Fjala e Kryeministrit dhe Kryetar i Partisë Demokratike Sali Berisha në Konferencën e PD-së për degën e Tiranës
Delegate dhe delegatë të Konferencës së Partisë Demokratike, të degës Tiranë,
Të nderuar drejtues të degës së PD-së të Tiranës,
Zonja Kryetare e Parlamentit,
Zotërinj ministra,
Të dashur qytetare e qytetarë të Tiranës,
Vëllezër e motra,
Zonja dhe zotërinj,
Së pari, dëshiroj që, në këtë Konferencë, të përulem me nderimin më të thellë para qytetareve dhe qytetarëve të Tiranës, të cilët, 4 vjet më parë, me votën e tyre historike, vendosën kthesën e madhe të Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Ishte Tirana, ajo që përfaqësoi fitoren e madhe dhe të thellë, ishte Tirana që, me votën e saj, firmosi realizimin e projekteve të mëdha të qytetarëve të saj dhe të mbarë kombit. Katër vitet që shkuan, Tirana, me votëbesimin e saj, vendosi përgjegjësitë më të mëdha mbi mazhorancën aktuale. Le të shprehim edhe një herë mirënjohjen më të thellë, nderimin më të madh dhe respektin më të palëkundur ndaj të gjithë atyre, burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që katër vjet më parë, sollën në pushtet qendrën e djathtë shqiptare, lokomotivën e vërtetë të reformave, integrimit, prosperitetit dhe demokracisë. Të falënderojmë qytetarët e Tiranës, por edhe të mbarë Shqipërisë që 4 vjet më parë, votuan për Shqipërinë e sigurt, për Shqipërinë, ku qytetarët, fëmijët, vajzat, burrat e gratë e saj të enden të lirë dhe të qetë në rrugët, rrugicat e sheshet e vendit, votuan për një Shqipëri tjetër, të padominuar nga Nehat Kulla dhe bandat e tjera. Sot, Tirana është kryeqyteti i një vendi me tregues kriminaliteti, qartësisht, më të ulët se mesatarja e vendeve anëtare të Bashkimi Europian.
Katër vjet më parë, qytetarët e Tiranës votuan që Tirana të shndërrohet në një metropol europian, ashtu siç janë aspiratat dhe ëndrrat e qytetarëve të saj. Katër vjet më pas, Tirana është kryeqyteti i një vendi anëtar të NATO-s. Katër vjet më pas, Tirana është kryeqyteti i vendit që ka aplikuar për anëtarësim në BE. Katër vjet më pas, Tirana është kryeqyteti i vendit, qytetarët e të cilit brenda një viti do të marrin të drejtën të lëvizin në mbarë Europën pa viza.
Tirana, djepi i ëndrrave dhe projekteve europiane të shqiptarëve, i sheh ato, sot, më realitet se kurrë më parë. Tirana, në këto 4 vite, udhëhoqi vendin dhe kombin në reformat më të thella dhe transformuese në historinë e saj, të cilat bënë të mundur, si në asnjë vend tjetër, që të mbajmë premtime që, katër vjet më parë, dukeshin të paimagjinueshme. Ishin reformat dhe lufta kundër korrupsionit ato që bënë të mundur dyfishimin e pagave për mësuesit e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, infermierëve dhe mjekëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, pensionistëve të mbarë vendit.
Në këto katër vjet, Tirana ishte kryeqyteti i vendimeve dhe reformave të mëdha historike, të cilat e vendosën Shqipërinë në një horizont të ri dhe lartësuan emrin e saj sa asnjëherë më parë.
Ne e shndërruam vendin në një kantier të vërtetë ndërtimi dhe po e bëjmë Shqipërinë me një infrastrukturë tërësisht të re. Jemi këtu për t’u zotuar se 28 qershori do të shembë murin e fundit që ka mbetur në Tiranë, murin e ndërtuar me lejet e ndërtimit dhe korrupsionit të tyre. Qytetarët e Tiranës duhet ta dinë se qeveria që unë kryesoj ka 5-fishuar grantin për qytetarët e kryeqytetit dhe në këtë 5- fishim nuk përfshihen ndërtimet e mëdha, si nyja hyrëse e Kamzës, një nga më të bukurat që mund të ekzistojë dhe as rrethrrotullimi te sheshi Rilindja dhe një seri veprash të tjera.
Qeveria që unë kryesoj është e vendosur t'i japë kryeqytetit infrastrukturën më moderne. Edhe një herë i kërkoj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës të dorëzojë projektin e unazës së madhe të qytetit dhe ne jemi të gatshëm ta përfundojmë atë, brenda një viti. Ne jemi të gatshëm të zgjidhim në një kohë rekord problemet e trafikut të këtij qyteti. Ne jemi të vendosur të nxisim biznesin dhe zhvillimin e tij në kryeqytetin e vendit. Një seri parqesh industriale janë planifikuar në zonat përreth Tiranës, ku do të punësohen dhjetëra e mijëra qytetarë të saj. Vepra të tjera shumë të rëndësishme në infrastrukturën e saj do të nisin së shpejti, si rruga që lidh Elbasanin me Tiranën, jugun me Tiranën, veriun me Tiranën.
Ne angazhohemi për t’i dhënë kryeqytetit tonë të bukur të gjitha tiparet e një metropoli madhështor europian, për t’i dhënë atij jo vetëm fizionominë, por edhe të gjitha atributet e një kryeqyteti të një vendi të zhvilluar, një vendi me jetë dhe optimizëm.
Tirana, sot, është kryeqyteti i vetëm që nuk njeh krizën në Europë dhe kjo për shkak të meritës së qytetarëve të saj dhe të politikës së drejtë, të ndjekur nga qeveria ime.
Delegate e delegatë të Konferencës së Tiranës,
Sot, ne, vërtet, kemi procedurat partiake të zgjedhjes së organeve drejtuese, por sot, kemi edhe startin e fuqishëm të fitores së ardhshme. Sot, nga kjo Konferencë, ne zotohemi se do ta bëjmë Tiranën në çdo qelizë të saj blu dhe fitimtare.
Sot, ne zotohemi se fitoren e 2005-s do ta zgjerojmë në një masë të paimagjinueshme.
Sot, ne zotohemi këtu, se Tirana e 28 qershorit, përsa i përket votës, do të jetë Tirana e vitit '92, Tirana e ëndrrave, Tirana e NATO-s, Tirana e fitores, Tirana e zhvillimit. Tirana do t’i prijë Shqipërisë drejt një fitoreje të dytë të madhe historike, që do ta vendosë atë në horizonte të reja, do ta zhvillojë në nivele të reja.
Rroftë Tirana!
Rroftë Shqipëria!
18/05/2009