E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Decentralizimi, çështje vendimtare për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit

- Decentralizimi i jep një dimension të ri lirisë në tërësi dhe lirisë ekonomike në veçanti

Kryeministri Berisha foli në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave për decentralizimin, duke ritheksuar rëndësinë themelore të këtij procesi në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Duke vënë në dukje  se decentralizimi i jep një dimension të ri lirisë në tërësi dhe lirisë ekonomike në veçanti, kryeministri u shpreh se me shpejtësi brenda dy muajve do të merren të gjitha vendimet për një decentralizim të fuqishëm. “Qeveria qëndrore , përveç nëntokës, ujërave , rrugëve  kombëtare nuk do të mund të ketë asnjë lloj autoriteti në territoret e bashkive dhe te komunave të vendit. Janë ato me ligj dhe me kushtetutë administrator të territorit.” u shpreh kryeministri.

Kryeministri tha ndër të tjera se nuk ka mekanizëm ekonomik, financiar më me perspektivë se sa partneriteti public, privat, duke ftuar qeveritë vendore të jenë më të përfshira në këtë proces të rëndësishëm.

Duke folur më gjerësisht për këtë temë, kryeministri u shpreh:

“Në mbledhjen  e kaluar unë shtrova çështjen e decentralizimit. Kjo është një çështje vendimtare për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe qeveria qendrore, përveç nëntokës, ujërave , rrugëve  kombëtare nuk do të mund të ketë asnjë lloj autoriteti në territoret e bashkive dhe te komunave të vendit. Janë ato, me ligj dhe me kushtetutë administratorë të territorit. E them këtë për tre arsye, se pari duhet që të gjitha qeveritë vendore të vendit dhe për këtë tu çohet nga një shkresë,zoti Ministër i brendshëm, të depozitojnë sa më shpejt në ministrinë  e brendshme, çdo pronë që nuk u është rikthyer atyre.  Së dyti, pyjet, kullotat tu jepen të tëra qeverive vendore. Për parqet kombëtare do të ketë një marrëveshje, një statut, një rregullore të përbashkët. Për parkun kombëtar, jashtë kritereve, angazhimeve të përcaktuara nga ministria e mjedisit dhe qeveria, autoriteti vendor nuk mund të ndërmarrë vendime të tjera, por në parkun kombëtar dhe kudo, ai duhet të jetë zot i pasurive mbitokësore, gjahut, etj, pra i pasurive që rrjedhin prej tyre. Kur them parkun kombëtar, të tjerat pastaj nuk vihen në diskutim. Ne kemi komuna, kemi bashki, kemi qarqe, kemi prefektura që i kontrollojnë, si në çdo vend të botës, në besimin e plotë të tyre.

Donin të mbillnin një kodër me lajthi në Përrenjas dhe kur vinë në Ministrinë e Bujqësisë, burokrati i thotë se nuk lejohet, pasi ajo nuk është tokë bujqësore. Nuk kemi punë ne, as me kodra, as me lëndina. Këto i ka në përgjegjësi qeveria vendore. Ne përcaktojmë rregullat, bëjmë politikat, ne u themi kjo është mënyra se si do të administrohet. Ne se shkelet ligji, sigurisht që do të bëhen përgjegjës para ligjit. Pra, ky proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse ne mund tu them se ndofta nuk kemi mekanizëm ekonomik financiar më me perspektivë se sa partneriteti publik, privat. Mirëpo ata nuk e ushtrojnë atë. A e dini ju se sa ekzotike janë kërkesat e qeverisë vendore për partneritet publik, privat sepse dora  e gjatë e qeverisë qendrore nuk u ka lënë gjë atyre.

Ne me shpejtësi të madhe, brenda dy muajve do të marrim të gjitha vendimet për një decentralizim të fuqishëm. Për sa i përket taksave, zoti ministër, do tua përllogarisësh tërësisht ato të ardhura, qeverisë vendore dhe pastaj mënyra se si do të mblidhen do të realizohet në bazë të një marrëveshje me to. Për paketën fiskale patëm rënë dakord edhe me socialistët, por ato 6 ligje janë në parlament dhe që ka rrezik të jenë aty prapë, pasi nuk u votuan para zgjedhjeve të vitit 2009 se ai me mendonte që do të bëhej kryeministër, por ky është një tjetër problem. Pra taksat do të kalohen. Të bëjmë dhe decentralizimin e mëtejshëm fiskal. Ta vlerësojmë në shkallën maksimale një mjedis të ri për biznesin. Nuk ka në këtë kohë krize, modeli ynë rezistoi sepse ishte model i bazuar në lirinë ekonomike. Decentralizimi i jep një dimension të ri lirisë në tërësi dhe lirisë ekonomike në veçanti.


12/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›