E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret një delegacion të komunave të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës

Kryeministri Berisha priti sot në një takim, një delegacion nga komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, të kryesuar nga zoti Galip Beqiri Kryetar i Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare.

Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen delegacionit dhe i siguroi ata se qeveria  shqiptare do  të vazhdojë të mbështesë popullsinë e këtyre krahinave, në fushën e arsimit, me tekste shkollore për arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe me aktivitete për trajnimin e mësuesve të gjuhës shqipe. 

Gjithashtu, kryeministri u shpreh se do të vazhdojë mbështetja për kuota të vecanta për studentet nga këto troje, si dhe do të mbështeten nisma të tjera, të arsimit të lartë, duke dërguar pedagoge universitare për të zhvilluar ligjërata dhe kurse afatshkurtra.

Kryeministri theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor, si dhe respektimin e të gjitha lirive dhe të drejtave që burojnë nga konventat ndërkombëtare, të domosdoshme për një vend demokratik.

Nga ana e tij, zoti Beqiri  falënderoi kryeministrin Berisha dhe qeverinë shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme që tregon dhe parashtruan disa problematika që kanë të bëjnë me arsimin dhe shëndetësinë, me qëllim që edhe kjo krahinë të zhvillohet si gjithë krahinat e tjera.


13/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›