E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: 25 vite bashkëpunimi të suksesshëm me Gjermaninë kanë krijuar kushtet për një bashkëpunim të shkëlqyer e të madh në vitet që vijnë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mesditë në ceremoninë e organizuar me rastin e 25 –vjetorit të  rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, zonja Carole Muller-Holtkemper, ambasadorë të Trupit Diplomatik të Akredituar në Tiranë dhe personalitete të tjera.

Kryeministri Berisha e konsideroi një ditë të veçantë këtë 25 vjetor të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë, si 25 vjet bashkëpunimi, ndihme dhe mbështetjeje të shkëlqyer nga ky vend i madh mik. Shqiptarët, theksoi Kryeministri, në këtë përvjetor të marrëdhënieve diplomatike, “përkulen me nderimin më të madh para ish Kancelarit të Republikës Federale Gjermane Helmut Kohl,  që do të mbetet në memorien e tyre dhe besoj edhe të mbarë kombeve të shtypura nga diktaturat komuniste, si Kancelari gjerman më i madh i të gjitha kohërave”.

Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se në këto 25 vite, shqiptarët kanë pasur privilegjin e madh të qëndrojnë në vend të parë të ndihmës e bujarisë gjermane për frymë, në Evropë dhe në botë, përmes një ndihme që kalon mbi 1 miliardë euro dhe që është adresuar në çdo fushë të jetës së vendit.  Kryeministri ritheksoi se Gjermania ishte dhe mbetet një mbështetje e fuqishme e projekteve të mëdha të shqiptarëve, siç ishte  anëtarësimi në NATO, por dhe në përpjekjet për të ndërtuar gjithmonë e më shumë projektin e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Evropian.

Kryeministri vlerësoi gjithashtu kontributin e Gjermanisë për paqen e stabilitetin në Ballkan, veçanërisht kontributin në çlirimin e Kosovës dhe më pas, në rindërtimin e këtij vendi.

Kryeministri shprehu besimin se këto 25 vite bashkëpunimi të suksesshëm, kanë krijuar kushtet për një bashkëpunim të shkëlqyer e më të madh në vitet që vijnë.

Në përshëndetjen e tij me këtë rast, Kryeministri Berisha u shpreh:

“I nderuar zoti ministër,

 E nderuar zonja ambasadore e Republikës Federale Gjermane Carole Muller-Holtkemper,

Shkëlqesi ambasadorë,

 Zonja e zotërinj,

Sot për shqiptarët dhe Shqipërinë, është një ditë e veçantë, është rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Federale të Gjermanisë dhe 25 vjet bashkëpunimi, ndihme, mbështetje të shkëlqyer nga ky vend i madh mik. Marrëdhëniet midis dy vendeve tona, në rrafshin diplomatik, datojnë 90 vjet më parë, por sërish janë më të mëparshme, pasi Fuqitë e Mëdha të asaj kohe përzgjodhën, fill pas pavarësisë së vendit, një Mbret gjerman për të mbretëruar në Shqipëri. Pavarësisht se koha që ai qëndroi ishte e shkurtër, Princ Vid ka lënë në Shqipëri një përpjekje serioze dhe të ndershme për zhvillimin e këtij vendi.

Pas Luftës së dytë Botërore, Shqipëria ra në periudhën më të vështirë të historisë së saj të izolimit, të diktaturës më të egër dhe, vetëm në vitin ‘87 mori fund një kapitull i propagandës më koprolalike të regjimit diktatorial hoxhist ndaj Republikës Federale Gjermane. Dua të theksoj këtu, se në atë propagandë, megafonët e të cilës ishin ndër më të fuqishmit në Evropë, pas imperializmit amerikan, vendin e dytë në mallkimet koprolalike të saj, e zinte Republika Federale Gjermane, e ndjekur me pas nga Izraeli. 

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Federale Gjermane, do të kishte një rëndësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë në vitet që vijuan. Rrëzimi i Murit të Berlinit nga qindra e mijëra qytetarë gjermanë, u shndërrua në ngjarjen më shpresëdhënëse të Evropës së pas luftës së Dytë Botërore. Pas rënies së këtij muri, kombet që vuanin nën diktaturat komuniste, njëri pas tjetrit, me përpjekje të mëdha, po dilnin në hapësirat e lirisë.

Në vazhdim, po këtë gjë bëri edhe populli shqiptar. Ndaj edhe shqiptarët, në këtë përvjetor të marrëdhënieve diplomatike, përkulen me nderimin më të madh para ish Kancelarit të Republikës Federale Gjermane Helmut Kohl,  që do të mbetet në memorien e tyre dhe besoj edhe të mbarë kombeve të shtypura nga diktaturat komuniste, si Kancelari gjerman më i madh i të gjitha kohërave.

Në këto 25 vite, shqiptarët kanë pasur privilegjin e madh të qëndrojnë në vend të parë të ndihmës e bujarisë gjermane për frymë, në Evropë dhe në botë. Gjatë këtyre viteve, taksapaguesit gjermanë dhe qeveria gjermane u ka dhënë shqiptarëve një ndihmë që kalon mbi 1 miliardë euro, ndihmë e cila është dedikuar në çdo fushë të jetës së vendit, ndihëm e cila, para së gjithash, është adresuar në problematikat më jetike me të cilat përballeshin qytetarët shqiptarë, ndihmë e cila është shtrirë edhe në zonat më të thella të vendit, me qindra e qindra të suksesshme. Krahas kësaj, Shqipëria ka njohur investime serioze gjermane, të cilat vijnë gjithnjë në rritje dhe janë një shembull suksesi.

 Republika Federale Gjermane ka dhënë një ndihmë të madhe për paqen e stabilitetin në Ballkan. Ajo ka një kontribut të veçantë në çlirimin e Kosovës. Ishin njësitë gjermane të parat që, në krye të trupave të Aleancës së Atlantikut të Veriut, kaluan kufirin dhe u paraqitën si çlirimtarët e saj. Në gjithë këto vite, kanë dhënë një kontribut thelbësor në rindërtimin e atij vendi.  

Gjermania ishte dhe mbetet një mbështetje e fuqishme e projekteve të mëdha të shqiptarëve në Shqipëri. Ne kemi pasur privilegjin e madh të kemi mbështetjen e çmuar në përpjekjet tona për anëtarësim në NATO, në përpjekjet tona për të ndërtuar gjithmonë e më shumë projektin tonë për integrim në Bashkimin Evropian.

Ndaj dhe unë besoj se këto 25 vite bashkëpunimi të suksesshëm kanë krijuar kushtet për një bashkëpunim të shkëlqyer, të madh, në vitet që vijnë. Dua ta mbyll këtë fjalë, edhe njëherë, me falënderimet e mia më të përzemërta, për taksapaguesit gjermanë, qeverinë gjermane, për të gjithë bujarinë dhe mbështetjen e gjithanshme që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Faleminderit shumë”.       


01/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›