Gjermania do të mbështesë fort Shqipërinë në rrugën e integrimit europian
Kryeministri Berisha priti sot nënkryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate në Bundestag-un e Republikës Federale të Gjermanisë, Z. Walter Kolbow.
Në takim u bisedua mbi intensifikimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike. Kryeministri Berisha e njohu Z. Kolbow me masat e marra nga qeveria, që e kanë bërë Shqipërinë një vend shumë atraktiv për biznesin e huaj dhe në këtë kuadër, investitorët gjermanë janë të mirëpritur.
Z. Koblow theksoi se Shqipëria është bërë një vend shumë i sigurt në rajon dhe kjo është një arritje e rëndësishme e kësaj qeverie. Siguria është një avantazh shumë i madh i vendit tuaj, të cilin, - theksoi z. Kolbow - ne po ia bëjmë të njohur biznesit gjerman.
Z. Kolbow vlerësoi pranimin e Shqipërisë në NATO si një arritje të madhe, e cila përbën edhe një fondament të rëndësishëm për fitimin e statusit të vendit kandidat të BE. Ai theksoi se Gjermania do ta mbështesë fort Shqipërinë në rrugën e integrimit europian.
Kryeministri Berisha vlerësoi edhe bashkëpunimin e frytshëm me Fondacionin Friedrich Ebert dhe fondacionet e tjera gjermane dhe shprehu gatishmërinë për intensifikimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.
18/05/2009