E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimet e miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave

  V E N D I M

 

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SHTESË TË MARRËVESHJES  SË FINANCIMIT, NËNSHKRUAR MË 23 DHJETOR 2010, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE KFË FRANKFURT AM MAIN,  PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT “INFRASTRUKTURA BASHKIAKE I” (FONDET E GRANTIT IPA, 2010), SISTEMI  I FURNIZIMIT ME UJË DHE KANALIZIME PËR QYTETET FIER, GJIROKASTËR, LEZHË DHE SARANDË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes shtesë të marrëveshjes së financimit, nënshkruar më 23 dhjetor 2010, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfË Frankfurt am Main, për financimin e programit “Infrastruktura bashkiake I” (Fondet e grantit IPA, 2010), sistemi i furnizimit me ujë dhe kanalizime për qytetet Fier, Gjirokastër, Lezhë dhe Sarandë”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

***
 
V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË DOKUMENTIT TË RISHIKIMIT TË SKEDULIT 2, TË MARRËVESHJES SË HUASË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT OPEC PËR ZHVILLIM NDËRKOMBËTAR, PËR ZHVILLIMIN E QËNDRUESHËM TË ZONAVE RURALE MALORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të dokumentit të rishikimit të skedulit 2, të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale malore, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.


K R Y E M I N I S T R I
 
SALI BERISHA

***
 
 V E N D I M

 
PËR

KOMPENSIMIN E VLERËS SË TAKSËS SË BIZNESIT TË VOGËL, TË PËRDORUR PËR RIMBURSIMIN E PAJISJEVE FISKALE
DHE TAKSIMETRAVE, PËR 3 BASHKI DHE 7 KOMUNA


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.10487, datë 5.12.2011, “Për buxhetin e vitit 2012”, me propozimin e  ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kompensimin e vlerës se taksës së biznesit të vogël, të përdorur për rimbursimin e vlerës së pajisjeve fiskale dhe taksimetrave, për njësite e qeverisjes vendore, për 3 bashki dhe 7 komuna, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ky fond, në vlerë 16 486 455 (gjashtëmbëdhjetë milionë e katërqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind e pesëdhjetë e pesë) lekë, përballohet nga Fondi i Kontigjencës, i miratuar në buxhetin e vitit 2012.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

    K R Y E M I N I S T R I


SALI BERISHA


***
 
V E N D I M

 

PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMEVE TË MARRËVESHJES SË THEMELIMIT TË BANKËS EUROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (BERZH)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.7525, datë 3.12.1991, “Për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, dhe të nenit 2, të ligjit nr.10 429, datë 9.6.2011, “Për ratifikimin e vendimeve të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), rezoluta nr.126, “Rritja e kapitalit thmeltar të autorizuar, emetimi i aksioneve të paguara dhe pagesa nëpërmjet rialokimit të të ardhurave neto”, (shtojca A) dhe rezoluta nr.128, “Shtimi i kapitalit themeltar të autorizuar emetimi dhe nënshkrimi i kapitalit të shlyeshëm nëse kërkohet dhe shlyerja”, (shtojca B) si dhe dokumenti, “Informacion për hapat që duhet të merren pas mbledhjes vjetore të vitit 2010””, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e ndryshimeve të marrëveshjes së themelimit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I


SALI BERISHA

***
 
 V E N D I M

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.718, DATË 29.10.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LISTËN    E PERSONAVE TË SHPALLUR SI FINANCUES TË TERRORIZMIT”, TË NDRYSHUAR


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 5, të    ligjit nr.9258, datë 15.7.2004, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:


Në listën e personave të shpallur sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit  (“Lista e OKB-së”), që i bashkëlidhet vendimit nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në fund të shkronjës “C”, “Lista e individëve, anëtarë ose bashkëpunëtorë, me organizatën AI-Qaida”, shtohen personat e renditur në listën “a”,  “Lista e individëve, anëtarë ose bashkëpunëtorë, me organizatën AI-Qaida”, si anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën AI-Qaida, sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për personat që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues, për talebanët dhe organizatën Al-Qaida.

2. Në fund të shkronjës “D”, “Lista e kompanive që i takojnë ose bashkëpunojnë me organizatën Al-Qaida”, shtohen personat e renditur në listën “b”, “Lista e kompanive që i takojnë ose bashkëpunojnë me organizatën Al-Qaida”, si kompani që i takojnë ose bashkëpunojnë me organizatën Al-Qaida, sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për personat që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues, për talebanët dhe organizatën Al-Qaida.

3. Nga lista e shkronjës “C”, “Lista e individëve, anëtarë ose bashkëpunëtorë, me organizatën AI-Qaida”, hiqen personat e renditur në listën “c”, “Lista e të çregjistruarve nga “Lista e individëve, anëtarë ose bashkëpunëtorë, me organizatën Al-Qaida”, si persona të çregjistruar nga anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Qaida me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N  I S T R I
 

SALI  BERISHA

***
 
 V E N D I M

 

PËR

MIRATIMIN E LISTËS PARAPRAKE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM
TË BASHKISË KOPLIK, TË QARKUT TË SHKODRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe  të neneve 2, 3 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e listës  paraprake të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të bashkisë Koplik, të qarkut të Shkodrës, sipas lidhje 1, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi.
Lista paraprake, sipas kërkesave të këshillit të kësaj bashkie, është pjesë e listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që janë brenda juridiksionit territorial dhe administrativ të bashkisë Koplik, të qarkut të Shkodrës, miratuar me vendimin nr.296, datë 12.3.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore në bashkinë Koplik, të qarkut të Shkodrës”.

Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe bashkia Koplik për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

                                                                           
K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

***
 
V E N D I M

 

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.28, DATË 9.1.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LEJES PËR NDËRTIMIN DHE SHFRYTËZIMIN E LINJËS TREGTARE TË INTERKONJEKSIONIT ME RRYMË  TË VAZHDUAR, NDËRMJET VLORËS (SHQIPËRI)
DHE BRINDZI - JUG (ITALI)”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 31, të ligjit nr.9072 datë 22.5.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në tekstin e Lejes nr.2, datë 10.12.2007, dhënë nga ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës shoqërisë “Moncada Construuzioni” s.r.l., “Për ndërtimin dhe shfrytëzimin e linjës tregtare të interkonjeksionit me rrymë të vazhduar, ndërmjet Vlorës (Shqipëri) dhe Brindisi - Jug (Itali)”, të miratuar dhe që i bashkëlidhet vendimit nr.28, datë 9.1.2008, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a) paragrafi i katërt ndryshohet si më poshtë:

“Afatet për ndërtimin dhe vënien në punë të linjës duhet të jenë: fillimi i punimeve të ndërtimit jo më vonë se data 31 dhjetor 2012, dhe afati i përfundimit jo me vonë se data 31 dhjetor 2015;” .

b) Paragrafi i gjashtë shfuqizohet.

2. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë. Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
 

SALI BERISHA

***
 
 V E N D I M

PËR
MIRATIMIN NË PARIM, TË KONVENTËS C167, TË ORGANIZATËS NDËRKOMBËTARE TË PUNËS (ILO), “PËR SIGURINË
DHE SHËNDETIN NË NDËRTIM”, 1988

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:


Miratimin,  në parim, të konventës C167, të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), “Për sigurinë dhe shëndetin në ndërtim”, 1988, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

***
 
 V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.787,  DATË 14.12.2005, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE DHE TË MASËS SË NDIHMËS EKONOMIKE”, TË NDRYSHUAR


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 19, pika 3, 20, pika 2, 29, pika 10 e 35, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.787, datë 14.12.2005, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në pikën 1 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

a) Shkronja “c” riformulohet, si më poshtë vijon:

“c) jetimët, të cilët nuk janë në institucione;”.

b)  Pas shkronjës “d” shtohet shkronja “dh”, me këtë përmbajtje:

“dh). Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.”.

2.  Në fund të paragrafit të parë, të pikës 2, shtohen fjalët “… duke deklaruar edhe personin madhor, që do të administrojë paratë.”.

3. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:

“2/1. Kërkesa sipas pikës 2, të këtij vendimi, plotësohet nga kryetari i familjes dhe bashkëshortja, kur ata janë në proces zgjidhjeje martese dhe për këtë proces nuk ka ende një vendim gjykate të formës së prerë.”.

4. Në fund të pikës 6, shtohen fjalët “… vërtetimin e gjykatës, që kryetari i familjes dhe bashkëshortja janë në proces zgjidhjeje martese .”.

5. Në pikën 7, fjalët “... e moshës 18-25 vjeç …” zëvendësohen me “… që nuk janë në institucione ...”.

6. Pas pikës 7/1 shtohet pika 7/2, me këtë përmbajtje:

“7/1.Viktima e dhunës në marrëdhëniet familjare paraqet dokumentacionin e mëposhtëm:

a).  Kopje të noterizuar të letërnjoftimit;
b). Kopje të noterizuar të vendimit të gjykatës, për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.”.
 
7. Pas pikës 18/1 shtohen pikat 18/2, 18/3, 18/4 e 18/5,  me këtë përmbajtje:

     “18.2. Masa e ndihmës ekonomike për viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare është 3 000 (tre mijë) lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet gjatë periudhës së vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të përcaktuar në vendimin e gjykatës.

 18.3. Për anëtarin e familjes në nevojë, që është person me aftësi të kufizuara, invalid pune, nuk i llogaritet masë ndihme ekonomike në strukturën e masës së ndihmës ekonomike për familjen.

18.4. Familjes, së cilës nuk i llogaritet masa e ndihmës ekonomike si kryefamijar, sipas pikës 18.3, të këtij vendimi, dhe në përbërjen e strukturës së re, për efekt të llogaritjes së masës së ndihmës ekonomike, mbetet vetëm një anëtar, masa e ndihmës ekonomike për këtë të fundit është ajo e llogaritur për këtë anëtar, pavarësisht nga përcaktimet e pikës 23, të këtij vendimi.

18.5. Për kryetarin e familjes dhe bashkëshorten, të cilët janë në proces zgjidhjeje martese, proces për të cilin nuk ka ende një vendim gjykate të formës së prerë, masa e ndihmës ekonomike për secilin prej tyre është 2 600 (dy mijë e gjashtëqind lekë) në muaj. Kësaj mase i shtohet masa e ndihmës ekonomike për anëtarët e familjes, që jetojnë bashkë me të, sipas përcaktimeve të pikës 23, të këtij vendimi.”.

8. Pika 19 ndryshohet, si më poshtë vijon:

    “19.Masa e plotë e ndihmës ekonomike, pavarësisht nga përbërja e familjes, nuk mund të jetë më e lartë se 8 000 (tetë mijë) lekë në muaj.”.

9. Modulari nr.2, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet sipas formatit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

10. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e miratuara për vitin 2012, për Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

11. Ngarkohen Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe njësitë e qeverisjes vendore (bashki/komuna) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 shkurt 2012.


K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


***
V E N D I M


PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2012, MIRATUAR   PËR MINISTRINË E DREJTËSISË, PËR PAGESËN E SHPENZIMEVE ADMINISTRATIVE TË ARBITRAZHIT NDËRKOMBËTAR    PËR ÇËSHTJEN “BURIMI SRL .E EAGLE GAMES, SH.A., KUNDËR REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”


 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 12, të ligjit nr.10 487, datë 19.12.2011, “Për buxhetin e vitit 2012”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
 

V E N D O S I:

 
1.  Në buxhetin e vitit 2012, miratuar për Ministrinë e Drejtësisë, të shtohet fondi  100 000 (njëqind mijë) USD, për të përballuar shpenzimet administrative të arbitrazhit ndërkombëtar, për çështjen “Burimi Srl .E Eagle Games, sh.a., kundër Republikës së Shqipërisë”, që zhvillohet në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Konflikteve në Investimet (ICSID).

2.  Fondi 100 000 (njëqind mijë) USD, i konvertuar në lekë me kursin e këmbimit të Bankës së Shqipërisë në datën kur do të kryhet pagesa, i transferohet Ministrisë së Drejtësisë për të bërë pagesën.
 
3.  Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
 
4. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.


K R Y E M I N I S T R I

    SALI BERISHA

***
 
V E N D I M
 

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.502, DATË 13.7.2011,   TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN     E RREGULLORES UNIFORME TË KONTROLLIT TË ZHVILLIMIT TË TERRITORIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 62, të ligjit nr.10 119, datë  23.4.2009, “Për planifikimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave


 
  V E N D O S I:

Pika 1, e nenit 47, të “Rregullores uniforme të kontrollit të zhvillimit të territorit”, miratuar me vendimin nr.502, datë 13.7.2011, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Vendimet e miratuara nga KRRTRSH-ja, para fillimit me efekte të plota të ligjit nr.10 119, datë 23.4.2009, “Për planifikimin e territorit”, të ndryshuar, mbeten në fuqi.”.

   Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I
 

SALI BERISHA


07/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›