Kryeministri Berisha përshëndet ceremoninë e organizuar me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit shqiptar

Kryeministri Berisha përshëndeti sot ceremoninë zyrtare me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit shqiptar, e cila organizohet në kuadrin e një serie aktivitetesh dedikuar këtij Jubileu.
Kryeministri Berisha uroi me këtë rast, në emër të qeverisë shqiptare të gjithë efektivët e policisë së shtetit, burra dhe gra, dhe vlerësoi përkushtimin e tyre, ndjenjën e lartë të atdhetarisë, profesionalizmin e dëshmuar, që i bën ata të përmbushin me nder dhe dinjitet misionin e tyre të rëndësishëm.
Një mirënjohje dhe nderim të veçantë, kryeministri drejtoi për të gjitha ata, oficerë, efektiva, punonjës e inspektorë të policisë së shtetit, të cilët gjatë këtyre 100 viteve dhanë jetën në krye të detyrës, në mbrojtje të rendit, jetës, qetësisë e pasurisë së qytetarëve shqiptarë.
Duke u fokusuar në vitet e fundit të punës së policisë, e cila funksionon tashmë mbi ligje, norma dhe standarde të reja kryeministri tha se ky institucion i ka bërë vendit dhe kombit shërbime të jashtëzakonshme. “Shqiptarët admirojnë tek ju shkallën jashtëzakonisht të lartë të zbulimit, goditjes, cka bën një dekurajim dhe i bën të pashpresë revanshin e krimit në Shqipëri. Ju jeni bërë në kohë një partner i shkëlqyer i policisë simotra i të gjitha vendeve të rajonit dhe të Evropës.” u shpreh kryeministri.
Me vlerësimin më të madh për kontributin e policisë së shtetit në bashkëpunimin ndërkombëtar të Shqipërisë, Kryeministri Berisha shprehu bindjen se eksperienca dhe arritjet e mëdha pozitive të këtij 100 vjetori, do të zhvillohen në të ardhmen në interesin më të mirë të të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, Ministri i Brendshëm, zoti Flamur Noka, Prokurori i Përgjithshëm, zoti Adriatik Llalla, Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, zoti Hysni Burgaj, si dhe drejtues dhe efektivë të policisë së Shtetit, përfaqësues të trupit diplomatik dhe të ftuar të tjerë.
Përshëndetja e kryeministrit Berisha:
“Është një nder i madh, kënaqësi e veçantë , të uroj sot në emër të qeverisë shqiptare të gjithë gratë dhe burrat e policisë së shtetit, të cilët me një përkushtim të madh, me ndjenje të lartë atdhetarie, profesionalizëm të shkallës më të lartë, vijnë sot në këtë jubile, krenarë për përmbushjen me nder dhe dinjitet të misionit të tyre të rëndësishëm.
Por unë sot duhet të përulem me nderimin më të madh para qindra e qindra oficereve, efektivave, inspektorëve, punonjësve të policisë së shtetit që gjatë këtyre 100 vjetëve ranë për tu bërë të pavdekshëm në mbrojtje të rendit , të qetësisë , së jetës, së pasurisë së qytetarëve shqiptarë.
Dua tu shpreh mirënjohjen më të thellë, nderimin më të madh familjeve të tyre.
Si institucion themelor i një shteti, policia shqiptare do të themelohej javët e para të themelimit të shtetit të pavarur shqiptar. Ajo do të përballej me një situatë ndër më kaotiket dhe më të vështirat, por do të bënte gjithçka për të dhënë kontributin e vet në ndërtimin e Shqipërisë së pavarur. Historia e shtetit është dhe historia e institucioneve të tij. Policia dhe shteti njohu zhvillime të fuqishme pas viti 1920 dhe në vazhdim. Në mënyrë të veçantë pas vitit 1925 ajo u reformua nga ekspertë të Scotland Yardi-t dhe të policive ndër më të shquarat të kohës. Ajo arriti në një kohë të shkurtër të fitojë një reputacion, i cili ruhet edhe sot në memorien e policisë shqiptare, por edhe të shqiptarëve.
Natyrisht, siç theksova ajo ndjek historinë e shtetit dhe është e destinuar e tillë. Ne regjime të lira ajo është një mbrojtëse e lirive dhe të drejtave të njeriut, nga krimi dhe faktorë të tjerë. Ne regjime diktatoriale ajo është element i diktaturës dhe mbron interesat e saj. Por policia shqiptare ka një meritë historike pas rënies së perdes së hekurt. Ajo ishte një nga institucionet e para që u angazhua në mënyrën më serioze në reformimin e vendit.
Funksionimi i saj bazohet në ligje te reja, në norma dhe standarde të reja, por funksionimi i saj bazohet para së gjithash në përkushtimin, trimërinë, vendosmërinë, e efektivave të saj.
Në këto vite i keni bërë vendit dhe kombit shërbime të jashtëzakonshme. Pa punën tuaj ,pa përkushtimin tuaj , pa vendosmërinë dhe trimërinë tuaj, pas vitit 2005 në luftën kundër bandave të cilët në simbiozë me pushtetin u bënë famëzeza në mbarë Evropën, pas shpartallimit dhe çmontimit, vendosjes para ligjit të bandave të Aldo Bares, Nehat Kullës, Lul Berishës dhe 206 grupeve dhe organizatave të tjera kriminale, të cilat bënin ligjin në rrugët, portet, aeroportet dhe institucionet e vendit, Shqipëria, shqiptarët nuk do të ishin dot anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Me përkushtimin, seriozitetin tuaj ju më mirë se çdo institucion tjetër përmbushët detyrimet tuaja në procesin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve dhe u shndërruat me punën tuaj të shkëlqyer ju bëtë që ai skepticizëm që ekzistonte ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve për heqjen e vizave, të zhdukej sepse ju faktuat që shteti duhet të marrë në menaxhimin e kufijve, teknologjitë më të avancuara, analizën më të mirë të riskut dhe jeni bërë në kohë një partner i shkëlqyer i policisë simotra i të gjitha vendeve të rajonit dhe të Evropës. Policia e shtetit ka sot një shkallë të lartë profesionalizmi. Shqiptarët admirojnë tek ju shkallën jashtëzakonisht të lartë të zbulimit, goditjes, çka bën një dekurajim dhe i bën të pashpresë revanshin e krimit në Shqipëri.
Por ju të dashur punonjës dhe punonjëse të policisë së shtetit keni një meritë të veçantë, jashtëzakonisht të rëndësishme. Ligji i vendit ju ka ngarkuar ju disa detyra speciale në procesin zgjedhor dhe në këtë proces ju jeni më të mirët, në përmbushje e detyrimit tuaj ligjor.
Ndaj dhe unë ju shpreh edhe njëherë nderimin tim, kënaqësinë time, për sukseset e mëdha që keni arritur në këtë 100 vjetor, vlerësimin tim më të madh për kontributin tuaj, në bashkëpunimin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe bindjen time se eksperienca, arritjet e mëdha pozitive të këtij 100 vjetori, ju do ti çoni më përpara në interesin më të mirë të emrit tuaj, të kombit shqiptar, të Shqipërisë.
Gëzuar edhe njëherë 100 vjetorin e Policisë së Shtetit!
Ju faleminderit.
13/01/2013