Fjala e kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit parlamentarë të Partisë Demokratike

Zotërinj deputetë,
Zoti Kryetar i Grupit,
Së pari, ju përshëndes përzemërsisht dhe ju bëj thirrje të përqendrohemi në maksimumin tonë si ekzekutues, si legjislativ dhe si të gjitha kapacitetet, në mënyrë që të mund të lehtësojmë dhe ndihmojmë banorët e zonave të rrethuara nga dëbora qe janë me rrugë të bllokuara. Të bëjmë gjithçka, për tu ofruar në maksimumin e mundshëm ndihmën, emergjencën, për të cilën ata kanë nevojë. Ky është një dimër, që ka rikthyer në memorien e shqiptarëve dimrat e dikurshëm, persa i përket dëborës dhe nga ana tjetër është shoqëruar me një pakësim të paprecedent të ujërave në kaskadën e Drinit.
Është importuar energji sa kurrë ndonjëherë, është bërë gjithçka që energjia të mos mungojë për shkak të furnizimit, dispozimit të saj dhe do të bëhet gjithçka që të furnizohen me të nga sipërmarrja e shpërndarjes CEZ, në mënyrë që qytetarët shqiptarë dhe veprimtaria tërësore të mos vuajë për mungesë energjie. Çmimet janë shumë të kripura, sepse edhe në Rajon, eksportues të rëndësishme të energjisë, janë shndërruar prej kohësh në importues të saj. Por vendimi ynë është i prerë dhe përfundimtar. Ne do ta blejmë atë sa kohë që do ta gjejmë, në mënyrë që vendi të mos njohë, të mos vuajë mungesën e saj.
Natyrisht në çdo rrethanë, kjo do të përballohet me ndërhyrjen e buxhetit, sepse mundësitë e tjera janë pothuaj ezauruar tërësisht. E vërteta është që pavarësisht nga reshjet e shiut në Tiranë, apo reshjet e mëdha të dëborës në të gjithë zonën veriore apo verilindore të vendit, digat janë në nivelet më të ulta historike te tyre. Ju informova për këtë situatë, e cila është jo pak problematike për prodhimin e energjisë, por ne vazhdojmë ti mbetemi principit se çmimi më i lartë i saj, është mungesa e saj. Bazuar në këtë princip, ne do të mbështesim KESH-in, për importimin e sasive të nevojshme, ndonëse konsumi ka arritur vlera të paimagjinueshme, pak vite më parë, në 27 milion kilovat orë dhe më shumë.
Unë po kthehem nga Konferenca e Sigurisë në Mynih. Kjo ishte Konferenca e 48-të, e cila mbahet që nga themelimi i saj dhe vlerësohet si "Davosi i Sigurisë" në të vërtetë, kjo është Konferenca më e rëndësishme vjetore që organizohet për sigurinë dhe ishte realisht jashtëzakonisht e veçantë. Kjo Konferencë ndoqi me shumë interes ekspozenë, për herë të parë të Sekretares së Departamentit të Shtetit Hillari Clinton dhe të Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes Leon Panetta. Zakonisht, njëri prej tyre i është adresuar kësaj konference, kjo ishte hera e parë që dy qeveritarët ndër më të lartët të SHBA-së, iu drejtuan Konferencës së Mynihut dhe paraqiten Strategjinë e Re të Sigurisë të qeverisë së SHBA-së, e cila do të ketë në vitet në vazhdim arenë kryesore Azinë dhe Pacifikun, duke dhënë të gjitha garancitë e plota se, Europa dhe Aleanca, mbeten tërësisht të pacenuara, por siç dihet bota është zhvendosur veçanërisht gjatë këtij 10 vjeçari me një shpejtësi të paparashikuar drejt Azisë dhe Pacifikut dhe në këtë kontekst, Strategjia e Sigurisë dhe e mbrojtjes së SHBA, por dhe Alenca e Atlantikut të Veriut në tërësi do të kenë këtë zonë, që bëhet tashmë rajoni kryesor i zhvillimeve globale.
Në rrafshin ekonomik, ekonomia e parë në botë është ekonomia e Bashkimit Evropian, kurse si shtet është e SHBA, kjo është e vërteta, por ritmet e ngjitjes së Azisë janë shumë të mëdha. Kështu që ka një realitet, që disa studiues duan ta quajnë bota post- perëndimore. Ky realitet vjen si një produkt i globalizmit dhe efekteve të tij, të zhvillimit të fuqishme të vendeve të kontinentit Aziatik dhe të Pacifikut.
Konferenca ishte për sigurinë, por pikërisht në kuadrin e sigurisë, dy çështje morën trajtimin më të gjerë, energjia dhe siguria. Kriza ekonomike dhe siguria ishin edhe dy çështje, të cilat u debatuan nga panelistë të elitës botërore, të kësaj fushe dhe për të cilat sigurisht Shqipëria, ka interesat e veta të mëdha. Në një seancë të veçantë u diskutua për korridoret e energjisë dhe dominoi tërësisht mendimi, se korridori i rrymës së jugut është i një rëndësie shumë të madh për furnizimin dhe sigurinë energjetike të Europës, Korridori i quajtur; The Southern Corridor “Korridori i Jugut”, siç dihet ka disa variante, por varianti më fizibël, më i besueshëm, është varianti i gazsjellësit Trans-Adriatik, i cili kalon në territorin e Shqipërisë dhe realizon ndër të tjera, 1 miliard euro investime. Kalimi nëpër territorin e Shqipërisë, i kursen këtij projekti disa miliard euro dhe e bënë këtë projektin më të shkurtër dhe më të shpejtë për tu realizuar. Kjo është një periudhë përcaktuese, sepse gjatë këtyre dy- tre muajve, merret vendimi përfundimtar nga Konsorsiumi i detit Kaspik i përbërë nga një grup kompanish, ku natyrisht ndër më kryesoret është fjala e kompanisë kombëtare të Azerbajxhanit, vend që ka fushën e Shah Denizit, fushë me sasi kolosale gazi. Ka shumë tregues që duke e krahasuar këtë projekt me të gjitha projektet e tjera nga Nabuco dhe tre -katër projekte të tjera, Trans-Adriatik është më i mundshmi.
Unë, pata rastin aty të takoj dhe të bisedoj, përzemërsisht shkurt me Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Heydar Oglu Aliev, por nga mesi i kësaj jave unë shkoj në një vizitë zyrtare në këtë vend mik, ku sigurisht këto probleme dhe marrëdhëniet e gjithanshme bilaterale me Azerbajxhanin janë dhe axhendë shumë e rëndësishme e vizitës sime, që do të jetë me datat 9-10 shkurt në Azerbajxhan. Seanca ndër më të rëndësishmet ishte sigurisht dhe ajo që trajtoi krizën ekonomie, e cila kishte panelist të një reputacioni botërore si, Mario Monti dhe që u adresua me një fjalë, George Soros, Presidenti i Deutsche Bank Ackermann dhe Schäublug ish- ministri i financave të koalicionit të gjerë të Gjermanisë. Pati një interes të jashtëzakonshme dhe epiqendër sigurisht ishte Robert Zoellick Presidenti i Bankës Botërore. Pati një analizë shumë të rëndësishme mbi krizën dhe rrugët e daljes prej saj. Në ekspozenë e tij kryeministri Monti, informoi dhe njohu audiencën me gjithë përpjekjet e qeverisë italiane për reformat e ndërmarra dhe rritjen e konkurueshmërisë, si rruga e vetme për të dalë nga kriza, sigurisht dhe shkurtimin e shpenzimeve. Në këtë debat disa konkluzione ishin unanime. Më kryesori ishte ky; masat e ashpërsisë nuk nxorën nga kriza, jo. Përkundrazi kanë peshën e tyre kanë përgjegjësinë e tyre, në një recension të pa shmangshëm që troket. Masat e ashpërsisë kanë konsistuar në dy shtylla kryesore, zvogëlim të madh të shpenzimeve dhe rritje të taksave të ndryshme për të shtuar të ardhurat.
Kjo politikë, sipas diskutantëve kryesorë të panelit, nuk dha rezultatet e pritura, përkundrazi, ka pasur përkeqësime të qarta në disa raste. Kjo ndodhi sepse kjo nuk u shoqërua me masat e rritjes dhe kërkohet një qëndrim i ri, agresiv, për të nxitur rritjen ekonomike. Nuk është se këto nuk janë të domosdoshme, sepse po shpenzove pa kriter, sigurisht që shkon në katastrofë. Por problemi dhe kërkesa më kryesore është balancimi i tyre me politikat,me stimujt e rritjes ekonomike, si kusht për të dalë nga kriza. Mendimi që mbizotëroi ishte se kjo do të jetë një krizë e gjatë, që së paku do të marrë rreth 7 vite, sipas presidentit të Deutsche Bank, por edhe nga të tjerë personalitete. Me rëndësi kryesore u theksuan masat e rritjes, jo vetëm masat e ashpërsisë, të cilat sigurisht duhen. Por është e domosdoshme që ato të balancohen me masat e rritjes. Në fund të fundit, kriza ka në themel kompetivitetin dhe kësaj nuk i jep kurrë përgjigje duke rritur taksat dhe duke dëmtuar biznesin. Është mendimi i përgjithshëm se këto masa po shpejtojnë afrimin e depresioni dhe thellimin e depresionit. Nobelistë të shquar si Pol Krugman, deklarojnë se nuk jemi në vitin ‘33 por jemi në vitin ‘35. Pra, përsëri pesha e krizës është shumë e madhe dhe pa një paketë të re masash për të nxitur rritjen, nuk do të mund të dilet nga kriza.
Ekonomia shqiptare, në raport me atë globale, është një ekonomi e vogël, por një ekonomi e cila, në mënyrën më të shkëlqyer ia doli t’i rezistojë krizës, gjatë këtyre viteve. Në qoftë se ju do të lexoni për krizën e katër viteve të fundit, do të gjeni se kjo është e vetmja ekonomi në Evropë që, në katër vitet e fundit të marra së bashku, ka pasur 18 për qind rritje ekonomike dhe kjo rritje ekonomike është e certifikuar nga të gjitha institucionet ndërkombëtare. Në katër vitet e marra së bashku, kjo ekonomi ka bërë të mundur që, në katër vjet, të dyfishohen rrogat e mësuesve, infermierëve, mjekëve, ndërkohë që në vendet e tjera shkurtimi i rrogave ka qenë, nga 25 në 40 për qind. Në Shqipëri rrogat janë rritur në katër vitet e fundit si në asnjë vend tjetër. Kjo ekonomi ka bërë që Shqipëria, në vitet 2006-2010, të rrisë investimet e huaja me 316 për qind, ka bërë që në 3 vitet e fundit të ketë një mesatare prej 1 miliardë dollarë investime të huaja direkte. Këto shifra nuk janë as të qeverisë apo të ndonjë institucioni shqiptar, janë shifra të UNCTAD, i cili është edhe institucioni me mundësinë më absolute për të kontrolluar çdo qindarkë që realizohet në një vend nëpërmjet kontrollit të transaksioneve. Pra, kjo ekonomi është e vetmja ekonomi që krijoi edhe në kulmin e krizës vende të reja pune. Unë e kuptoj atë zotërinë që bën "ciu ciu", - ju e keni marrë vesh besoj se atij i kanë thënë që më mirë mos dil në media se të humbet vota, ndaj më mirë bëj "ciu ciu". Absolutisht, as edhe njerëzit më të afërt të partisë së tij nuk i binden, sepse ai ka një fantazi dhe e vuan shumë suksesin ekonomik të vendit. Suksesi ekonomik i vendit e trishton atë deri në palcë, e dëshpëron atë, sepse ai thotë janë 1 milionë të papunë. Është i vetmi që u tha shqiptarëve në vitin 2009 se qeveria po mashtron dhe nuk do t’i rrisë rrogat, ndërkohë që ne, rritjen e rrogave e afruam kohë më para, vetëm për të mos e lidhur këtë gjë me zgjedhjet. Por ai u thoshte shqiptarëve se nuk keni për t’i marrë kurrë ato para, në vitin 2009. Ndërsa në vitin 2010 e quajti akt kriminal rritjen e rrogave dhe pensioneve, ndërkohë që ai ishte akti më human, më njerëzor, më i përgjegjshëm. Zotëria në atë kohë nuk bënte më "ciu ciu", por dilte ne konferenca shtypi, sepse i ndryshon mënyrat sipas këshilltarëve që merr.
Por, pavarësisht këtyre qëndrimeve, këto janë realitetet të pamohueshme të ekonomisë shqiptare.
Meqenëse të hënën e kaluar u dhashë disa të dhëna mbi 9-mujorin e vitit të kaluar, tani do t’ju njoftoj se cilat janë të dhënat e ekonomisë shqiptare, sipas deklaratave të vet biznesmenëve, sipas asaj që kanë deklaruar biznesmenët mbi xhiron dhe shitjet e tyre.
Sipas këtyre deklaratave;
Qarkullimi në sektorin e prodhimit në vitin 2011, krahasuar me vitin 2010 ishte 21.47 për qind më i madh. Në ndërtim, ishte 7.4 për qind më i madh. (Atij i falimenton Fideli dhe mendon se i falimentoi bota, jo Shqipëria, por bota). Tregtia ishte 17.85 për qind më shumë. Shërbimet 56.17 për qind më shumë, transporti 8.74 për qind më shumë. Në total është 22.89 për qind më shumë. Shitjet e tatueshme kanë qenë; në sektorin e prodhimit 23.24 për qind më shumë, në ndërtim 5.33 për qind më shumë, në tregti 12.65 për qind më shumë. Në total janë 11 për qind më shumë. Eksportet në total kanë qenë 31 për qind më shumë. Ndërsa shitjet e përjashtuara nga TVSH kanë qenë; prodhime 19.96 për qind, ndërtimi 26 për qind, shërbimet 180 për qind, sipas vet deklarimeve dhe, në total, 60.43 për qind.
Këto janë të gjitha të dhënat mbi xhiron dhe shitjet totale të kësaj ekonomie në vitin 2011, gjë që dëshmon për dinamizmin, për funksionimin e modelit, i cili pa diskutim ndikohet nga të gjitha zhvillimet përreth e më gjerë, sepse kjo nuk është një ekonomi e shkëputur nga ekonomia rajonale, evropiane, globale. Por modeli i saj funksionon, është model i bazuar në lirinë ekonomike, i bazuar në taksa të ulëta, i bazuar në administratë të vogël. Ju e dini që bashkia e Tiranës kishte punonjës më shumë se të gjitha ministritë e marra së bashku. Prandaj, bashkia e Tiranës, në katër vite, ndonëse i 2 dhe 4 fishoi taksat mbi qytetarët e Tiranës, mbi bizneset, faktikisht asfaltoi gjithsej 12 km rrugica dhe la qytetin 2 vjet të bllokuar me projektin e qendrës. Edhe atë nuk e përfundonte dot. Sigurisht, kur e rrit numrin e punonjësve në 5200, ndërkohë që të gjitha ministritë të marra së bashku nuk kanë as 4 mijë punonjës, atëherë paratë i shndërron në sevape të partisë dhe i le qytetarët në infrastrukturën e botës së tretë.
Ndaj dhe njëherë, dua t’ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike. Ne nuk themi që kjo është koha më e mirë. Jo!. Kjo është koha më e vështirë, pa diskutim. Por qeveria ka bërë dhe do të bëjë gjithçka që kjo kohë të përballohet me vendosmërinë më të madhe dhe që projektet të vazhdojnë. Ky shoku që asfaltoi gjithsej 12 km rrugica në 4 vjet, harron që në këto katër vjet u ndërtuan dhe po ndërtohen mijëra e mijëra kilometra rrugë në mbarë vendin dhe ndër to, 2 kurorat e infrastrukturës shqiptare, rruga e Kombit dhe rruga e Elbasanit që po bëhet. Unë e përgëzoj atë sepse tani i lejon deputetët e tij të udhëtojnë në këtë rrugë (rruga e Kombit), sepse nuk i lejonte. A e dini ju që rruga Murat Toptani u është ndaluar dhe nuk qarkullon asnjë deputet socialist aty? Ju mund të qeshni, por është absolutisht e vërtetë. Vet e la ashtu 2 vjet atë rrugë. Por rrugës së Kombit ia ka hequr traun dhe i lejon ata të kalojnë, sepse deputetët socialistë i binin nga Maqedonia për të shkuar në Kosovë. Ndërkohë po bëhet rruga e Elbasanit. Ju e mbani mend sesi na mbajtën në seancë deri në 5 të mëngjesit, nga tmerri i tunelit. Tani e votuan vendimin për kredinë e fundit për këtë rrugë dhe i përgëzoj për këtë.
Këto janë arritjet e këtyre 4 viteve. Unë nuk them se kanë qene fushë me lule e as bulevard, por kanë qenë vite të këtyre arritjeve të pa diskutueshme. Por kryetari i opozitës nuk merret me realitetin, por merret me fantazinë që krijon dhe, me fabrikën e tij të mendimit që i përfundon me 01 për qind në zgjedhjet e fundit, manipulon në mënyrë trashanike mediat që i kontrollon. Por prapë, duhet ta pranojmë se, që kur bashkia u vendos mbi baza të reja, edhe gjërat po shkojnë drejt proporcioneve normale në të gjitha aspektet.
Ndaj dhe unë i përshëndes mediat, i falënderoj për të gjitha kronikat që japin, i siguroj se i ndjek me interes, edhe kur e teprojnë me ndonjë gjë që nuk qëndron, sërish nuk është ajo që përbën tiparin kryesor të tyre. E rëndësishme është që ato informojnë në mënyrë të pandërprerë qytetarët shqiptarë, mbi një realitet të ndryshëm si dita me natën nga ai që ka në mendje kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama
06/02/2012