Fjala e Kryetares së Kuvendit, zonjës Jozefina Topalli në aktivitetin e organizuar për festën e nënës
Ju falënderoj të gjithave!
Ju falënderoj që keni ardhur sot këtu!
Në mënyrë të veçantë është një festë krejt ndryshe nga festat e tjera. Është festa më e bukur, është festa më e ëmbël, është festa më madhështore. Është dita e nënave tona.
Gëzuar festën të dashura nëna!
Gëzuar të gjithave!
Gëzuar fëmijëve, për nënat e tyre të mrekullueshme!
Unë asnjëherë në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit nuk kisha organizuar një takim të tillë. Ky është takimi i parë dhe kur unë ju shoh të gjithave këtu, gra nga Fieri, gra nga Shkodra, gra nga Laçi, gra nga Lezha, gra nga Librazhdi, gra nga Durrësi, gra nga Tirana. Janë gratë që unë i kam takuar në të gjitha qytetet.
Përshëndetje të gjithave!
Unë ju falënderoj!
Ju keni qenë gjithkund së bashku me mua, në çdo takim që ne gjatë këtyre ditëve kemi bërë në të gjithë Shqipërinë. Kanë qenë takimet më të veçanta. Unë mendoj se kanë qenë takimet më të vërteta. Takime të thjeshta, të sinqerta, por të dashura.
Unë gjithmonë kam besuar se ne gratë jemi më të privilegjuarat e kësaj bote. Gjysma tjetër e Shqipërisë nuk e ka atë që ne Zoti na ka dhuruar, vazhdimësinë e jetës, lindjen e fëmijës.
Nuk ka gjë më të bukur se sa kur e mban në krah, ashtu siç e mbani ju. Nuk ka gjë më të bukur se sa përkëdheljet e buta të pafundme të nënës. Nuk ka gjë më të bukur se sa kur nëna rri gjithë natën zgjuar mbi kokën e fëmijës, kur ai është i sëmurë, edhe kur qan, edhe kur qesh, edhe kur nëna nuk e di se çfarë ka, edhe kur e kupton se kërkon diçka shumë të veçantë.
Në fakt, gjatë gjithë kësaj periudhe unë kam takuar gra të ndryshme. Ato janë nga qytete të ndryshme, nga rrethe të ndryshme, me interesa të ndryshme. Por, pavarësisht nga ndryshimet që kemi pasur me njëra-tjetrën ne kemi një gjë të përbashkët, është gjuha që na lidh me fëmijën, me vajzën tonë, djalin tonë. Dhe kjo një gjuhë është e fortë, është gjuha e dashurisë sonë, është gjuha e dashurisë, por edhe e sakrificës. Unë diku kam lexuar se prehri i nënës është akademia më e madhe e botës. Unë këtë e besoj plotësisht.
Nëna është mësuesja më e mrekullueshme. Është mësuesja e dashurisë. Është mësuesja e dhembshurisë.
Nëna është ajo që e ndjek fëmijën e saj, që kur fillon të hedhë hapat e para. Dhe, pastaj, duke u dridhur kur forcon hapin. Pastaj kujdeset se mos gabon. Pastaj duke i forcuar shpirtin dhe duke e ndjekur deri më një.
Jeta është me ngritjet dhe me uljet e saj. Jeta nuk është gjithmonë e lumtur, nuk është gjithmonë e bukur. Unë nuk e kam parë nënën time kurrë të ankohet, asnjëherë. Përkundrazi, nuk e kam parë kurrë të dorëzohet, sepse është nënë. Dhe kjo është ajo që unë do të bëj për fëmijët e mi, dhe besoj se secila prej jush për fëmijët tuaj, sepse fëmijët tanë mendojnë se ne jemi të forta, të hekurta, sepse ne nuk mërzitemi kurrë, nuk dorëzohemi kurrë.
Por edhe ne kemi momente. Sepse edhe kur qajmë, edhe kur mërzitemi, edhe kur qeshim, themi: Do të vazhdojmë përsëri. Do të vazhdojmë dhe do të vazhdojmë.
Unë ju falënderoj për gjithë mbështetjen tuaj, gjatë gjithë kësaj periudhe!
Por, është e vërtetë se nëna është deputetja e parë, sepse nënat mendojnë vetëm për shëndetin e fëmijës, për shkollën e fëmijës. Kush është timonieria më e fortë në familje?
Edhe në momentet më të vështira, edhe kur qesh, edhe kur nuk qesh, edhe kur bashkëshortin e ka në emigracion, edhe kur është nënë me fëmijë, ajo është timoriere. Nuk dorëzohet kurrë, dhe nuk i lë të kuptojë kurrë fëmijës se ajo ndoshta nuk ka para, se ajo ndoshta nuk ka mundësi për tia bërë qejfin në çdo gjë që fëmija e saj dëshiron.
Ndaj edhe unë jam sot këtu për tju thënë nënave: Gëzuar festën!
Jeni të mrekullueshme. Jeni më të mirat. Dhe në emër të fëmijëve ju them: falemnderit për kontributin tuaj!
Për çdo sakrificë, për çdo përpjekje, për çdo ditë, për çdo natë kur ju keni qenë në kokën e fëmijës, duke i keni parë drejt e në sy, duke i parë kur rriten. Ajo po bëhet e re, pastaj ajo do të bëhet nënë. Dhe pastaj e sheh veten edhe gjyshe. Megjithatë, momenti më i bukur, më i paharrueshëm, i papërsëritshëm, është ai moment kur e mban fëmijën në prehër dhe ndërsa ai sheh ëndrra, ti si nënë mendon se si do të mund ta ndihmosh për ti realizuar ato.
Falemnderit!
Falemnderit të gjitha grave!
Unë ju përgëzoj dhe ju them një fjalë, burrat mund të jenë të majtë dhe të djathtë, gratë janë demokrate, demokrate dhe vetëm demokrate!
Ju falemnderit!