E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Roli dhe kontributi i udhëheqësve shpirtëror të kombit, në 100 vite pavarësi, duhet të dalë e të vendoset në piedestalin që meriton

-         - Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë tregues më epror për qytetarinë e një kombi, sesa toleranca fetare

Kryeministri Berisha mori pjesë paraditen e sotme në punimet e Konferencës shkencore "Kontributi i Prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar", organizuar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Bashkësia Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin drejtues të lartë dhe udhëheqës shpirtërorë të institucioneve të ndryshme fetare nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, Ambasadorë të Trupit Diplomatik të Akredituar në Tiranë, besimtarë të shumtë, etj.   

Kryeministri Berisha, duke shprehur mirënjohjen më të  thellë për veprën e ndritur të të gjithë udhëheqësve shpirtërorë të këtij kombi, tha se elita fetare e vendit ka meritat më ta para nga të gjitha elitat e tjera. Në këtë kontekst, Kryeministri iu referuar faktit se kombi shqiptar ka një specifikë që nuk e ka asnjë komb tjetër; tolerancën fetare, që është një diamant i vërtetë i qytetërimit të kombeve. “Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë tregues më epror për qytetarinë e një kombi, sesa toleranca fetare”, theksoi Kryeministri.

Kryeministri vuri në dukje se roli dhe kontributi i udhëheqësve shpirtëror të kombit, i udhëheqësve të besimit mysliman, besimit ortodoks, katolik e të besimeve të tjera, në 100 vitet e pavarësisë së Shqipërisë, është injoruar dhe është harruar, përgjatë diktaturës në Shqipëri, por edhe për shkak të pushtuesve në Kosovë e në troje të tjera etnike shqiptare. Kjo është një e vërtetë shumë e hidhur, nënvizoi Kryeministri, që ka shpjegimin e vet të qartë, sepse për diktaturën e diktatorin në Shqipëri, armik më të egër se besimet te Zoti, besimet e mëdha, nuk kishte. “Ky kapitull i rëndësishëm i historisë sonë, duhet të dalë e të vendoset në piedestalin që meriton”, tha Kryeministri.

Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:

Të nderuar shkëlqesi, udhëheqës shpirtërorë të besimit islam të kombit shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni,

Të nderuar udhëheqës shpirtërorë të kombit shqiptar të besimeve katolike, ortodokse, protestante, bektashinjve shqiptarë,

Zonja e zotërinj, të nderuar të pranishëm,

Zoti ministër,

Shkëlqesi ambasadorë,

Së pari, dëshiroj të përulem me nderim të madh para jush, para veprës së ndritur të paraardhësve tuaj, vazhdimit të saj me mençuri, vendosmëri e guxim nga ju dhe të gjithë udhëheqësit shpirtëror të këtij kombi.

Ju, zoti Sekretar i Përgjithshëm, me shumë të drejtë theksuat se roli dhe kontributi i udhëheqësve shpirtëror të kombit, i udhëheqësve të besimit mysliman, udhëheqësve të besimit ortodoks e katolik e të besimeve të tjera, në 100 vitet e Pavarësisë së Shqipërisë, është injoruar dhe është harruar. Kjo është shumë e vërtetë. Kjo e vërtetë e hidhur ka shpjegimin e vet të qartë, sepse për diktaturën e diktatorin në Shqipëri, armik më të egër se besimet te Zoti, besimet e mëdha, nuk kishte. Ndaj dhe ai ndërmori ndaj tyre barbari ndër më të pashembulltat në historinë moderne të njerëzimit. Në Kosovë e në troje të tjera etnike shqiptare, natyrisht, pushtuesi nuk do të bënte asgjë tjetër veçse do përpiqej me rregullin e vjetër, t’u impononte qytetarëve besimin e tij. Ndaj dhe ky kapitull i rëndësishëm i historisë sonë, duhet të dalë e të vendoset në piedestalin që meriton.

Zonja e zotërinj,

Elita fetare e vendit ka meritat më ta para nga të gjitha elitat e tjera. Në rast se vështrojmë kombet dhe historitë e tyre, ju do të gjeni, në raport me ne shqiptarët, kombe të cilat kanë tradita mijëvjeçare shkrimi, këndimi, alfabetesh, bibliotekash, librash e qytetërimi të admirueshëm. Por ka një specifikë që nuk e ka asnjë komb tjetër dhe që është xhevahir, është diamant i vërtetë i qytetërimit të kombeve dhe kjo është toleranca fetare. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë tregues më epror për qytetarinë e një kombi, sesa toleranca fetare.

Shpesh krijohen keqkuptime kur thuhet se “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Kjo doktrinë, ky koncept, është meritë e jashtëzakonshme e udhëheqësve shpirtërorë fetar të vendit, që e kultivuan në shekuj, për të ruajtur identitetin tonë kombëtar, e kultivuar, sepse mësimet e Profetit, mësimet e shenjta, nuk e ndajnë kurrë atdheun nga feja, dashuria për atdheun buron nga besimi. Ndaj dhe shqiptaria është pjesë e pandarë e besimit dhe nuk ka asnjë reminishencë, as pagane as ateiste për këtë, përkundrazi ka në thelb mendimet doktrinare të bazuara në mësimet e ndritura të Profetit, në mësimet e ndritura të Librave të Shenjtë. Udhëheqësit shpirtëror fetar, në netë të gjata pushtimesh e trysnish, i shndërruan institucionet e kultit në vatra të fuqishme lirie. Drita e Lidhjes së Prizrenit u ndez në Medresenë e xhamisë së Bajrakut, në Prizren. Teqetë, kishat, kudo, qëndruan si tempuj të besimit të vlerave, qëndruan si tempuj të lirisë për shqiptarët dhe i frymëzuan ata në  përpjekjet e tyre për liri e dinjitet.

Udhëheqësit shpirtëror, kleri mysliman, por edhe udhëheqësit shpirtëror të besimeve të tjera, me përkthimet e tyre mahnitëse të Kuranit, të Librave të Shenjtë, e bënë shqipen, këtë gjuhë ndër më të lashtat, të hyjë edhe ajo në familjen e gjuhëve të Zotit.

Kleri i të gjitha besimeve u angazhua në një kontribut historik në mëvetësimin e kombit shqiptar. Për Alfabetin punuan shumë studiues, mendimtarë, shkrimtarë, poetë, por rolin më përcaktues në Kongresin e Manastirit e kanë pasur udhëheqësit e besimeve fetare. Myftiu, kryepeshkopi, të gjithë ata ranë dakord e u buroi nga shpirti se germat e kësaj gjuhe nuk mund të jenë të tjera veçse latine. Ne u dedikojmë atyre shumë kontribut. Ata predikonin besimin fetar, por kombin si të tërë, shtetin, do ta vendosnin mbi baza laike. Ishin klerikët ata që dhanë kontribut thelbësor në hapjen shkollës së parë të shqipe.  Ishte Hafiz Ali Korca që, së bashku me personalitete të shquara të Rilindjes, Papa Kristo Negovanin dhe shumë të tjerë, hapën Mësonjëtoren e parë. Ishte Hafiz Ibrahim Dalliu, kjo figurë e ndritur e kombit që bëri gjithçka për të hapur Normalen e Elbasanit, krahas Luigj Gurakuqit dhe burrave të tjerë mendjendritur. Pra, udhëheqësit shpirtëror të kombit bënë gjithçka për të ndriçuar shpirtin, për të ushqyer shpirtin e këtij kombi me dritën e mësimeve të Zotit, të Profetit, të Krishtit, me mësimet e shenjta, bënë gjithçka që drita e dijes laike të ndriçojë mendjet dhe zemrat e shqiptarëve.

Besimet e mëdha fetare u shndërruan më vonë në frontin e madh të vërtetë të rezistencës paqësore, por dinjitoze të shqiptarëve ndaj diktaturës në Shqipëri dhe pushtimeve në trojet e tjera etnike të shqiptarëve. Ata, për vlerat që besonin, për lirinë dhe dinjitetin njerëzor të qytetarëve shqiptarë, u martirizuan por nuk u mposhtën kurrë. Nuk pranuan të luteshin, as për diktatorin e as për pushtuesin. Ndaj dhe përjetuan kalvarin më të egër që mund të jetë përjetuar ndonjëherë.

 Duke shprehur edhe njëherë nderimin më të madh për ju, për të gjithë udhëheqësit shpirtëror të këtij kombi, të cilët ndërtuan nga hiri, edhe një herë, në këto 20 vite, infrastrukturën shpirtërore të shqiptarëve kudo që ndodhen dhe që janë sot, me qëndrimin e tyre, kontribuues madhorë të tolerancës e mirëkuptimit të unitetit të vërtetë kombëtare. Një komb në vlera, një komb i bashkuar në respektin ndaj njëri-tjetrit, një komb i bashkuar në respektin e palëkundur në lirinë e të gjitha lirive, që është liria e besimit ndaj Zotit, ka dhe do të ketë një të ardhme të ndritur.

Shqiptarët duhet të jenë krenarë me besimet e tyre fetare, duhet të përulen me nderimin më të madh ndaj udhëheqësve shpirtërorë të kombit të tyre dhe kontributit të tyre historik që ata kanë dhënë në shekuj e mijëvjeçarë. Faleminderit.     


28/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›