Fjala e kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike

Zonja deputete,
Zotërinj deputetë,
Të dashur qytetarë dhe qytetare,
Duke iu përshëndetur shumë përzemërsisht, kam shumë kënaqësi të theksoj se javën që kaloi, Shqipëria ishte në krye të lajmeve pozitive botërore. Me firmosjen në Nju Jork, të Memorandumit të Mirëkuptimit midis Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë, për gazsjellësin Trans-Adriatik, i cili do të sjellë gazin nga fusha gazmbajtëse e Shah Deniz 2 e detit Kaspik në këto vende dhe më gjerë në Europë, Shqipëria, bashkë me dy vendet mike, dhanë lajmin më pozitiv në fushën e energjisë.
Ky lajm, siç keni konstatuar, u përshëndet në mënyrë të menjëhershme nga zyrtarë ndër më të lartët për energjinë në administratën e Presidentit Obama, zotit Carlos Pascual dhe nga Komisioneri për Energjinë në Komisionin Europian z. Oettinger.
Zonja dhe zotërinj,
Ky Memorandum Mirëkuptimi përbën aktin më të rëndësishëm që Shqipëria ka firmosur në historinë e saj në fushën e bashkëpunimit ekonomik apo energjetik. Impakti i këtij projekti është më i rëndësishëm se çdo projekt tjetër për zhvillimin e këtij vendi. Gazsjellësi Trans- Adriatik, i cili kalon në 140 km në territorin shqiptar bën një transformim tërësor energjetik dhe ekonomik të vendit.
Në këtë projekt, i cili për realizmin në territorin shqiptar sjell një investim prej rreth 2 miliard eurosh. Shqipëria ka një pozicion shumë të leverdishëm, pozicioni gjeografik i saj, e bën Shqipërinë një nyje shumë të rëndësishme të transportit të gazit, jo vetëm drejt Italisë që është destinacioni kryesor, por edhe drejt veriut të Ballkanit. Depozitat natyrale të gazit janë shumë të çmuara për këto qëllime.
Ky projekt i jep të mundur qeverisë shqiptare, që në mandatin që vjen të parashikojë gazifikimin e vendit, shtrirjen e tubacioneve të gazit për ngrohje dhe gatim në të gjithë territorin e Shqipërisë. Projekti sjell pas vetes një projekt madhor, i cili do të ndryshojë në mënyrë të rëndësishme, të qenësishme pozitive, jetën e familjeve shqiptare. Me zbatimin e tij, shqiptarët do të mund të marrin energjinë për ngrohje dhe gatim me çmime shumë më të leverdishme sesa ky i sotmi, pra projekti ka një ndikim direkt në uljen e kostos së jetës për qytetarët shqiptarë.
Projekti përben një mundësi të madhe për vendin, për ndërtimin e kapaciteteve të energjisë elektrike, me teknologjitë më të avancuara, të cilat respektojnë në shkallën me rigoroze mjedisin, ajrin dhe bëjnë të mundur që Shqipëria krahas superfuqisë së vogël të energjisë së rinovueshme në Rajon, të shndërrohen në një prodhues madhor energjie për rajonin.
Firmosja e Memorandumit në Nju Jork nga ministrat e jashtëm të tre vendeve tona, është një akt madhor, mirëbesimi reciprok dhe vendosmërie për të ngritur bashkëpunimin midis vendeve tona në një nivel të ri, në një shkallë të lartë përgjegjësie.
Qeveria shqiptare është e vendosur të përmbushë përpikmërisht çdo detyrim që rrjedh nga ky Memorandum dhe që rrjedh nga përzgjedhja vitin e ardhshëm, të këtij projekti nga projekti më i mirë nga konsorciumi i Shah Deniz 2, i cili ka parashikuar të investojë në Shah Deniz 2, për nxjerrjen e gazit, në funksion të projektit, 25 miliard dollarë dhe faktikisht ka nisur investimi i 4 miliardëve të parë.
Natyrisht vendimi përfundimtar do të merret pranverën që vjen, por firmosja e këtij Memorandumi përbën mbështetje të fuqishme të koncorsiumit të Shah Deniz 2, për të vendosur në favor të gazsjellësit Trans-Adriatik, pasi ky është gazsjellësi më fizibël, më i leverdisshëm nga ana ekonomike dhe më i shkurtër dhe për rrjedhojë më i studiuar si projekt.
Shqipëria, gjatë gjithë këtyre viteve, ka bërë gjithçka, ka dhënë kontributin e saj modest para së gjithash në rrafshin politik, për trajektoren e projektit dhe rritjen progresive të besimit dhe të mbështetjes në këtë projekt, i cili për rajonin e Europës Juglindore është më i madhi në historinë e saj, projekt që sjell gazin Kaspik në gadishullin Apenin dhe e shpërndan më tutje.
Ndaj dhe për të gjitha këto arsye, mediat me kryesore të botës, tre ditë me radhë e kanë patur kryelajmin e tyre.
Përfshirja e Shqipërisë është dëshmi e një besimi të plotë të partnerëve tanë, jo vetëm të fqinjëve tanë, por të partnerëve tanë, në Europë dhe në botë. Projekti do të sjellë një ridimensionim të rëndësishëm, pozitiv të marrëdhënieve tona me të gjithë vendet e konsorciumit të Shah Deniz 2, në rrafshin ekonomik, por edhe vende, kompanitë e të cilave janë të angazhuara në ndërtimin e gazsjellësit Trans-Adriatik, siç është E-ON i Gjermanisë, EGL e Zvicrës, Statoil i Norvegjisë dhe kompanitë greke, italiane, turke që do të përzgjidhen.
Gazsjellësi përbën një faktor të fuqishëm në afrimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve tona të shkëlqyera me Republikën e Azerbajxhanit. Nuk ka sot një mënyrë më të mirë, për të forcuar bashkëpunimin sesa kooperacionet ekonomike.
Por mediat botërore kanë përcjellë një lajm të dytë, të madh pozitiv. Shpalljen e fituesit të garës së privatizimit të Albpetrolit edhe ky ishte një lajm që qarkoi në të gjitha mediat ekonomike botërore.
Me këtë rast unë dua të përgëzoj fituesin, kompaninë e shpallur fituese, e cila plotësoi me seriozitetin më të madh dhe me transparencë të plotë, kërkesat e paraqitura nga ekipi i vlerësimit të ofertave dhe kompania konsulente.
Një falenderim të përzemërt dua t’i bëj konsulentit Patton Boggs, një nga kompanitë më kryesore të botës, në suksesin e konsulencës. Dua të falenderoj ekipin shqiptar të Ministrisë së Ekonomisë dhe ministrive të tjera, që u morën me shqyrtimin serioz të këtyre ofertave, sikundër falenderoj të gjitha kompanitë, që me seriozitet të plotë morën pjesë në këtë privatizim.
Dua të theksoj edhe njëherë se disa qëndrime të shfaqura gjatë ditëve, disa shpifje dhe trillime nga eksponentë të opozitës dhe mediat që ata kontrollojnë kanë qenë të motivuara nga ligësia njerëzore, nga keqdashja e plotë, nga smira e pakufishme. Unë dua ti informoj shqiptarët se ky proces ka nisur 3 vjet më parë është një proces i gjatë, serioz, i shumanshëm dhe nuk ka në mënyrë absolute as edhe një lloj lidhje me zgjedhjet.
Është mjerim të shohësh tituj meskin të dala nga labirinthet e fabrikës së mashtrimit të Partisë Socialiste. Procesi ka nisur tre vjet më parë, por si një privatizim madhor strategjik, natyrisht ai do të kalonte në të gjitha proceset dhe etapat e domosdoshme dhe me këtë kështu ndodhi.
Ndaj dhe nuk ka asnjë arsye tjetër, përveç vendosmërisë së kësaj qeverie, për të thelluar gjithnjë e më shumë proceset e privatizimit, si kushti më kryesor për të përmirësuar dhe rritur performancën dhe eficencën ekonomike. Rëndomtë eksponent të opozitës, e cilësojnë këtë si një shitje, me një gjuhë identike propagandistike si e etërve të tyre, të pasurive kombëtare. Edhe njëherë dua ta qartësoj për çdo qytetar shqiptar se dhënia me konçension për shfrytëzim të pasurive është interesi jetik i të gjithë qytetarëve. Asnjë centimetër tokë nuk është shitur, por nafta, gazi, kromi, bakri apo floriri, platini, që flenë në shekuj dhe mijëvjeçarë nën tokë, janë thjesht fosile, në rast se ato nuk nxirren, përpunohen, apo shiten në treg.
Ky është kushti që ato të kthehen në pasuri e të marrin vlera dhe ne këtë bëjmë dhe këtë ka bërë shteti shqiptar, që nga themelimi i tij dhe që e ka bërë çdo shtet. Ju them këtyre zotërinjve se sot energjia e botës është e tëra pothuaj kryesisht në duart e kompanive të mëdha multinacionale, të cilat kanë potencialin më të madh për ta nxjerrë atë me të njëjtën skemë. Në mënyrë të padiskutueshme për të njëjtën sasi nafte që nxjerr Alpetroli sot, apo kompania private nesër, ne kemi të njëjtin sistem fiskal, marrim TVSH, marrin rentën, marrim sigurimet shoqërore, marrim tatimin mbi të ardhurat .
Pra private apo shtetërore, taksat janë të njëjta. Po pse atëherë ne shkojmë tek privati, kur qenkan të njëjta, sepse fuqia nxjerrëse e privatit është disa herë me e madhe se e shtetit dhe kjo është mënyra për të rritur disa here të ardhurat nga ato pasuri që flenë nëntokë. Një vend këtu afër, para koncesionit merrte 20 milion dollarë, pas koncensionit inkason me taksa 400 milion dollarë. Ndaj dhe këta zotërinj që përdorin gjuhën e vjetër ndaj koncesioneve, ndaj marrëveshjeve, nuk kanë asgjë tjetër vetëm ligësi e pafundme. Që më mirë të rrinë aty ku janë dhe të mos gëzojnë qytetarët shqiptarë, sesa të ndodhin këto gjatë qeverisë së Sali Berishës dhe qeverisjes së kësaj mazhorance.
Ndaj dhe uroj që fazat e tjera të këtij procesi, të ecin siç kanë ecur në mënyrën më serioze dhe transparente dhe i garantoj qytetarët se do të ecim me transparencë dhe seriozitet në çdo hap të këtij privatizimi shumë të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë.
Shqipëria, bazuar mbi të dhëna, rezulton ose presupozohet të jetë një vend i rëndësishëm në prodhimin e naftës dhe gazit në rajon. Ndaj dhe oferta dëshmon besim se këtu ka naftë, se këtu ka gaz dhe ky besim nuk është më empirik, por bazohet në të dhënat nga më të shumëllojtat të studimeve.
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Heqja e imunitetit ka krijuar një vlerësim pozitiv tek qytetarët shqiptarë dhe tek miqtë dhe partnerët tanë në Europë dhe në botë, por, pas heqjes së imunitetit, përsëri parimet ëndrrat, kërkohen të shndërrohen në pazare të neveritshme.
Komisioni Europian kërkon me të drejtë, që të votohet ligji për Gjykatën e Lartë, të votohen amendamentet, të cilat Partia Socialiste i shtoi në ligjin e Gjykatës Administrative, por nuk ishte shtimi i një Kolegji në Gjykatën e Lartë.
Zoti Edi Rama, absolutisht me qëllimin e vetëm që ta bllokojë këtë proces, ka dy javë që i nxjerr deputetët nga komisioni parlamentar dhe lë karriget bosh dhe më pas ankohet përse unë ju them nxënësve të shkollave të ngulin sytë tek ato karrige. Unë dhe do t’jua them çdo fëmije në Shqipëri, sepse me ato karrige bosh, ti, zoti Rama, po shkelmon ëndrrën e bukur fëmijërore dhe rinore të tyre. Përse të vjen keq zoti Rama, kur unë nuk po u them asgjë që nuk është?! Po bëj propagandë, apo po u them një të vërtetë të hidhur, që ti, zotëri, po e krijon çdo ditë në parlament.
Zoti Rama kërkon pazar politik, për vendime gjykatash. Gjëja më absurde! Zoti Rama po e kërkon këtë, për pazare për numërimin e votave. 2 milionë herë e kërkoi këtë, por nuk e mbështeti kush për këtë, sepse kishte një vendim gjykate në mes dhe vetëm për këtë nuk e mbështetën. Nëse nuk do të kishte një vendim gjykate, mund të bëhej diçka, por ky zotëri është i papërmbajtur dhe kërkon pazare për vendimin e gjykatës. Zotëri, ti i je drejtuar vetë gjykatës dhe si rezultat i këtyre vendimeve, sot, në qarkun e Fierit janë 50 këshilltarë nga mazhoranca dhe 43 këshilltarë nga pakica dhe 3 këshilltarë po të mazhorancës janë në proces gjyqësor. Këtu nuk ka diskutim, se në një parim universal, nëse një forum humbet shumicën, në dorë e merr pakica që bën shumicë.Ky është ligj për parlamentin qendror, ky është ligj për parlamentin vendor dhe nuk mund të ketë dy standarde. Cili mund të ishte ai njeri që pranon të bëjë pazare për vendimin e Gjykatës Kushtetuese?
Zotëri, analizo mbledhjen e bashkisë që ta ka hedhur poshtë. Mbledhje e televizuar me kamera dhe çdo gjë. Këtu nuk jemi në shpella, por jemi një shoqëri transparente dhe çdo gjykatë, çdo prokuror, kur u gjet para këtij fakti, mori vendimin e duhur. Ndaj i bëj thirrje edhe njëherë, se nuk ka gjë me absurde, nuk mund të pranojmë një vendim që është në favorin tonë dhe të hedhim poshtë një vendim gjykate kur është kundra nesh, sepse në këtë mënyrë vetëm drejtësi nuk bëjmë dot kurrë. Të mësohemi të respektojmë forumet në përputhje me legjitimitetet e tyre. Kjo është gjithçka. Ky është procesi demokratik. Kanë rënë këshilltarët, sepse ke humbur shumicën. Po humbe shumicën, ajo do të vendosë mbi bazën e ligjeve që ka përpara.
Problemi është shumë serioz, pasi ky zotëri, nga mëngjesi deri në darkë, nuk mendon asgjë tjetër, veçse pazare, pazare, pazare. Politika është parim dhe nuk mund të jesh dot shtetar me pazare. Mund të ndodhë ndonjëherë që të blesh lirë, por të kushton sa frëngu pulën. Ruhu nga pazaret, mos krijo përshtypjen tek mbështetësit e tu dhe qytetarët, se ti vdes për pazare me Sali Berishën. Kjo të dëmton.
Sot, opozita kërkon hearing (seancë dëgjimore) për kandidaturat, për kryetar të KQZ. Një e drejtë e plotë e tyre, por jo me dy standarde. Ata kërkojnë hearing për kryetar të KQZ dhe nuk pranojnë hearing për kandidaturat për anëtar të komisionit. A ka më absurde! Nëse do që të ushtrosh të drejtën e dëgjimit, nuk mund t’ia mohosh palës tjetër ta ushtrojë edhe ajo, këtë të drejtë. Nxjerr Tahirin dhe thotë se Berisha nuk po respekton, por çfarë?! Këta e konsiderojnë shumicën, si etërit e tyre kulakët. Si mund të kërkosh hearing për katër vetë dhe jo për të gjithë?! Parlamenti ka të drejtën e dëgjimit, por ata e refuzojnë këtë për të tjerët dhe e kërkojnë vetëm për këta të katër. Se këta janë të deklasuarit, sipas tyre. Tani sërish do të kërkojë pazare. Hapim kapitullin e pazareve, që, për katër të propozuarit e mazhorancës, të ketë dëgjim dhe për të opozitës të mos ketë dëgjim, sepse është bërë dëgjimi në selinë e partisë. Por parlamenti nuk është seli partie. Parlamenti është tempulli i popullit.
Uroj dhe i bëj thirrje zotit Rama, po të dojë le të futen të gjithë në procesin e dëgjimit. Parlamenti ka organizuar seanca dëgjimi nga më të bukurat, nga më të shkëlqyerat dhe le t’i organizojë sërish, sepse nuk mund të lejojmë dy standarde. Dy standarde janë fyese! Ne nuk imponojmë dy standarde. Besojmë se zoti Rama do të përcaktohet për një standard. Nëse do t’i kalojë kandidaturat me hearing, në rregull, ti kalojë. Nëse do t’i kalojë pa hearing, le t’i kalojë. Ai ka zëvendësuar çdo sens ligjor, me pazaret. Ligji është kontrata, i cili bashkon të gjitha palët. Por zoti Rama merr mendjen e njerëzve, të cilët u futën në universitet dhe ngelen në vit të parë, katër vjet rresht.
Edhe njëherë i bëj thirrje të heqë dorë nga mania e pazareve, e cila e ka mbërthyer dhe nuk përmbahet dot. Nuk është politika pazar! Politika është arti i parimeve, i vështirësive, kompromiseve dhe kështu do të ecë. Ne bëmë gjëra shumë të mëdha, bëmë reformën zgjedhore, imunitetin dhe tani të rrimë dhe të na shohin shqiptarët, kështu, e ka shumë gabim për veten e tij. Faleminderit.
01/10/2012