E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron Presidentin e sapozgjedhur të Kosovës z. Behgjet Pacolli

Kryeministri Berisha i ka dërguar sot një mesazh urimi Presidentit të ri të Kosovës z. Behgjet Pacolli, me rastin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë.

Në këtë telegram Kryeministri Berisha shprehet:

“I nderuar zoti President,

Zgjedhja Juaj në pozicionin e Presidentit të Kosovës më jep kënaqësinë e veçantë, që, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, t’Ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për sukses në misionin e lartë e të rëndësishëm përpara.

Republika e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës kanë korrur arritje të mëdha historike gjatë kësaj periudhe dhe unë ruaj besimin se, si President i shtetit më të ri të Europës, Ju do të sillni një kontribut të ri në konsolidimin e mëtejshëm të këtyre arritjeve dhe në shndërrimin e Kosovës në një faktor edhe më të rëndësishëm paqeje e stabiliteti dhe promovuese të miqësisë e të bashkëpunimit në rajon.

Gjej rastin t’Ju siguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht jemi tërësisht të angazhuar dhe të vendosur për të ndërtuar marrëdhëniet më të shkëlqyera e vëllazërore dhe për të shndërruar bashkëpunimin e ngushtë e të gjithanshëm ndërmjet të dyja vendeve në shembullin më kuptimplotë të bashkëpunimit, në shërbim të forcimit të paqes, promovimit të miqësisë, zhvillimit e mirëqenies jo vetëm të kombit shqiptar, por të të gjithë popujve të rajonit, si dhe për ecjen përpara në rrugën e përbashkët euroatlantike.

Duke shpresuar t’Ju pres së shpejti në Tiranë, dëshiroj t’Ju ripohoj sigurimet e konsideratës sime më të lartë.

 Juaji,

Sali BERISHA”


23/02/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›