E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Presidentit Topi në takimin “Bashkëpunimi ndërkombëtar në Deklarimin e Pasurive dhe Parandalimin e Konfliktit të Interesave – një instrument kundër korrupsionit”.

3 maj 2010

Përshëndetje të gjithëve!

E nderuar zonja Topalli, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë,
I nderuar zoti Kryetar i Inspektoriatit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, zoti Llalla,
Ministra e ambasadorë,
Përfaqësues të nderuar të institucioneve homologe dhe të atyre qendrore,
Përfaqësues të medias,

Është padyshim një kënaqësi e veçantë që marr fjalën në këtë takim mjaft të rëndësishëm që organizohet nga një institucion, i cili është shumë i rëndësishëm në infrastrukturën institucionale të një shteti demokratik, sikurse është Institucioni i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë. Padyshim, në vlerësimin e këtij e një institucioni është një nga arritjet e rëndësishme të periudhës së transformimit në institucionet e reja të kohës së demokracisë, dhe padyshim është një nga standardet e arritura në kuadrin e integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane. Unë, me këtë rast do të përgëzoja drejtuesin e këtij Institucioni, të gjithë punonjësit e këtij institucioni, të cilët përveç një arritjeje në progresin konstant që kanë bërë gjatë këtyre viteve, kanë zgjeruar edhe gjeografinë e bashkëpunimit.

Në këtë kontekst, ky institucion merr vlera të reja edhe për punonjësit e këtij institucioni për t’i inkurajuar ato që të zgjerojnë bashkëpunimin me institucione homologe, pasi problem me korrupsionin natyrisht nuk mund të jenë më të izoluara, ato kanë gjithmonë tendencën që të zgjerohen e të kamuflohen dhe në kuadrin e këtij bashkëpunimi që ne kemi me vendet e Evropës Juglindore, me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, patjetër kërkohet domosdoshmërisht që të bashkëpunojnë edhe në linja të tilla, sikurse është bashkëpunimi me disa institucione të deklarimit e të konstatimit të pasurive.

Krijimi i institucioneve të pavarura dhe profesionale në kontrollin dhe deklarimin e pasurive erdhi me një mision të madh dhe shumë të nevojshëm: të ndajë shtetin dhe shoqërinë nga modelet e kastave korruptive dhe të prodhojë më shumë besim, transparencë dhe përgjegjësi për zyrtarët që udhëheqin në emër të qytetarëve. Shoqërite në zhvillim, që janë në konsolidim të vlerave të rëndësishme politike dhe demokratike, që janë në përballje me sfida të rëndësishme integruese, e kanë shumë të nevojshme krijimin e një modeli zyrtarësh që ofrojnë ndershmëri, aftësi, profesionalizëm drejtimi dhe transparencë. Zyrtarët zgjidhen në emër të qytetarëve, bëjnë karrierë me besimin e tyre, mandatohen për t’u shërbyer atyre dhe duhet të jenë gjithmonë të gatshëm të përballen me kritikat dhe ankesat e qytetarëve që i kanë zgjedhur. Fenomeni i kundërt do të dobësonte demokracinë.

Qytetarët duhet ta dinë me hollësi se kush i drejton, kush i qeveris, çfarë modeli zyrtarësh përfaqësojnë ata që takojnë në zyrat e shtetit, që nga komunat e deri tek Presidenti. Por, është akoma më e rëndësishme, distancimi i qartë i shtetit nga çdo zyrtar, i çfarëdo rangu politik e shtetëror, që ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga posti që mban. Kjo është fryma e shtetit ligjor, ky është shpirti i demokracisë, kjo është edhe sfida kryesore e institucioneve tuaja në raport me publikun.

Mendoj se është e rëndësishme të theksoj këtu, se lufta kundër korrupsionit nuk është ekskluzivitet i institucioneve tuaja, barra për të evidentuar dhe luftuar korrupsionin dhe abuzimin me detyrën nga funksionarët e shtetit nuk është përgjegjësi vetëm e juaja. Shteti funksionon si i tërë, ku çdo përbërës i tij kryen funksionet e caktuara në ligj, por njëkohësisht edhe në mënyrë të ndërvarur. Që këtej, dëshiroj të theksoj se nevoja për bashkëpunim me institucionet e tjera të shtetit është një domosdoshmëri për të bërë të mundur zbatimin e ligjit dhe rritjen e efiçensës së veprimtarisë së institucioneve tuaja.

Personalisht, e konsideroj mjaft të gjetur dhe të dobishme që përfaqësues të institucioneve të konfliktit të interesave dhe deklarimit të pasurive nga vende të rajonit, por edhe më gjerë, të diskutojnë në mes tyre dhe gjejnë mjete dhe metoda efikase për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive fenomeneve negative që shoqërojnë konfliktin e interesave. Ky takim është në vazhdën e përpjekjeve që shtetet kanë ndërmarrë për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin për shkëmbimin e eksperiencës dhe praktikave më të mira, edhe në fusha të tjera, dhe unë e vlerësoj në mënyrë të veçantë faktin që një takim i këtij niveli të lartë dhe me përfaqësues dinjitozë, të organizohet në Tiranë. Me këtë rast, dua të falenderoj organizatorët e këtij takimi, si dhe të gjithë ju që i jeni bashkuar dhe keni përkrahur këtë inisiativë! Edhe ky fakt tregon se Shqipëria bën përpjekje intensive për të përmirësuar vetveten, në luftë kundër korrupsionit dhe të japë kontribut rajonal dhe më gjerë. Nga ana tjetër, pjesëmarrja juaj tregon vlerësimin tuaj që ta konsideroni Shqipërinë partnere në luftën globale kundër fenomeneve negative.

Gjej rastin të shpreh opinionin tim se takime të kësaj natyre duhet të jenë më të shpeshta, ku të trajtohen probleme të tjera që lidhen me shtetin ligjor. Mendoj se kemi se çfarë t’i ofrojmë njëri-tjetrit dhe çfarë të bisedojmë e përmirësojmë në legjislacionet tona. Në këtë drejtim, fakti që në këtë takim marrin pjesë vende që janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe vende që aspirojnë për t’u anëtarësuar në këtë bashkim, është një mundësi më tepër për vendosjen dhe konsolidimin e standarteve të njëjta, gjë e cila, natyrisht, i vlen qëllimit të konsolidimit të një familje të madhe vlerash.

Unë besoj dhe ju uroj që ky takim të jetë një hap i rëndësishëm më tej në përpjekjet tona të përbashkëta për të konsoliduar bashkëpunimin dhe për të gjetur forma të reja të tij, në luftë kundër korrupsionit! Po ashtu, uroj që ky takim të ndiqet nga të tjerë, për diskutimin e problemeve të tjera me interes të përbashkët dhe në ndihmë të procesit tonë të integrimit europian!

Ju falenderoj edhe njëherë për ftesën dhe i uroj punime të mbara takimit tuaj!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›