Fjala e kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike

Nuk mund të ketë temë më të parë, se sa problemi i emergjencës. Në tërësinë e tij ky problem ka shkuar drejt një reduktimi maksimal, falë një pune të shkëlqyer që kanë bërë autoritetet vendore, shtabet e emergjencave, komunitetet, agjencitë qëndrore, etj.. Por, megjithatë duhet të theksoj se përsëri një numër jo i vogël fshatrash janë të izoluara, për shkak se dëbora në këto zona arrin në tre dhe me shumë metra dhe rreziku i ortekëve vazhdon të persistojë. Sidoqoftë, në mënyrë konstante vazhdojnë lidhjet me shtabet e qarqeve dhe rretheve dhe në përputhje me kërkesat e kryetarëve të komunave, komunitetet ndihmohen me medikamente, ushqime dhe mjete të tjera bazë. Po punohet në të gjithë këto zona, për të rivendosur trafikun dhe komunikimin. Duhet t'u them se në këtë proces, i cili në tërësi është i përqendruar në rrugë komunale, vetë banorët kanë dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme. Një nga komunat me sasi reshjesh më të mëdha në Shqipëri ka qenë Shishtaveci, por banorët e kësaj komunë e kanë hapur vetë rrugën, deri në 10 kilometra, për t'u bashkuar me rrugën e qendrës së komunës. Unë dua të garantoj fshatrat që kanë mbetur të izoluara dhe ndonjë komunë tek-tuk, sepse ka akoma të tilla, pasi është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të hapen p.sh rruga për në Theth, e cila çdo vit mbetet e bllokuar deri nga mesi i majit, për shkak të sasisë së madhe të reshjeve që bien në qafën e Thethit, pra, dua të garantoj se në çdo rast, Komiteti Ndërministror i Emergjencës po e ndjek me vëmendje situatën.
Unë dua të falënderoj me shumë mirënjohje të gjithë ato vende dhe institucione ndërkombëtare, siç është Komisioni Europian, Banka Botërore, si dhe shoqatat, për ndihmën e çmuar, të ofruar në përballimin e kësaj situate. Ndonëse “de facto” gjendja e emergjencës ka rënë në shumicën dërrmuese të territorit, përsëri ajo do të mbahet derisa të zvogëlohet më tej, numri i fshatrave dhe më pas t'u kalojë si kompetencë autoriteteve vendore.
Dua të falënderoj gjithashtu deputetet për punën shumë të madhe që kanë bërë. Unë jam i vetëdijshëm për këtë, sepse kam një komunikim të vazhdueshëm me ta dhe angazhimi i tyre ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm, së bashku me ekipe të tjera të Shtabit.
Gjendja energjetike mbetet përsëri, tejet e vështirë. Kaskada e Drinit është në nivelet më të ulëta historike. Importi vazhdon dhe mbetet në fuqi vendimi se do ta blejmë energjinë, duke konsideruar si çmimin më të lartë të energjisë, mungesën e saj. Shpresoj që kjo vështirësi është e përkohshme. KESH po bën gjithçka dhe ka të gjithë mjetet monetare, për të siguruar energjinë nga rajoni. Vështirësitë janë të mëdha, por, në tërësinë e vet, këto janë vështirësi të përkohshme. Përsa i përket kritikave që i bëhen qeverisë se po përdor buxhetin për të blerë energjinë dhe klithmave të opozitës se ky veprim është një veprim i pastudiuar, unë dua të theksoj se energjia është jetike për funksionimin normal të një vendi dhe e lidhur me një seri funksionesh, në familje, shoqëri, në biznes dhe kudo dhe ne do të bëjmë gjithçka që ajo të mos mungojë kurrë. Këta shokë që i linin qytetet 8 deri në 16 orë pa drita dhe vetë nuk rrinin as edhe një minutë të vetme pa to, nuk kanë dhembshurinë e parave të buxhetit se, në fund të fundit, këto janë para të taksapaguesve dhe po të jetë puna për shpërndarje, në këtë rast, ato, për një forcë madhore, po ju shpërndahen të gjithë qytetarëve me energji. Këta shokë e kanë hallin se duan me çdo kusht të rikthehet koha e tyre e regjimit të ndërprerjes së energjisë.
Për ta mbyllur këtë, do t'u rikujtoj atyre që mund ta kenë harruar, një seancë në Parlamentin Europian, në vitin 2002. Një gazetar, ndër më të shquarit, që më vonë u bë deputet në Parlamentin Europian u ngrit në një seancë e tha: Këta [shqiptarët] nuk kanë energji, jetojnë gjysmën e ditës pa drita, nuk kanë as ujë për t'u larë. Ç’punë kemi ne me ta? Ç’na lidh ne me ta? Dhe ky zotëri nuk është ndonjë nga ata që nuk i do shqiptarët, sepse unë e njoh atë, por ai tha një të vërtetë. Ashtu siç ishim ne, pa ujë dhe pa drita, ashtu siç e zhyste qeveria vendin atëherë në errësirë, duke mashtruar se nuk importohej dot energji se nuk mbanin linjat, vërtetë, ne ishim shumë larg tyre.
Eurodeputetët që ishin në sallë e kishin harruar kohën, kur në vendet e tyre mund të kishte vetëm pak orë energji. Ata nuk e kishin përjetuar atë kohë. Ndaj ne do të bëjmë gjithçka, që të mos përsëritet më ajo kohë. Ne nuk jemi të vetëmjaftueshëm në prodhimin e energjisë, por, për çdo shqiptar, sot është e qartë se, në rast se ndonjëherë është përparësuar në mënyrë absolute problemi i energjisë, është bërë nga kjo qeveri dhe nga kjo maxhorancë. Shumë shpejt, gjatë këtij viti hyjnë në prodhim një seri HEC-sh, të cilat do të rrisin ndjeshëm kapacitetin. Projekte të tjera të mëdha janë në zhvillim e sipër, projektet më të mëdha në historinë e vendit, investime si kaskada e Devollit dhe shpresojmë edhe projekte të tjera, të cilët shihen me interes shumë të madh në biznesin ndërkombëtar.
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Në 20 shkurt apo rreth 20 shkurtit, zoti Edi Rama, në një paradoks, por edhe i trishtuar nga kujtimi i asaj dite, mashtroi shqiptarët dhe rreshtoi një seri akuzash ndaj Partisë Demokratike se ka bllokuar reformën elektorale dhe atë të rregullores së Parlamentit. E bëri në kujtim të 20 shkurtit, të busteve të gjalla dhe të vdekura të rrëzuara, apo e bëri në prag të shqyrtimit që i bën këto ditë Këshilli i Ministrave të BE-së, problemeve të zgjerimit, këtë më mirë se kushdo tjetër e di ai vetë. Por e vërteta është se me urdhër të tij direkt, reforma e rregullores së Parlamentit u bllokua që në mbledhjen e parë. Unë dua t'i informoj qytetarët se ju, sigurisht, e dini se gjatë verës dhe vjeshtës që kaloi, në serialin e ultimatumeve të zotit Rama figuronte, një kusht ultimativ ishte gjithashtu që në rregulloren e Parlamentit t'i kufizohej kryeministrit të vendit, koha e fjalës në 10 minuta. Ndërkohë që Kushtetuta e çdo vendi demokratik, kryeministrit i njeh të drejtën e fjalës, si kryetar i maxhorancës, në çdo kohë që ai do të flasë. Këtë të drejtë e ka sanksionuar shumica paraardhëse në rregulloren e parlamentit. Zoti Rama, duke perceptuar qartë se shqiptarët nuk kanë ndërmend ta bëjnë ndonjëherë kryeministër, atëherë mendon se zgjidhja është t'i shkurtojë kohën kryeministrit. Kjo është qesharake! Ai nen i Kushtetutës është vendosur nga mazhoranca socialiste dhe nuk është prekur as në reformë. Nuk është kjo rruga, që z. Rama të mund të përballet me alternativat e kësaj shumice! Nuk është mëkat i Kushtetutës që i jep kryeministrit, si çdo Kushtetutë tjetër, fjalën, kur ai do të flasë në parlament, nuk është mëkati i shqiptarëve që e kanë nxjerrë tërësisht në pension politik përsa i përket detyrës së kryeministrit, është problemi i zotit Rama, është kryekëput problem i tij personal.
Së dyti, me porosi të tij, po për rregulloren e Parlamentit, sollën të gjitha propozimet që nuk ishin pranuar para nënshkrimit të marrëveshjes dhe që vetë socialistët pranuan të heqin dorë prej tyre, kur firmosën marrëveshjen. Pranuan para se të firmosnin. Zotërinjtë kërkonin me çdo kusht që 60 minutëshi, të ishte në fillim të seancës, në mënyrë që të bllokonin Parlamentin. Por kjo nuk mund të përsëritet më! Parlamenti është për të miratuar ligje dhe jo për t'u bllokuar. Vetë raportet ndërkombëtare e kanë vlerësuar si një akt pozitiv. Ai kërkoi si në një rast unik në botë, që dekretet të votohen fshehtas. Ndërkohë që ato janë akte ligjore dhe nuk mund të votohen, nuk ndodh kurrë, fshehtas. Unë e kuptoj, por të kërkojë votim nominal, siç është një mocion, që mbetet brenda një spektri dhe mund të pranohet, por të përmbysësh normat, të cilat nuk iu pranuan para se të firmosnin marrëveshjen - asnjë nga këto nuk u pranua dhe ata ranë dakord që komisioni të punojë tërësisht duke dystuar, duke prurë në përputhje të plotë çdo nen të rregullores së parlamentit me rregulloren e Parlamentit Europian. E kundërshtuan këtë për muaj dhe pastaj u detyruan ta pranojnë, e firmosën, e votuan dhe tani thotë se janë bllokuar reformat, sepse do me çdo kusht të thuhet se në Shqipëri nuk po ecin reformat.
Së treti, përsa i përket reformës zgjedhore. Në mënyrën më absolute, as në komision, as në grup të ekspertëve, nuk kanë paraqitur qoftë edhe një amendament të vetëm që nuk është shqyrtuar, miratuar. Por çfarë po bën? Gjer tani kanë sjellë propozime vetëm për dënime, dënime, dënime, dënime. Padiskutim që duhet të ketë penalitete, por të mendosh të vendosësh dënime me 7 e 8 vjet burg, nuk gjen gjykatës, se dhe gjykatësi nuk dënon aty, kur shikon se ligjvënësi shkruan marrëzira në ligj. Por si mund të dënosh dikë me 8 vjet burg, për një fletë votimi!? Mund ta dënosh, por jo 7 e 8 vjet burg, se kjo pastaj del sikur po lexon George Orwell. Absolutisht, vetëm në shtete të tilla mund të përcaktohen penalitete të tilla absurde. Përse e bën ai, këtë? E bën në një akt urrejtjeje dhe mosbesimi ndaj atyre komisionerëve, që me ndershmëri të plotë, në zbatim të plotë të ligjit, pavarësisht nga përkatësia partiake, firmosën disfatat e njëpasnjëshme të tij partiake. Nuk ta kanë fajin komisionerët, por fajin kërkoje tek vetja jote, përse nuk të besojnë shqiptarët! Ajo është diçka tjetër. Të kërkosh tani dënime 7-8 vjet, i bën ato të pazbatueshme.
Megjithatë i kemi pranuar, sepse nuk përbëjnë këto, problematikat më madhore. Këto u tregojnë shqiptarëve: Imagjinoni çfarë ka në shpirt dhe në mëndje ky njëri, sikur dikush të gabojë ndonjë ditë dhe të votojë në favor të tij! Kaq ishte e gjithë puna. Pra, ne nuk e kemi bllokuar, por jemi absolutisht të hapur për reformën. Një gjë duhet ta dije zoti Rama: Përpjekja për të mashtruar qytetarët shqiptarë, përpjekja për t'u paraqitur si i interesuar për reforma, ndërkohë që vetë i bllokon, është përpjekje qesharake. Absolutisht, e kam theksuar dhe e theksoj, asgjë nuk do të mund të kushtëzojë!
Ne i ofruam zotërisë së tij, të drejtën për të hartuar të gjithë legjislacionin zgjedhor, për ta dërguar në OSBE/ODIHR dhe për ta votuar në Parlament. Këtë e bëmë në besimin më të madh tek institucionet ndërkombëtare, se ato janë gardianët e parimeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. E hodhi poshtë! Dhe e hodhi poshtë se e di që nuk ka fitore në horizont dhe pastaj nuk do të mund të akuzonte më se mi morën votat apo nuk bënë reformën. Nuk do të kishte më akuza. I mbetej e gjitha mbi vetë. E refuzoi këtë dhe zgjodhi variantin e dytë. Varianti i dytë është variant kompromisi, por kurrë diktati. Harrojë këtë! Mësimi i parë, po të ishte se nxjerr mësim, - shkon e nxjerr mësim nga unë, duke u ndarë triskat të rinjve dhe mirë bën, nuk bën ndonjë të keqe - por mësimi i parë që duhet të nxjerrë është: Ultimatumi dhe kushti nuk i funksionon.
Trillon dhe thotë se po bllokon reformën, se do ta lidhë me presidentin! Por çfarë lidhje ka kjo, me presidentin? Presidenti ka një procedurë kushtetuese. Gjeja më absurde, i bllokon reformat, sepse ka frikë, se mos merret një vlerësim pozitiv për statusin. Unë jua kam thënë të mënyrë të përsëritur atë që thotë Faik Konica - “Zoti e ruajt Shqipërinë nga shqiptarët!”. Faik Konica nuk ka pasur kurrë parasysh popullin shqiptar. Absolutisht jo! Ai ka pasur parasysh individë të tillë. Sigurisht, vetë bërtet, vetë bllokon, vetë bllokon, vetë bërtet. Çfarë i konsideron njerëzit ky!?
Ne mbetemi të hapur për reformat. Ne jemi absolutisht të gatshëm të zbatojmë pikë për pikë përcaktimet e ODIHR-it, pa asnjë hezitim. Jemi të gatshëm të përshtatim rregulloren e parlamentit me pikë dhe presje, në çdo dallim që mund të ketë nga rregullorja e Parlamentit Europian. Ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me opozitën, brenda parimeve dhe ligjeve të këtij vendi, në interesin më të mirë. Koncepti i tyre se i votuan ligjet për ne, koncepti i tyre se këto i bëjnë për Sali Berishën, është koncept shumë i vjetër, i përket asaj kohe, kur qytetarët shumëzoheshin me zero. Ti zotëri nuk e ke aspak ndaj meje, detyrimin! Ti detyrimin e ke ndaj atyre që të kanë votuar dhe të kanë sjellë në parlament. Kjo është shumë e thjeshtë. Ti mendon se i lumturon dhe i përfaqëson ata, duke bllokuar!? Ta faktuan më 8 maj se cili ishte mendimi i tyre dhe do të ta faktojnë sërish në 2013. Je i vetmi, në historinë e Ballkanit dhe të Europës, që bllokon reformat që duhen për integrimin e vendit dhe kërkon kapital politik mbi bllokimin, kërkon kapital politik mbi fatkeqësitë natyrore! Asnjë tjetër nuk e bën, por kjo është çështje e tij me elektoratin. Shqiptarët janë fatlum që ky nuk mund të bllokojë, pasi është pa peshë, përsa i përket rrogave dhe pensioneve të tyre. Ky është i papeshë, përsa i përket reformave ekonomike të vendit, të cilat janë faktuar si një sukses i pakundërshtueshëm. Ky është i pa peshë dhe nuk mund të bllokojë investimet e huaja, me të cilat, vitin e kaluar, Shqipëria ishte i vetmi vend, në të cilin u rritën këto investimet. Ky është i pa peshë për të penguar veprimin energjik të qeverisë dhe të pushtetit, në tërësi, ndaj emergjencave të çdo lloji. Ky është i pa peshë për të penguar reformat e arsimit dhe transformimet e këtij sistemi. Ky nuk mund të pengojë ecjen e Shqipërisë drejt moshës dixhitale, me një shpejtësi ndër më të mëdhatë. Ky voton kundër dhe mban Parlamentin deri në pesë të mëngjesit, për të bllokuar projektet madhore infrastrukturore, por ato po bëhen. Shqiptarët e kanë të freskët propagandën e tij ndaj rrugës së kombit dhe seancën maratonë të Parlamentit shqiptar, për të bllokuar buxhetin për autostradën Tiranë–Elbasan. Ai është i pa peshë dhe nuk mund të bllokojë projektet kombëtare të ullirit dhe arrorëve. Ai nuk mund të bllokojë modernizimin e sistemit tonë shëndetësor. Ky bllokon ato ligje që varen nga vota me 3/5, një përcaktim i drejtë në Kushtetutë, sepse jo vetëm në Kushtetutë, por asnjëri nuk mund të mendojë që një forcë politike kryesore ta përdorë fuqinë që i jep votimi i cilësuar, për të ndëshkuar qytetarët e tij, për të bllokuar vendin, me bindjen se po dëmton qeverinë. Qeveria dëmtohet, kur dëmtohet vendi. Qeveria dëmtohet, kur dëmtohet qytetari. Por më shumë se kushdo tjetër, dëmtohet ai që ndërmerr një rrugë të tillë. Kjo është situata. Por unë doja të qartësojë shqiptarët se reformat i ka bllokuar ai që do me çdo kusht të bllokojë, të dëmtojë statusin. Absolutisht, edhe njëherë e them se nuk do të votoja kurrë për një vend, ku opozita nuk merr përsipër të votojë reformat, që janë interesi më i mirë i qytetarëve. Ata nuk kanë lexuar Konicën, por ju garantoj se arrijnë në të njëjtat konkluzione dhe në një mënyrë ose në një tjetër më është shprehur se si ka mundësi t'i bëhet kjo vendit. E thotë Konica: “Zoti e ruajt Shqipërinë nga shqiptarët”. Natyrisht nuk e ka fjalën për popullin, por e ka fjalën për persona të caktuar.
Faleminderit!
27/02/2012