E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron shkollën 9-vjeçare “Koçaj” në Baldushk

“Fëmijët janë të parët për ne dhe do të bëjmë gjithçka për ta dhe shkollimin e tyre”. Këtë mesazh, Kryeministri Berisha e përcolli sërish sot, gjatë inaugurimit të shkollës 9-vjeçare “Koçaj” në Balduksh, në vijim të një turi inaugurimesh dhe takimesh me nxënës e mësues në mbarë vendin. “Ne e bëjmë këtë se kemi bindje të madhe se vetëm Shqipëria e dijes do të jetë Shqipëria e zhvilluar dhe se Shqipëria ka të gjitha potencialet, për të ecur me shpejtësi të madhe drejt Shqipërisë së dijes,” – tha Kryeministri në fjalën e tij, ku ripërsëriti se arsimi ndodhet në krye të axhendës së qeverisë.  

Qeveria ka ndërmarrë investime të mëdha jo vetën në infrastrukturën arsimore, ku vetëm në qarkun e Tiranës janë ndërtuar e rindërtuar 145 shkolla, me investim prej 2 miliardë e 800 milionë lekë, por edhe në trajtimin financiar e kushtet e punës së arsimtarëve, paga e të cilëve, në gjashtë vjet është rritur me 120 përqind, me bindjen se investimi për ta është investim për cilësinë.

Fjala e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e inaugurimit të shkollës.

“Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë time që ndaj sot, me ju, banorët e Koçajt, e këtij fshati të njerëzve punëtorë e të mrekullueshëm, gëzimin e rindërtimit të plotë të shkollës, e cila është  pajisur me mjetet më moderne dhe qëndron me dinjitet në çdo fshat të çdo vendi të zhvilluar të Europës.

Në komunën e Baldushkut, gjatë këtyre viteve, ju jeni dëshmitarë të investimeve të shumta. Këto investime, këtu e në mbarë Shqipërinë, kanë pasur si përparësi ndër më madhore rrugët dhe shkollat. Ne besojmë se çdo zhvillim, çdo përparim e hap drejt begatisë kalon nga dyert e shkollës, kalon nga gara e dijes. Ndaj, në një hark kohor të shkurtër, me një përqendrim shumë të madh, ne ia kemi dalë të ndërtojmë e rindërtojmë në mbarë vendin mbi 1300 shkolla. Sapo pyeta kryetarin e komunës sa shkolla kanë mbetur pa u ndërtuar apo rindërtuar në Baldushk dhe më tha se janë ndërtuar apo rindërtuar 8 shkolla e ka mbetur vetëm një shkollë në hyrje të komunës. Unë ju jap fjalën se do ta rindërtojmë edhe atë dhe fëmijët e kësaj komune do të ulen në klasa të standardeve më të mira. Në qarkun e Tiranës gjatë këtyre viteve, ne kemi ndërtuar 67 shkolla të reja, kemi rindërtuar 78 shkolla. Në këtë qark, në total janë ndërtuar e rindërtuar 145 shkolla, me investim prej 2 miliardë e 800 milionë lekë.

Këto investime janë vetëm në infrastrukturën shkollore, por në sistemin  arsimor, ne kemi bërë e bëjmë investime të mëdha tek mësuesit. Ne besojmë se do të arrijmë nivelet e larta të cilësisë së arsimit vetëm duke e vendosur mësuesin, këtë misionar të madh, në piedestalin që ai meriton. Me një përpjekje të jashtëzakonshme, gjatë këtyre gjashtë viteve, ne kemi rritur rrogat e arsimtarëve, nga 227 mijë lekë në vitin 2005, në 505 mijë lekë në 2012. Të dashur mësues e mësues, natyrisht, në vendet e pasura mësuesit marrin rroga shumë më të mëdha, por nuk gjeni një vend të pasur ose jo të pasur që në gjashtë vjet të ketë rritur rrogat, me 120 përqind, përveç Shqipërisë. Dhe ky ka qenë vullnet i hekurt politik. Para vitit 2005, ju e keni shumë të qartë sa ishin rrogat tuaja dhe sa rriteshin ato. Edhe atëherë kishte rritje rrogash, por kryesisht rriteshin rrogat e qeveritarëve. Në rast se kthehemi në vitin 2005, kryeministri merrte rrogën mujore të 9 arsimtarëve apo rrogën mujore të 15 infermierëve etj., ndërsa sot, nga rritja e rrogave të mësuesve, kjo diferencë është 4.5 rroga. Ne që në 6 vjet e përgjysmuam këtë diferencë, kemi vullnetin e hekurt ta ngushtojmë më tej atë, duke rritur rrogat e mësuesve dhe duke krijuar kushtet më të mira për ta, në mënyrë që të përmbushin misionin e tyre të madh, ndriçimin e mendjes së fëmijëve tanë në çdo orë që japin, t’i edukojnë fëmijët tanë me normat më të mira qytetare, në mënyrë që t’i përgatisin ata, për ndërtimin e të ardhmes së tyre.

Arsimi, sigurisht, është çështja më serioze. Ai që ka fëmijë në shtëpi mendon më shumë se çdo gjë tjetër, për shkollimin sa më të mirë të fëmijëve të tij. Por edhe shoqëria në tërësi nuk ka proces më serioz, sesa shkollimin dhe ne të tillë  e kemi shpallur. Në një hark kohor të shkurtër, ne kemi arritur disa tregues të njëjtë, edhe pak më lart në ndonjë prej tyre, të vendeve të zhvilluara. Sot, 92 përqind e fëmijëve që mbarojnë shkollat 9-vjeçare hyjnë në shkollat e mesme, mbi 71 përqind e atyre që mbarojnë maturën hynë në universitete, analfabetizmi është zhdukur, ndërkohë që po rritej në mënyrë të frikshme më parë. Sot, arsimi privat po lëshon shtat gjithnjë e më shumë, duke bërë që sektori privat të marrë përsipër një pjesë të mirë të buxhetit për arsimin dhe të lehtësojë shpenzimet publike për një përmirësim të vazhdueshëm të standardeve në arsimin publik. Në vitin 2005 kishin 52 mijë studentë, sot kemi 164 mijë studentë dhe kemi mesataren studentë për 1000 banorë ndër më të larta në Europë e në botë. Këto janë hapa shumë të mëdhenj, që ne i arritëm sëbashku, gjatë këtyre viteve dhe janë para së gjithash, dëshmitarë të një vullneti për t’i dhënë arsimit, vendin më kryesor në këtë vend, për ta nxjerrë arsimin në krye të axhendës sonë. Ne e bëjmë këtë se kemi bindje të madhe se vetëm Shqipëria e dijes do të jetë Shqipëria e zhvilluar dhe se Shqipëria ka të gjitha potencialet, për të ecur me shpejtësi të madhe drejt Shqipërisë së dijes.

Ndaj, ne do të vazhdojmë këtë garë, frymëzimin për të cilën e gjejmë tek prindërit shqiptarë. Ne kemi bërë gjithë këtë përpjekje të madhe në gjashtë vite, sepse jemi të bindur se kjo është dëshirë e brendshme shpirtërore e çdo nënë, e çdo babai që ka fëmijë në shkollë. Ne besojmë se fëmijët janë të parët për ne dhe do të bëjmë gjithçka për ta.

Vëllezër motra,

Ne jemi në një proces të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Ky është një proces shumë i gjerë. Nuk mund të integrohesh me shkolla të rrënuara, me rrugë të rrënuara, nuk mund të integrohesh pa drita, pa furnizim me ujë. Në vitin 2001 ishim në parlamentin europian, pasi ju kujtohet historia e zgjedhjeve. Një europarlamentar, jo keqdashës ndaj nesh, u ngrit dhe tha ç’na duhen këta njerëz, kur nuk kanë rrugë, drita, ujë. E vërteta është se ai nuk fliste nga pozitat e zengjinit ndaj të varfrit, por për të thënë se realiteti shqiptar ishte shumë larg realitet të tyre. Sot jemi absolutisht, krejtësisht tjetër. Sot kemi ndërtuar shkolla ndër më modernet. Sot kemi harruar kohën, kur energjia ndërpritej me orë të tëra. Në katër vitet e fundit kemi ndërtuar rrugë, sipas Komisionit Europian, më shumë se i gjithë rajoni i marrë sëbashku. Sot kemi disa standarde të lidhura me qytetarin ndër më të mirat, siç është vdekshmëria e përgjithshme, vdekshmëria foshnjore, vdekshmëria amtare. Sot kemi krijuar një klimë të favorshme për biznesin.

Të gjitha këto janë bërë të ditura, por sërish kemi një problem. Të dashur fëmijë, kur shihni parlamentin e komisionet parlamentare do të konstatoni se në mes të mbledhjes, një grup deputetësh ngrihen dhe ia mbathin dhe ai mbathin pikërisht atëherë, kur duhet të votohen 2-3 ligje që kërkohen me doemos nga Komisionin Europian, për të votuar statusin e vendit kandidat. Në shkëmbim kërkojnë që të shkelmojmë vendimin e gjykatave. Ju jeni fëmijë, por prindërit e mësuesit tuaj duhet t’ju shpjegojnë juve se vendimet e gjykatave, sido që të duken, të drejta apo të padrejta, ka vetëm një rrugë: t’i apelosh në gjykata dhe t’i zbatosh. Nuk mundet kurrë që një vendim që të pëlqen ta zbatosh dhe një vendim që  nuk të pëlqen ta hedhësh poshtë e të thuash nuk e njoh, se pastaj drejtësia nuk ekziston. E thashë këtë që t’ju bëj thirrje që të bisedoni me prindërit tuaj dhe të mos harroni karriget bosh, të lëna në komision e parlament, se kanë vetëm një qëllim, të errësojnë ëndrrën tuaj më të bukur e më fisnike të Shqipërisë europiane. Ne edhe pak do ta bëjmë këtë ëndërr të vërtetë.

Së fundi, zoti kryetar, duke të përgëzuar për të gjithë përkushtimin dhe insistimin e vazhdueshëm që bën për projektet e komunës, unë mbetem i vendosur dhe ju premtoj se qeveria do të bëjë gjithçka, për të finalizuar projektet e komunës suaj, do të bëjë gjithçka për të financuar me grante fermerët e kësaj komune, që të rrisin sa më shumë sipërfaqet e serave. Ju jeni bërë një bazë e fuqishme e furnizimit të kryeqytet me perime e fruta të cilësisë më të lartë. Ne do të bëjmë gjithçka që ju të mbillni sa më shumë ullinj, arrorë e dru frutorë dhe nuk harroj kurrë projektin tonë të përbashkët, lidhjen e Baldushkut me Paprin dhe Elbasanin, projekt që do ta përfundojmë.”


28/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›