Fjala e Kryeministrit Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, në mbledhjen e kryesisë së PD-së

Kryeministri Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, mblodhi sot pasdite kryesinë e Partisë Demokratike, ku u diskutua mbi organizimin dhe përgatitjet për fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha prezantoi edhe sloganin “NE JEMI NDRYSHIMI – PËRPARA!”, me të cilin do të hapet fushata elektorale e këtyre zgjedhjeve.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Të nderuar anëtarë të kryesisë së Partisë Demokratike,
Mirëmbrëma ju, të gjithë anëtarëve, simpatizantëve, mbështetësve të Partisë Demokratike në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, por edhe gjithë qytetarëve shqiptarë. Një përshëndetje të përzemërt dhe një urim tjetër për Vitin e Ri 2013, viti i fitores spektakolare të Partisë Demokratike, aleatëve të saj, viti i mandatit të tretë të forcës sonë politike dhe mazhorancës aktuale.
Qëllimi i kësaj mbledhje është hapja e përpjekjes së madhe të anëtarëve, simpatizantë, mbështetësve, drejtuesve, e fushatës së tyre elektorale për mandatin e tretë. Ne shkojmë drejt 23 qershorit më të vendosur se kurrë për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, për një proces zgjedhor që të nderojë vullnetin e lirë të çdo qytetari shqiptar. Ne kemi besim të plotë te kuadri i ri ligjor që u miratua me unanimitet, te trashëgimia e shkëlqyer. Më duhet t’u pohoj shqiptarëve se pavarësisht nga histeria primitive ‘hap kutitë’, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Brichambaut, do të deklaronte në zyrën time se "Shqipëria ka sistemin më të saktë në botë të numërtimit të votave". Ky është standardi shqiptar në numërimin e votave. Dhe është ky standard që ka bërë që dy zgjedhjet e fundit të japin rezultate autentike të vërteta me vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Është ky standard, i cili bëri të mundur në maj të vitit 2011 rrëzimin e "murit" të Bashkisë, duke u treguar shqiptarëve dhe botës votë për votë, në pesë kamera televizive, vullnetin e qytetarëve të Tiranës.
Unë jam, gjithashtu, shumë optimist se zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme, pasi maturia demokratike e qytetarëve shqiptarë është ndër maturitë e larta. Këto vite e kanë bërë qytetarin shumë të ndjeshëm ndaj votës së tij, ndaj vullnetit të tij. Këto vite kanë zhvilluar dhe ngulitur te shqiptarët besimin te demokracia dhe vlerat e saj, një besim shumë më i lartë sesa mund të mendohet rëndom. Këto vite kanë qenë vitet e krijimit të Shqipërisë, të plazmës demokratike të shoqërisë shqiptare, që është edhe klasa e mesme. Ajo përbën në të gjitha shoqëritë e këtij sistemi shtyllën kryesore të ndërtimit dhe funksionimit të sistemit demokratik, mbështetjen themelore ndaj tij.
Ne shkojmë të sigurt drejt një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Disa shenja paraprake nuk janë kaq premtuese, përsa i përket kundërshtarit. Ka një panik, i cili shprehet nga kthimi i filxhanit në kafen e Shefikatit çdo mëngjes, tek bllokimet e KQZ-së apo statistikat e Koços. Çdo njeri ka të drejtë të prodhojë statistikën që do, të kthejë apo të mos kthejë filxhanin, por nuk ka të drejtë të bllokojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kur ky komision voton për t’i dhënë fund një problemi serioz që ka ekzistuar, atë të tejzgjatjes së procesit të numërimit. Amerika voton me 150 milionë votues dhe mbarë bota e merr vesh në orët e para të mëngjesit se cili është Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara. Nxjerrja e rezultatit në Shqipëri vonohej për shkak tërësor të një mase burokratike e lidhur me 66 qendra numërimi, sikur ato nuk mund të ishin 166, por sikur zbritën nga qielli ato 66. Për t’i dhënë përgjigje kësaj vonese, që me të drejtë i përflet zgjedhjet, kjo masë kishte vetëm një synim: t'a bëj më të shpejtë procesin. E bllokuan, Kolegji Zgjedhor e kuptoi që problemi kryesor dhe qëllimi kryesor ishte bllokimi, ndaj dhe i dha përgjigjen më të vendosur përpjekjeve për bllokim të pamerituar nga pjesëtarët e KQZ-së. Sepse në rast se ne përcaktuam 3/5 në shumicën e vendimeve dhe bëmë shumë mirë, duke zgjeruar vendimet që opozita ka minorancë bllokuese, kjo nuk do të thotë që do të bllokohet procesi. Ligjvënësi ka përcaktuar rrugët e zhbllokimeve. Por pavarësisht nga kimizmi, pavarësisht nga emotiviteti, pavarësisht nga raporti përmbys i adrenalinës tek kundërshtari ynë, zgjedhjet do të përgatiten me seriozitetin më të madh edhe do të jenë një proces i lirë dhe i ndershëm.
Ndërkohë, ne shkojmë drejt zgjedhjeve si koalicioni më i fuqishëm në historinë e vendit. Në zgjedhjet e vitit 2009 Partia Demokratike dhe aleatët e saj dolën koalicioni i parë. Krijuam koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe unë mendoj se ky koalicion ka funksionuar në përputhje të plotë me zotimet dhe angazhimet e tij para qytetarëve shqiptarë. Ky koalicion me reformat e tij bëri të mundur lëvizjen e lirë për shqiptarët. Ky koalicion bëri të mundur një seri reformash të tjera, të cilat mbrojtën ekonominë shqiptare nga recesioni, garantuan rritjen ekonomike. Shqipëria këtë 4-vjeçar ka pasur rritjen më të lartë ekonomike, si vend. Ky koalicion u shndërrua në një lokomotivë të heqjes së imunitetit dhe të të gjitha reformave për integrimin e vendit. Kolicioni ynë është zgjeruar me Partinë Demokristiane dhe po zhvillon tratativat me parti të tjera, mirëfillta të qendrës së djathtë, por edhe të qendrës së majtë, për t’u paraqitur ashtu siç presin qytetarët shqiptarë më 23 qershor, si koalicioni më i madh.
Në kampin tjetër, mosbesim dhe kaos i vërtetë, për të mos thënë dorëzim përpara ditës vendimtare të betejës. Thirrje këtij dhe atij, - "aman bashkohuni se nuk fitojmë". A thua se të gjithë kanë preokupim karrigen e Edi Ramës. Sot i bën thirrje dhe duket i vetmi aleat që i ka mbetur, me ç’shoh unë, është Bamir Topi. Se ajo fjala e tij Fatos (anëtar i kryesisë) që i tha “mos u hiq si i virgjër” nuk do të thoshte se kanë fjetur në një shtrat, por, siç e di ti me eksperiencën tënde të vjetër në politikë, ajo do të thoshte se kanë ngrënë në një çanak, te klubi i Ashikut. Pra shkon në zgjedhje vetëm me njeriun që, më falni për shprehjen, i nxori edhe zorrët nga gazi Sokol Ballës kur i tha “se President më ka bërë Berisha me zor”. Por le t’i lëmë në virgjinitetin dhe zhvirgjinitetin e tyre. Ne ecim pas çdo vote në çdo skaj të këtij vendi.
Zotërinj anëtarë të kryesisë,
Ne ecim të sigurt drejt një fitoreje të merituar, sepse këtë mandat, i cili në tërësinë e tij në klimën ekonomike të krizës të Evropës, kanë qenë vitet më të vështira për vendet e zhvilluara të Evropës, ekonomia shqiptare ruajti rritjen ekonomike dhe ritmet e punësimit. E patë, të nderuar anëtarë kryesie, se ku përfundoi autori bis i 1 milionë shqiptarëve të papunë. Kur mora vesh unë se këtë të Ramizit e paska rishkruar disa herë Barjaba i Ramës. Pra në këtë vend, siç pohon Komisioni Evropian, papunësia jo vetëm që nuk u rrit, por pati ulje progresive. Në këtë vend investimet e huaja të përvitshme, tre vitet e fundit, kanë qenë mbi 1 miliard dollarë. Në këtë vend buxheti ka njohur rritje progresive nga viti në vit. Në këtë vend të ardhurat buxhetore kanë njohur rritje progresive nga viti në vit. Buxheti i këtij viti është më i madhi në historinë e vendit, gjë e cila është e paimagjinueshme në kushte recesioni. Por pikërisht se ka rritje ekonomike, ka rritje të buxhetit.
Zotërinj anëtarë të kryesisë,
Ky është mandati në të cilin ne kemi investuar më shumë se në tërë ekzistencën tonë për qytetarët shqiptarë. Sepse në qoftë se në mandatin e parë përqëndrimi ishte total në interesin kombëtar, se ai duhet të jetë gjithmonë i pari, në këtë mandat përqendrimi total ishte në interesat personale të qytetarëve shqiptarë në rrugë, rrugica, kanalizime, ujësjellës. Ju e dëgjuat një ditë Gramoz Ruçin në Parlament ku më tha “nuk ke ndërtuar asnjë kilometër rrugë”. Në BlackBerry-in (telefonin) tim vërshuan nga të katër anët e Shqipërisë, dhjetëra dhe qindra mesazhe ku më thoshin “le të vijë të shoh rrugën e re në Golem, të shohë rrugën e re në Çajup, të shohë rrugën e re në Vithkuq, të shohë rrugën e re në Kodovjat dhe në Poroçan, në të katër anët e Shqipërisë”. Pra, kurrë ndonjëherë nuk është investuar më shumë për qytetarin shqiptar sesa në këtë mandat. Paralel me të shkon liria e lëvizjes në Shqipëri për shkak të rrugëve, liria e lëvizjes me Evropën për shkak të vizave.
Këtë mandat ka pasur rritje ndër më të mëdhatë të rrogave dhe pensioneve. Këtë mandat ka patur një hop të madh, të paparë e të paimagjinueshëm, në turizmin e vendit. Shqipëria turistike, realiteti më madhor i këtij mandati, fakt që ka shndërruar ekonominë turistike në degën kryesore të ekonomisë shqiptare.
Shqipëria dixhitale është produkti tjetër madhor i politikës sonë. Ju garantoj se në Shqipëri sot ka një shkallë dixhitalizimi të procedurave ndër më të lartat. Dhe se shpejti po ecim drejt sportelit unik për qytetarin, ky qytetari në portalin e qeverisë të marrë të gjitha shërbimet dhe informacionet.
Ky mandat, të nderuar anëtarë të kryesitë dhe të dashur qytetarë shqiptarë, ishte mandati i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Çdo shqiptar pati fatin e madh të festojë këtë 100 vjetor i lirë, me dinjitet, të festojë këtë 100 vjetor me një vizion të qartë si kristali për të ardhmen e Shqipërisë dhe kombit shqiptar, për të ardhmen e shqiptarëve të bashkuar si komb dhe idealin e tyre evropian. 100 vjetori i pavarësisë ishte një vit, në të cilin u rivendosën në piedestalet e veta të gjitha ngjarjet, personalitetet që ne u detyrojmë këtë 100 vjetor, por mbi të gjitha ideali i bashkimit kombëtar u shndërrua në lider të vërtetë të mbarë shqiptarëve. Kurrë ndonjëherë ky ideal nuk ka pasur forcën, fuqinë, entuziazmin që krijoi në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Zonja dhe zotërinj,
Procesi i bashkimit kombëtar të shqiptarëve është jetik për paqen dhe stabilitetin e rajonit, është jetik për të ardhmen e kombit shqiptar. Në rast se padrejtësitë historike i ndanë shqiptarët në 5-6 shtete, kjo nuk do të thotë kurrë se do të ecet drejt 5-6 kombeve shqiptare, sepse kjo do të ishte rruga e shfarosjes graduale të shqiptarëve. Ndaj dhe ata, siç kanë ditur në momentet më kritike të qëndrojnë së bashku, tani janë njëqind herë më të vetëdijshëm për rëndësinë jetike vendimtare të së ardhmes së tyre “bashkimi njëri me tjetrin, bashkimi me Evropën”. Askush nuk duhet të shqetësohet nga ky proces. Por, në radhë të parë unë ftoj shqiptarët të vendosin besimin te ideali i bashkimit kombëtar, fill pas besimit te Zoti. Sepse ata që i besojnë një ideali, ata e ndërtojnë atë çdo minutë. Gjithmonë idealet janë për t’u ndërtuar. Ata e ndërtojnë atë çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit deri në finalizimin e qëllimit, në realizimin e tij.
Ndaj dhe Partia Demokratike, si një forcë politike që javën e parë shpalli si yll të saj polar çështjen kombëtare, erdhi në vitin e 100-vjetorit të pavarësisë si forcë politike besnike e palëkundur e këtij ideali, i cili përbën dhe idealin kryesor të ndërtimit të së ardhmes së kombit shqiptar. Bashkimi i shqiptarëve njeri me tjetrin do të jetë një proces fatlum edhe për fqinjët, të cilët do të çlirohen nga albanofobia e akumuluar në dekada dhe shekuj ndaj shqiptarëve, për faktin e vetëm se janë vendosur në trojet dhe territoret e tyre.
Shqiptarët nuk kanë asnjë rivendikim. Ata duan paqe, duan bashkëpunim, por ata nuk janë dhe nuk mund të jenë absolutisht të prirur të pranojnë qëndrime albanofobike ndaj tyre. Dhe sa më afër të jemi njeri me tjetrin, aq më pak do mendojnë t’i trysnojnë ata kudo që janë, për faktin e vetëm se janë shqiptarë. Nuk mundet askërkush të ketë komplekse ndaj flamurit të tyre. Nuk mundet askërkush të ketë komplekse ndaj përpjekjeve të tyre për bashkim. Nuk mundet askërkush të ketë komplekse ndaj kulturës së tyre të lashtë. Ne nuk i kemi ato ndaj të tjerëve. Ndaj dhe ky 100-vjetor ishte një frymëzim i madh për shqiptarët në Shqipëri dhe në të gjitha trojet e tyre etnike, për të parë përpara të vendosur, të udhëhequr nga ideali i shenjtë i tyre, ideali i bashkimit kombëtar, i bashkimit me Evropën.
Zonja dhe zotërinj anëtarë të kryesisë, qytetarë dhe qytetare shqiptarë,
Natyrisht ky është një proces afatgjatë dhe nuk ndodh as me shkop magjik, as me “deus ex machina”. Ky proces madhor, universal bazohet në qindra dhe mijëra procese të tjera, pengesa për t’u zhdukur, të krijuara gjatë një shekulli; bazohet në një përpjekje mbarë kombëtare dhe jo vetëm të shqiptarëve në trojet e tyre etnike, por të shqiptarëve në mbarë botën. Partia Demokratike është e vendosur të bëjë gjithçka që shqiptarët, kudo që ndodhen, të ndjehen Një në kombin e tyre.
Natyrisht, duke mbështetur fuqimisht këtë proces duhet të deklarojmë haptas, ndonëse gjithnjë është interesi i parë, por kjo elektorale do zhvillohet në respekt të disa interesave më imediate, më afatshkurtra të qytetarëve shqiptarë, siç janë punësimi, investimet, siç është arsimi, siç është sistemi shëndetësor, siç janë shërbimet, furnizimi me ujë, Shqipëria - superfuqi energjetike rajonale, Shqipëria - superfuqi rajonale e ICT-së dhe e Soft-it. Pra, duhet të jenë këto drejtimet me të cilat ne paraqitemi. Dhe sa më shumë të realizojmë ne nga këto shtylla programi, aq më përpara avancojmë qëllimin tonë të bashkimit kombëtar, të bashkimit me Evropën.
Duhet të rikujtoj këtu një thënie të Vuk Drashkoviç, shkrimtar e politikan serb, i cili disa vite më parë tha: "Lërini, me se do të bashkohen ata, me shtigje dhish që i lidhin njeri me tjetrin?” Dhe aq gabim s'e kishte. Tani kemi ndërtuar rrugën e Kombit, por shqiptarët presin me padurim hekurudhën e Kombit, të cilësisë më të lartë. Dhe aq sa dukej e pamundur rruga, kur ne e nisëm atë, po kaq e pamundur duket hekurudha sot. Kur ta nisim, do ta sosim. Kjo është e vërteta dhe sigurisht në mandatet e ardhshme.
Pra, u ndala në këtë se “Shqipëria vend i zhvilluar” është interesi jetik i mbarë shqiptarëve dhe projekti ynë do të jetë projekti i fazës vendimtare “Shqipëria vend i zhvilluar”. Le të bëjmë gjithçka ne për t’ia arritur këtij qëllimi.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, zotëri dhe zonja, anëtare të kryesisë,
Në qoftë se hedhim një vështrim në këtë vend, ajo që bën përshtypje më shumë se çdo gjë janë vilat dhe ndërtesat e reja. E vërteta është se Censusi tregoi se shqiptarët ndërtuan në vitet e fundit banesa për veten e tyre më shumë se çdo komb evropian, përveç një vendi, në tridhjetë vjet. U ndala tek ky shembull, sepse krahasuar me statistikën evropiane rezulton se shqiptarët, të cilët në vitin 2001 kishin banesa për 1 mijë banorë më pak se çdo komb tjetër në Evropë në vitin 1980, në vitin 2011 tejkalojnë në banesa për 1 mijë banorë 5 kombe të zhvilluara Bashkimit Evropian dhe anëtare të OECD-së.
U ndala tek ky moment për të theksuar se cili është kontributi i jashtëzakonshëm i qytetarëve shqiptarë në projektin “Shqipëria e zhvilluar”. Asnjë qeveri, as dhe qeveritë e vendeve të mëdha, nuk do mund të ndërtonin një numër kaq të madh banesash në një kohë kaq të shkurtër sa kanë ndërtuar me mundin, djersën dhe sakrificën e tyre qytetarët shqiptarë. Rritja e Shqipërisë, zhvillimi i saj është para së gjithash vepër e qytetarëve. Të gjithë ata që ngrihen kundër kësaj rritje në emër të betejës me Sali Berishën, harrojnë se kjo është një betejë me qytetarët, është një betejë me kontributin e qytetarëve shqiptarë, është një betejë kundër mundit dhe djersës së tyre, betejë për të përbaltur atë kontribut historik që ata dhanë për shkëputjen e Shqipërisë nga prapambetja mesjetare dhe nxjerrjen e saj në dritën e zhvillimit.
Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka që të detajojmë projektin “Shqipëria vend i zhvilluar”. “NE JEMI NDRYSHIMI – PËRPARA!” do të jetë slogani ynë, sepse ky slogan shpreh më bukur se çdo slogan tjetër realitetin që ne kemi krijuar, vizionin që ne paraqesim. Një herë dhe njëmijë herë po ta mendosh nuk mund të gjesh cilësim dhe kualifikim tjetër përveçse “NE JEMI NDRYSHIMI – PËRPARA!”. Unë jam i sigurt se nën këtë moto shqiptarët do të bashkohen njëlloj si në vitin 1992. Vizionin e tyre nuk ka mur që mund ta gjymtojë, forcën e tyre të ndryshimit nuk mund ta pengojë asgjë. Ndaj dhe me moton “NE JEMI NDRYSHIMI – PËRPARA!” do të hapim fushatën elektorale, fushatën e fitores së shkëlqyer në 23 qershor të vitit 2013.
Faleminderit!”
10/01/2013