotë prisni, do të votoni, por do një letër për Ina Ramën, do të votoni, por do të lajë hesapet me një pjesë tuajën këtu, me wikileaks dhe ju sërish nuk votoni.  Po, Wikileaks-in e ka me ju dhe veten e tij e për këtë lexoni kabllin e tmerrshëm. Jeni ulur prej tre muajsh këtu dhe talleni me veten tuaj dhe jo me shqiptarët, sepse shqiptarët e kanë kuptuar që ju nuk votoni. Ju nuk mund t’i mashtroni shqiptarët. I mashtruat dy vjet dhe ju dhanë atë meritonit, ju dhanë disfatën më të thellë që mund të ketë marrë një opozitë, në historinë e zgjedhjeve, i dhanë disfatën personale kryetarit tuaj me 10 907 vota më pak në Tiranë. Nuk ra ai, por ratë ju. Përveç njërin që e ka bërë hero, ju të tjerët as në lista nuk hyni më. Por ju vazhdoni!

Unë dua t’ju them juve, por edhe të gjithë bashkëbiseduesve të mi se mbetemi të vendosur e të hapur plotësisht për një bashkëpunim konstruktiv, mbi bazën e parimeve të shpallura. Por jam i bindur se ju nuk mundeni, sepse nuk ju lë zotëria e tij, i cili, në psikologjinë e etërve, nuk ka asnjë interes tjetër përveç ideologjisë atërore. Në mënyrë të përsëritur kam deklaruar se bllokmenizmi është ulur këmbëkryq në këtë anë. Unë nuk kam asgjë, me asnjë nga fëmijët, por kur fëmijët manifestojnë nga mëngjesi deri në darkë, vetëm trashëgiminë e etërve, vetëm se, ndërkohë që etërit tuaj bërtisnin ‘Poshtë imperializmi amerikan’, ‘Poshtë Europa’, sot, kryetari juaj nuk bërtet këtë, por i thotë gjithë botës ‘jo’ dhe ju e dini vetë se cili është fjalori i tij ndaj miqve e aleatëve të Shqipërisë dhe më pas bën letra nga më të pështirosurat që mund të ekzistojnë.

Këto nuk i kam për ju, por për shqiptarët. Për ju nuk kam asnjë fjalë. Për ju mbetem i hapur, në doni të ulemi për reformën zgjedhore, absolutisht dakord, në doni të ulemi për reformën e rregullores së parlamentit, absolutisht dakord, por harrojeni që kryetari juaj, atë që nuk e merr dot me votë, do të mund ta marrë me tryezë. Unë jua kam faktuar këtë. Ju vazhdoni tuajën dhe unë do të vazhdoj reformat, me të gjithë forcën time. Unë do të bëj gjithçka me mazhorancën dhe qeverinë time që ky vend të eci.

Qytetarë shqiptarë,

qeveria është e vendosur së pari, të ofrojë konsensus të plotë në komisionin e reformës zgjedhore, të punojmë me konsensus të plotë për reformën dhe, në qoftë se nuk doni këtë, hartoni të gjitha amendamentet, i dërgoni në Komisionin e Venecias dhe ODHIR-in dhe mazhoranca do t’i votojë një për një, ashtu si t’i sjellin ata. Së dyti, nëse doni të shqyrtoni rregullon e parlamentit, të ulemi që nesër, me cilindo komision të doni, të marrim e të shohim rregulloren e Parlamentit Europian. Por që t’u japim juve leva për bllokimin  votimit, këtë nuk e bëjmë. Ne kemi votuar mbi 400 ligje dhe do të miratojmë edhe 400 të tjera. Nëse doni rregulloren e Parlamentit Europian, plotësisht dakord. Ne nuk duam t’u cenojmë asnjë hapësirë të vetme. Por, nëse doni rregulla për të eliminuar parlamentin, kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Nëse doni rregulla për të dhunuar parlamentarizmin, kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Nëse doni të bëheni zëdhënës të Presidentit, bëhuni, por ne jemi shumica sovrane e popullit shqiptar dhe do t’i përmbahemi sovranitetit. Ju vazhdoni ashtu si të doni. Ne nuk ju diktojmë asgjë. Kjo është oferta jonë. Të jeni të sigurt se shqiptarët, ashtu siç e panë që bëtë gjithçka për të bllokuar vizat, ju dhanë 141 vota më pak, 2013 do të vijë shumë shpejt dhe do t’ju japin 330 mijë vota më pak. Ju vazhdoni të bërtisni ‘Rroftë kryetari’.  


13/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›