E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryetares së Kuvendit gjatë takimit me banorë të Rubikut

 

I nderuar zoti kryetar i Bashkisë të Rubikut
Të nderuar banorë,
Të nderuara zonja, vajza, të rinj,
Për mua është një kënaqësi e vëçantë që jam sot këtu. Unë ju falenderoj që ju keni ardhur edhe pse është një ditë me shi. Unë ju them me kënaqësinë më të madhe dhe me krenarinë më të madhe, se ashtu siç shkoj në çdo komunë tjetër, në çdo qytet tjetër, në çdo bashki tjetër edhe këtu vij dhe gjej të listohet një listë e gjatë investimesh të bëra të mundura dhe të kthyera në realitet vetëm në këto 3 vitet e fundit.
Kryetari i bashkisë tha se në bashkinë tuaj janë tetëfishuar grantet. Në fakt të njëjtën gjë gjej në çdo komunë, në çdo fshat, në çdo qytet të vogël apo të madh; pësëfishuar, tetëfishuar dhjetëfishuar një listë e gjatë investimesh, rrugësh, ujësjellësish, ndërtimesh të spitaleve, të shkollave, të kopshteve të të gjitha llojeve.
Në fakt shkoj në fshat dhe gjej një Shqipëri ndryshe, shkoj në rrugë rurale dhe gjej një Shqipëri ndryshe, shkoj në rrugë nacionale dhe gjej një rrugë ndryshe, shkoj në veri dhe gjej një Shqipëri ndryshe, shkoj në jug dhe gjej  një Shqipëri ndryshe. Sot nuk kemi më një Shqipëri të fshatit dhe një Shqipëri të qytetit, nuk kemi një Shqipëri të majtë dhe një Shqipëri të djathtë, nuk kemi një Shqipëri të veriut dhe një Shqipëri të jugut, por kemi vetëm një Shqipëri, një Shqipëri që po ndryshon dita-ditas, një Shqipëri që është bërë anëtare e NATO-s, një Shqipëri që po integrohet, një Shqipëri që pas një viti do të bëjë të mundur që ju baballarët, nënat, prindërit që keni fëmijët në Itali, në Greqi, në Gjermani të lëvizni pa viza dhe ju do të lëvizni pa viza, për të parë fëmijët tuaj. Ky është premtimi ynë, ju do të lëvizni pa viza për të parë nipërit tuaj. Ne kemi përgatitur projektin tjetër të madh të mandatit të ardhshëm.
Anëtarësimi i Shqipërisë më të drejta të plota në NATO ishte diçka gati e paimagjinueshme një vit e gjysmë përpara, por ndërkohë që ne anëtarësojmë Shqipërinë me të drejta të plota në NATO, kryetari i Bashkisë së Tiranës bën protesta, pikërisht pas marrjes së ftesës në NATO. Ndërkohë që ne rrisim rrogat  në Parlament për arsimtarët, për infermierët, për administratën, ata votojnë kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve. Ndërkohë që ne sjellim një buxhet shtesë në Parlament mbi 200 milion dollarë, 300 milion dollarë të cilat do të shkojnë për Shqipërinë, do të shkojnë për fshatin, qytetin, shkollën, spitalin, ata votojnë kundër buxhetit shtesë. Ne sjellim në Parlament dhe votojmë një buxhet të dyfishuar, ndërsa ata votojnë kundër.
Ne i themi që pas një jave do të shkojmë dhe do të aplikojmë për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, ata thonë jo, mos e bëni këtë. Ne themi se do të vazhdojmë të rrisim rrogat, ata thonë jo, ky është faj, ju nuk mund ta bëni këtë. 
Në fakt, kjo është një diferencë që nuk do e donim.
Në mandatin e ardhshëm të tjera projekte të mëdha zhvillimi vendi ynë do të ketë. Kurrë Shqipëria nuk e ka parë veten kaq të ndryshuar dhe siç thotë një ndër personalitet më të rëndësishme të Kombeve të Bashkura: Unë nuk njoh një vend tjetër që të ketë bërë një rrugë kaq të gjatë, në një kohë kaq të shkurtër prej 4 vitesh, siç e ka bërë Shqipëria.
Në çdo fshat, në çdo komunë, në çdo qytet,  ne kemi vendosur që gjatë kësaj periudhe të mos lemë asnjë lagje, asnjë fshat, sado i vogël që të jetë, jo më komuna apo qytete, për të vazhduar për të dëgjuar sugjerimet tuaja dhe kryesisht për të parë projektet tuaja në mënyrë që në mandatin e ardhshëm ti kthejmë në realitet, ashtu siç kemi kthyer në realitet atë që ne prekim, atë që ne shohim: Shqipërinë që ndryshon.
Unë ju falenderoj dhe ju uroj suksese në punën tuaj,
Ju uroj shëndet në familjet tuaja dhe ju falenderoj për ftesën që më keni bërë për të ardhur këtu.
Ju uroj një fitore më të madhe në zgjedhjet e 28 qershorit.  
Rroftë Rubiku!
Rrofshi ju!
Edhe një herë ju falenderoj dhe ju lutem shkoni dhe aplikoni për kartat e identitetit. Nuk ka gjë më të rëndësishme sesa kjo në këtë moment. Nuk ka gjë më të rëndësishme sesa të bëhen zgjedhjet më të mira që janë bërë ndonjëherë  në këto 18 vjet, por për këtë ju duhet të shkoni të aplikoni dhe Qeveria ka marrë të gjitha vendimet për të bërë të gjitha uljet për të marrë kartën e identitetit. Eshtë një kartë e lirë, por që vlen shumë, është një kartë e lirë, por që është gjeja më e shtrenjtë, që ne do të na duhet për zgjedhjet e lira dhe për të lëvizur pa viza.
Unë do tju isha mirënjohëse nëse ju ftoni miqtë, familjarët, të dashurit tuaj, për të shkuar e për të marrë kartën një minutë e më përpara.Falemnderit edhe një herë!

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›