E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në tubimin përmbyllës të fushatës elektorale në Tiranë

“Qytetarë dhe qytetare të Tiranës.

Qytetarë dhe qytetare të Shqipërisë.

Mirëmbrëma nga Tirana blu.

Tirana e fitores.

Tiranë  integrimit.

Tirana e zhvillimit.

Tirana e së ardhmes.

Qytetarë dhe qytetare të Tiranës, popull shqiptarë, përshëndetjet më të përzemërta, më vëllazërore, mirënjohjen më të thellë, ndaj të gjithë atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, të gjithë qytetarëve  nga Gjirokastra, Vlora, Fieri, Berati, Korça, Elbasani, Durrësi, Lezha, Shkodra, Peshkopia, Kukësi nga të gjitha qarqet, të gjitha rrethet, të gjitha qytetet, të gjitha fshatrat,  kudo që jeni sonte përshëndetjet me vëllazërore.

Qytetarë dhe qytetare shqiptarë.

Populli i vendit tim.

Uragani i fitore sot më gjigand se kurrë në sheshin e Tiranës është uragani i dashurisë, i respektit, i mirëkuptimit për çdo shqiptarë pavarësisht nga bindjet politike, është uragani i shpresës, i besimit tek njëri-tjetri, besimit tek e ardhmja, është uragani i forcës suaj.

Qytetarë shqiptarë,  të të gjitha bindjeve politike, të forcës suaj për të ecur përpara në rrugën e zhvillimit, të forcës suaj për të ecur sëbashku përpara në rrugën e mirëqenies,  të forcës suaj për të ecur sëbashku përpara në rrugën e punësimit, të forcës suaj për të ecur bashkë përpara për të bërë Tiranë, për të bërë Shqipërinë, për të bërë qytetet dhe fshatrat e saj, Tiranë të zhvilluar, Shqipëri të zhvilluar, fshatra dhe qytete të zhvilluara.

Qytetarë dhe qytetare të Tiranës. Popull shqiptarë.

Ora e madhe po afron, le të bashkohemi ne, gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë, që i besojnë vetes, i besojnë njëri- tjetrit, i besojmë Zotit, i besojmë Shqipëri, se me punën tonë, me mundit tonë, me djersën tonë do të ecim përpara, do të ecim drejt zhvillimit, drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Sonte në këtë shesh jemi mbi gjysmë milioni, por me datën 23 duhet të jemi të gjithë sëbashku  dhe unë jam këtu për tu garantuar juve, se ne ëndrrën më të bukur të shqiptarëve, ëndrrën e Shqipërisë vend i zhvilluar, Shqipërisë Zonjë, siç e quante Sami Frashëri, do ta bëjmë realitet, për çdo shqiptarë, pavarësisht nga bindjet e tij.

Qytetarë dhe qytetarë të mbarë Shqipërisë.

Bashkohuni me Tiranën në uraganin e saj për të ecur përpara drejt mirëqenies, të shndërrojmë në realitet ëndrrën tonë, për një jetë më të mirë. Vota juaj do të jetë votë për mirëqenien, fitorja juaj do të jetë fitore për rroga më të larta, për pensione me të larta, fitore për vende pune, për të gjithë shqiptarët, fitore për të rejat dhe rinjtë e Shqipërisë, të cilët do të vendosin Shqipërinë në shinat e dijes, të cilët do të ndërtojnë Shqipërinë siç kanë ëndrrën e tyre të bukur, të cilët do të ndërtojnë shtëpinë e tyre në një Shqipëri të zhvilluar, Shqipëri Europiane.

Të reja dhe të rinj shqiptarë, të të gjitha bindjeve, bashkohuni me ne,

për një shkollim më të mirë, për shkollim më cilësor. Punësimi juaj, talenti juaj, energjia juaj do të jenë leva e Arkimedit për Shqipërinë e zhvilluar. Ju jeni energjia, ju jeni entuziazmi, ju jeni pasioni, ju jeni vizioni i Shqipërisë së viteve që vijnë.

Të reja dhe të rinj të Shqipërisë.

Shkollimi dhe punësimi juaj është përparësia më madhore. Ëndrrat tuaja do të bëhen të vërteta. Katër vitet që vijnë çdo i ri do të punësohet, dhe tre vjet pa asnjë  taksë dhe çdo i ri i kualifikuar do të punësohet, çdo i ri me profesion do të ketë kredite të buta, në të katër anët e Shqipërisë në fshatra e qytete. Ne do të ndërtojmë çdo shkollë që ka mbetur pa ndërtuar, do të ndërtojmë terrene sportive në të katër anët e vendit.

Nëna, motra, vajza dhe gra shqiptare, ju që keni qenë gjithmonë mbështetja kryesore e demokracisë, ju që keni qene gjithmonë në krye të projekteve tona për lirinë, dinjitet, mirëqenie, zhvillim dhe integrim, bashkohuni me ne pavarësisht nga bindjet partiake, dinjiteti juaj është dinjiteti ynë, rroli juaj është përparësia jonë, forca juaj është vendimtare për zhvillimin e  shoqërisë. Së bashku do të bëjmë betejën më të madhe, betejën legjendë kundër murit të patriarkisë, do të shembim mure do të ngushtojmë hendeqe, do të luftojmë si njerëz të lirë midis të lirëve për barazinë e gruas me burrin, e  vajzën me djalin, e vëllait me motrën, e  nenës me babain. Progres të pamohueshëm kemi arritur këto vite, por progresi më i madh është i domosdoshëm, ndaj dhe të bashkohemi katër vitet që vijnë për të zhvendosur në një horizont tjetër rolin tuaj, për të bërë gjithçka për gratë tuaja, paprekshmërinë tuaj, për të bërë gjithçka për karrierën tuaj.

Biznesmen dhe biznesmene të Shqipërisë

Pavarësish nga bindjet tuaja, me 23 qershor bashkohuni me ne, se bizneset tuaja i rriten. Ju gra dhe burra të mençur, guximtarë dhe punëtorë, por bizneset tuaja i rritët ju, sepse patët dhe do të keni gjithnjë e më të gjërë  lirinë ekonomike, taksat e ulta, taksa e të dhjetave është taksa, që do të mbetet përgjithmonë në Shqipëri.

Katër vjeçari i ardhshëm do të jetë katërvjeçari i partneritetit të madh, midis jush dhe nesh, me të cilin ne do të shpejtojmë zhvillimin e Shqipërisë, krijimin e dhjetëra mijëra vendeve pune ne biznese e të gjitha kategorive në industri.

Biznesmen dhe biznesmene shqiptarë

Bashkohuni me ne Shqipërinë turistike, ta bëjmë vendin më të preferuar të turizmit në Europë. Taksa e industrisë turistike do të përgjysmohet menjëherë pas zgjedhjeve, fitorja është taksë  e ulët për ju.

Fermerë dhe fermere të Shqipërisë.

Zotërit e kësaj toke, të cilën ju e bëni çdo ditë më të bekuar, çdo ditë më pjellore.

Gratë dhe burra punëtorë, që me djersën tuaj ushqeni tokën tonë, bashkohuni me ne pavarësisht nga bindjet partiake, sepse ne do të bëjmë gjithçka për suksesin tuaj, të fermave tuaja , do të trefishojmë grandet do të paguajmë gjithçka me para në dorë, për gjërat materialet që ju përdorni për prodhimin. Me ne sëbashku Shqipërinë ju do ta shndërroni në kopshtin më të  bukur të Europës jug-lindore.

Të rinj, të reja, studentë, studente, burra, gra, të moshuar, shqiptarë të të gjitha bindjeve politike, ky uragan ju fton vëllazërish, njerëzish, të bashkoheni me ne, në rrugën tonë drejt të ardhmes Europiane. Rruga drejt Europës është e ardhmja e ndritur për çdo shqiptarë, për fëmijët tanë për fëmijët e fëmijëve tanë.

Le të bashkohemi ne sëbashku të marrim statusin e vendit kandidat gjatë këtij viti me reforma e përpjekje të mëdha do të bëjmë gjithçka për të hapur negociatat.

Miqtë e mi.

Ëndrrat tona janë ëndrra fisnike, janë ëndrra që bëhen gjithnjë e më shumë të vërteta, por shumë kemi për të bërë e për ti bërë ato realitet.

Zonja dhe zotërinj, qytetarë dhe qytetare shqiptarë, popull shqiptarë bashkohuni me uraganin e Tiranës, bashkohuni me ne, sëbashku katër vitet që vijnë të bëjmë çdo reformë për të liberalizuar vizat me vendin e madh të lirisë, SHBA.

Ndaj dhe edhe njëherë thirrja ime vëllazërore të bashkohemi të gjithë me shpresën tek e ardhmja, shpresë që unë e gjeta në të katër anët e Shqipërisë. E gjeta në Sarandë e Delvinë, e gjeta tek fermerët e Myzeqesë, fermerët e Dumresë, të Elbasanit, Gramshit, Shkodrës, Peshkopisë, Durrësit dhe Korçës, e gjeta tek biznesmenët, e gjeta tek të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi, tek gratë dhe burrat e tij.

Le të bashkohemi  ne me energjitë tona, entuziazmin tonë, të ecim përpara drejt zhvillimit të ecim sëbashku  drejt integrimit të bashkohemi  me 44-trën,  numrin e fatit, numrin e  bekuar të të ardhmes.

Miqtë e mi

44 është viti i jetës sime, por unë bekimin më të madh të tij dhe të Zotit e konsideroj faktin se Zoti dhe 44 me dhanë mundësi mua të jem shërbëtori juaj, të jem shërbëtor  i përvuajtur, besnik i palëkundur i  interesave, i aspiratave, idealeve tuaja.

Ky është bekimi më i madh i zotit dhe vitit  44 për Sali Berishën.

Ndaj dhe le te ecim sëbashku në rrugën e së ardhmes, rrugën e Zotit, rrugën e fatit.

Rroshi ju.

Qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.

Zoti e bekoftë vullnetin tuaj të datës 23 qershor.

Zoti ju bekoftë  ju fëmijët tuaj.

Zoti e bekoftë flamurin tonë,  Shqipërinë dhe kombin.

Fitore. Fitore. Fitore!”


21/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›