Qeveria miraton dëmshpërblimin e 408 ish të dënuarve politikë të regjimit komunist
Këshilli i Ministrave miratoi sot një tjetër vendim për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist.
Vendimi përcakton masat e dëmshpërblimit për 408 ish të dënuar politikë të regjimit komunist, kërkesat e të cilëve kanë përmbushur kriteret ligjore dhe që kanë vuajtur dënimin e kryer me burg nga data 30.11.1944 deri më 01.10.1991, si dhe për familjarët e të dënuarve me dënim kapital (të pushkatuar apo të ekzekutuar). Shuma e masave financiare e përllogaritur sipas këtij vendimi, në total është 1 355 457 123 lekë.
Lidhur me këtë vendim, Kryeministri Berisha tha se qeveria vazhdon disbursimet financiare të ish të dënuarve politikë të regjimit komunist, në përputhje me programin e premtuar.
Po sot, qeveria miratoi edhe vendimin për miratimin e strukturës dhe të Organikës së Institutit të studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri.
23/02/2011