E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në OGP, Ministri Pollo inkurajon shoqërinë civile të marrë një rol aktiv në hartimin e planit të veprimit të Shqipërisë

Sot, ministri për Inovacionin dhe TIK, njëkohësisht kryetar i Grupit Ndërministror të Punës për hartimin e planveprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur, OGP, thirri në një tryezë të rrumbullakët përfaqësues të shoqërisë civile në vend, për të diskutuar rreth marrjes së angazhimeve të Shqipërisë për një qeverisje të hapur.

Gjatë takimit ministri Pollo theksoi se: “Komiteti Drejtues i OGP-së nuk është i përbërë vetëm nga shtetet themeluese të partneritetit, por edhe nga organizata të shoqërisë civile nga e gjithë bota, si partnerë në këtë iniciativë. Dhe sot në këtë takim ju nuk jeni thjesht të ftuar, unë ju inkurajoj të luani një rol aktiv në këtë nismë të qeverisë shqiptare, të jeni partnerët tanë të barabartë, duke ofruar ide të reja dhe duke na ndihmuar për të marrë vendime më të mira, sidomos në procesin e hartimit të planveprimit tonë për OGP-në.”

GNP- ja e kryesuar nga ministri Pollo është ngritur me urdhër të Kryeministrit (nr. 104 datë 28 dhjetor 2011) dhe ka për anëtarë zëvendësministra të kabinetit qeverisës, këshilltarin e Kryeministrit për Shoqërinë e Informacionit dhe drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Ky grup pune është duke hartuar një plan veprimi me angazhime konkrete 1-2-vjeçare për një qeverisje më transparente, planveprim që duhet të dorëzohet në OGP në prill 2012.

Partneriteti për Qeverisje te Hapur, OGP, është një nismë e re shumëpalëshe që synon të sigurojë angazhime konkrete nga ana e qeverive për të nxitur transparencën, fuqizimin e qytetarëve në vendimmarrje, luftën kundër korrupsionit, dhe të shfrytëzojë teknologjitë e reja për të forcuar qeverisjen. Në frymën e bashkëpunimit me shumë aktorë, OGP është mbikëqyrur nga një Komitet Drejtues të qeverive dhe organizata të shoqërisë civile.

Organizatat e Shoqërisë Civile në Komitetin Drejtues të OGP-së.

•Africa Center for Open Governance (Kenia),

•Instituto de Estudos Socioeconômicos (Brazil),

•Instituto Mexicano para la Competitividad (Meksikë),

•International Budget Partnership (Intl),

•MKSS (Indi),

•National Security Archives (US),

•Revenue Watch Institute (Intl),

•Transparency and Accountability Initiative (Intl),

•Twaweza (Tanzani)

Për t'u bërë një anëtar i OGP-së, vendet pjesëmarrëse duhet të plotësojnë disa kritere, të përqafojnë Deklaratën e OGP-së, të dorëzojnë një planveprimi të qeverisë së tyre, dhe të angazhohen për raportim të pavarur mbi progresin e bërë. Iniciativa Open Government Partnership (www.opengovpartnership.org) është lançuar në shtator të vitit të kaluar dhe bashkëkryesohet nga presidentët Barack Obama dhe Dilma Roussef të SHBA-ve dhe Brazilit, me anëtarë të parë, shtetet që kanë firmosur Deklaratën e OGP-së: Indonezia, Meksika, Norvegjia, Filipinet, Afrika e Jugut, Britania e Madhe.

I pranishëm në ceremoninë e lançimit të iniciativës së OGP-së në New York, më 21 shtator 2011, Kryeministri z. Sali Berisha u shpreh: “Shqipëria është një vend që po bën përpjekjet më serioze në drejtim të një qeverisje më transparente. Në këtë Forum, Shqipëria gjen një frymëzim dhe angazhohet të zbatojë një për një të gjitha zotimet e angazhimet që rrjedhin nga anëtarësia në këtë nismë.”

Ndërsa në letrën e pranimit të Shqipërisë në OGP, datuar në 2 gusht 2011, ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo shkruan ndër të tjera: “Vendi im, vitet e fundit ka shënuar arritje në luftën kundër korrupsionit dhe kthimin e qeverisjes në më të hapur dhe transparente për qytetarët. Jam i sigurt që pjesëmarrja e Shqipërisë në OGP do të bëjë të mundur që të mësojmë nga eksperiencat e vendeve të tjera dhe gjithashtu Shqipëria t’i paraqesë vendeve anëtare apo aspirante në OGP sfidat dhe sukseset e saj në këtë fushë.”

Që nga shtatori 2011, përveç Shqipërisë, OGP ka përshëndetur angazhimin e 52 qeverive të tjera për t'iu bashkuar Partneritetit.


24/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›