Fjala e kryeministrit Berisha në seancën e sotme parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë
Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e sotme me konsensus të plotë, ratifikimin e Konventës së Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”
Përpara miratimit të kësaj Konvente, kryeministri Berisha në fjalën e mbajtur u shpreh:
E nderuar zonja kryetare e Parlamentit
Të nderuara zonja parlamentare
Zotërinj deputetë
Të dashur qytetarë e qytetare shqiptarë
Sot po diskutojmë për ratifikimin e një Konvente, e cila ka si frymëzim kryesor dhe qëllim madhor shembjen tullë pas tulle dhe gur pas guri të një muri 5 mijë vjeçar të patriarkisë. Mur i ndërtuar ky në tërësi nga instiktet më të errëta njerëzore, mur i ndërtuar ky nga doktrina pseudo - shkencore të elaboruara që nga lashtësia deri në ditët e sotme, mur ky i cili përbën faktorin kryesor të dhunimit të lirive dhe të drejtave njerëzore në një shoqëri të lirë. Mur që ndan pabarazinë e pamerituar mes burrit dhe gruas, motrës dhe vëllait, midis nënës dhe babait. Beteja kundër këtij muri është beteja më fisnike që shoqëritë e lira mund të ndërmarrin për të shndërruar në realitet atë parim të madh njerëzor dhe hyjnor të barazisë së qytetarëve të tyre. Kjo betejë është ndër më të vështirat, kjo betejë është shumë planëshe, ndaj dhe është në detyrën më kryesore të të gjithë faktorëve më të rëndësishëm të një shoqërie të lirë të angazhohen në këtë betejë në mënyrën me serioze. Nuk mund të behet fjalë për një komb të emancipuar në rast se pabarazia gjinore nuk shkon drejt një zvogëlimi progresiv dhe ata të cilët kanë lexuar dhe studiojnë problemet e kësaj pabarazie, që mbahet nga muri i patriarkisë, gjejnë në historikun e tij se ka patur zhvillime me ecje para por edhe parapa kthehu. Kjo nuk u ka ndodhur vetëm vendeve të reja në historinë e demokracisë, por kjo ju ka ndodhur demokracive më të konsoliduara të planetit. U ndala në këtë shembull për të theksuar se është jashtëzakonisht jetike për një shoqëri trajtimi më serioz, më i gjithanshëm i këtij problemi. Le të marrim gruan shqiptare. Nuk ka dyshim se roli dhe progresi i saj në vitet e lirisë është disa herë më i madh sesa ç’ishte më parë. Por ka ndonjë rast në të cilin ka regres?! Absolutisht po, dhe ky rast është dhuna çnjerëzore ndaj tyre. Nuk ka qenë kurrë në traditën edhe më të hershme e më të lashtë të familjes shqiptare vrasja e grave. As në ligjet e vjetra dhe as në normat e mëvonshme. Kjo nuk ka ndodhur. Nuk është se ka pasur trajtimin që ka sot, por në këtë aspekt qëndrimi ka qenë jo ky që është sot, në të cilin vritet nëna, vritet vajza, vritet motra. Nuk ka akte më të shëmtuara se këto. Kjo nuk është vetëm një dukuri shqiptare, për fat të keq janë vende të tjera që numërojnë jo pak viktima të dhunës familjare dhe ky fenomen, e vërteta është që vjen në rritje, vjen në rritje në Shqipëri për hir të së vërtetës, vjen në rritje dhe gjetiu. Çka do të thotë se një emergjencë duhet shpallur kundër këtij fenomeni çnjerëzor. Ai që arrin të ekzekutojë njeriun e vet është pa diskutim me krimineli i krimineleve, ndaj dhe duhet ta fillojmë nga ky akt pasi duhet të jemi realist. Vite më parë organet tona të drejtësisë, krimin në familje e trajtonin si një rrethanë lehtësuese. Gjë e turpshme. Në vend që të ndëshkohej si rrethanë më renduese, atë e quanin si çështje të brendshme. I kam në memorje dënimet simbolike të viteve të para. Nuk është më kjo situatë edhe drejtësia ka reflektuar, por sërish ligjvënësit mund të përcaktojnë ligje dhe rregulla, që të mund të kenë efektin maksimal parandalues. Diçka tjetër është më e rëndësishme. Krijimi i një opinioni të përgjithshëm në mbrojtje të vajzave, motrave, nënave nga një agresion barbar i pamerituar. Sigurisht parlamenti ka rolin e vet, organizatat e shoqërisë civile kanë rol të pazëvendësueshëm, por ne na takon që këtë fenomen, që për hir të së vërtetës nuk ka qenë kurrë në këto përmasa ka mundësi as edhe 200 vite më parë. Neve na ka dalë ky fenomen dhe ne duhet të krijojmë të bëjmë çdo përpjekje, të mobilizojmë çdo burim për ta frenuar atë. Natyrisht muri i patriarkisë ka të bëjë shumë me barazinë ekonomike, por këtu mund t’ju them se rezultate të prekshme janë regjistruar. Në vitin 2005 një studim i Bankës Botërore faktoi se diferenca në paga midis burrave dhe grave në Shqipëri ishte 36 për qind. Kjo ishte e pa pranueshme pasi ishte një diferencë që tregonte qartësisht sesa të pabarabartë ishin. Kjo diferencë në vitin 2008 për disa arsye ka zbritur në 17.7 për qind dhe është me 0.1 për qind dallim nga mesatarja e Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst Shqipëria lë prapa 10 vendet të Bashkimit Evropian, por ne përsëri kemi mundësi të mëdha ta ngushtojmë këtë diferencë nëpërmjet përcaktimit të dokumenteve zyrtare të ngushtimit të pabarazisë financiare gjinore, nëpërmjet adresimit të sistemit të kreditimit, nëpërmjet favorizimit dhe stimujve për biznesin e grave, nëpërmjet punësimit të tyre. Nuk ka diskutim se themelor në luftën kundër kësaj pabarazie dhe kundër këtij muri është karriera. Po të vështrojmë shkollat e larta kemi raport të shkëlqyer ku vajzat dominojnë 6 deri në 9 për qind dhe kjo është arritje e madhe, por çdo karrierë e këputur do të thotë vendosje të saj në orbitën topitëse shtëpiake. Çdo karrierë e këputur do të thotë humbje progresive e dijeve që ajo ka kontraktuar do të thotë që shoqëria të mos mund të marrë, të mos shfrytëzojë dot potencialin e madh intelektual ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka të inkurajojmë gratë dhe vajzat, pavarësisht nga statusi i tyre që të ndjekin karrierën. Historia provon se ato janë të afta të përballojnë si detyrimet që rrjedhin nga karriera ashtu edhe detyrimet që rrjedhin nga familjet. Testet e fundit të psikologjisë të Flintit, më të besueshmet sot, caktojnë se në shkallën e inteligjencës femrat kanë lënë prapa burrat dhe kjo është e vërtetë. Në qoftë se ju u referoheni shkrimtarëve të kohës, absolutisht ato janë në të gjitha aspektet. Ndaj dhe unë ju ftoj që debatet ti bëjmë në një plan konkret. Kryetari i PS në një takim me te rinjtë po ju thoshte se gjyshi im kishte një biblioteke ndaj dhe unë u bëra mik i librit. Më duhet ti them se e vetmja arkivë e gjyshit tim ishin armët e llojeve të ndryshme, por në fëmijërinë time me të hershme ato nuk më penguan të jem mik i librit.
###
Fjala e Kryeministrit Berisha pas ndërhyrjes së Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruci.
Shfrytëzoj rastin ti bëj thirrje z. Rama edhe njëherë, që këtë muaj unik në histori, pasi nuk do të kemi mundësi unë dhe zoti Rama pavarësisht nga dallimi në moshë të festojmë 100 vjetorin tjetër, por të paktën në këtë muaj, le ta frymëzojë ky muaj dhe të bashkohemi për interesat më madhore dhe të votojmë ato tre ligje, të cilat i pret me padurim çdo shqiptar që ti shohë të votuara si një detyrim që rrjedh nga kërkesat e Komisionit Europian për statusin e vendit. Unë dhe njëherë theksoj se në rast se ju keni vërejtje dhe amendime, ne jemi të hapur të trajtojmë çdo problem, por përsa i përket situatës në qarkun e Fierit formula e propozuar dje që të venë në votëbesim çdo këshilltar qarku në çdo këshill bashkiak dhe komune. Kjo është zgjidhja më e qytetëruar, sepse bllokimi i këtyre ligjeve për një situatë, të cilën nuk e lidh në mënyrë absolute askush, është dëmtim i interesave jetike të çdo qytetari.
Unë mendoj se kjo ofertë nuk ka bazë të hidhet poshtë ndaj dhe nëse doni të procedojmë me marrëveshje dhe ne jemi të gatshëm të vendosim mocionin për secilin, por as unë dhe as ju nuk mund të diktojmë votën e këshilltarëve. Kam kërkuar ndonjëherë që Paulini (Sterkaj) të kalojë në anën tjetër? Jo pasi ka të drejtë Paulini, ka të drejtë të ndryshojë partinë. Mos të nxjerrim pengesë fenomene të cilat janë të legjitimuar në ligjet shqiptare dhe në ligjet demokratike në mbarë botën. Ajo që mund të bëjmë është mocion për çdo kryetar qarku në këshillat komunale dhe bashkiake.
###
Nuk është për tu habitur fjalori i zotërisë (Rucit) pas fotos me kërriçin që kryetari i tij (Rama) postoi në të gjithë botën. Është një axhustim me situatën e re të krijuar në partinë e tij. Por meqenëse përpiqet dhe shfrytëzon platformën për mashtrim, unë dua t’ju them qytetarëve shqiptarë se kjo që thotë zotëria është gënjeshtër banale fund e krye. Sepse neni 32 i qeverisjes vendore ju njeh këshillave të komunave dhe bashkisë të drejtën për dhënien dhe heqjen e mandatit të këshilltarëve të këshillave të qarkut. Se neni 32 autorizon këshillat e bashkive dhe komunave për tu dhënë dhe hequr mandatin anëtarëve të këshillave dhe komunave. Se neni 32 përcakton qartësisht mënyrën e ndërtimit të këshillave të qarkut.
Të nderuar zotërinj
Përveç kësaj ka një vendim të gjykatave në çdo shkallë, vendim i cili lë në fuqi kryetarin aktual dhe aktet ligjore të firmosura prej tij gjersa çështja të shqyrtohet në themel. Është e lehtë të shfrytëzosh këtu platformën për të dezinformuar qytetarët shqiptarë. Çfarë thotë vendimi i gjykatave, se po këto këshilla kanë votuar për së dyti këshilltarë të tjerë dhe se nuk ka gjykatë në botë në një vend të lirë që të mund ti heqë këshillit atributin e dhënies dhe heqjes së mandatit për këshilltarët e qarkut. Është njëlloj si të thuash se deputetët nuk kanë atributin për të dhënë dhe hequr mandatin e ministrave të qeverisë. Por në cilin vend ndodh, në rastin kur një qeveri humbet shumicën dhe vazhdon të qeverisë, të thotë se fitova votat dikur. Kjo nuk mund të ndodhë, kjo është një logjikë jashtëzakonisht rudimentale. Kanë vendosur gjykatat dhe këshillat kanë shqyrtuar vendimet e gjykatave dhe kanë votuar përfaqësuesit e tyre ne përputhje me ligjin. Absolutisht po! Atëherë pse ti ke frikë që ti çojmë në mocion që të gjithë e ti votojmë. Cili forum i zgjedhur mbi tokë nuk ka të drejtën e mocionit? Nuk ekziston kurrë. Kjo është vetëm në interesin tuaj për të bllokuar. Unë ju bëj thirrje ju dhe njëherë mos bllokoni Shqipërinë për një procedurë, e cila nuk ka të bëjë me asgjë tjetër veçse me sedrën personale. E dini çfarë ju thotë kryetari juaj të tjerëve - "nuk mundem, sepse grupi i udhëheqësve të mi të Fierit nuk më lejon". Unë prapë ju bëj thirrje si forcë politike kryesore e opozitës të ngriheni në lartësinë e detyrimeve tuaja. Të votoni tre ligje të kërkuara në mënyrë eksplicite nga Bashkimi Evropian. Ju mendoni se nëse statusi votohet Sali Berisha merr spaleta por jeni krejtësisht të gabuar sepse nëse statusi jepet spaleta dhe nderim merr çdo qytetar shqiptar. Ju jeni të gabuar nëse mendoni se duke bllokuar statusin do të dëmtoni Sali Berishën, e vërteta është se dëmtoni çdo shqiptarë, dëmtoni edhe Sali Berishën, por më shumë se këdo tjetër dëmtoni veten tuaj, forcën tuaj politike dhe unë mendoj dhe ju ftoj ta shqyrtoni me gjakftohtësish këtë problem. Janë kërkuar në mënyrë eksplicite tre ligje dhe problemi nuk qëndron se ka një vakum ligjor, jo, ky është një test a duan shqiptarët të dëgjojnë kërkesat tona për të votuar ato ligje që përmirësojnë sistemin tonë të drejtësisë, statusin e nënpunësit civil dhe ndryshimet në parlament. Nëse ne ju themi nuk duam, do të thotë se nuk ka një konsensus për procesin e integrimit, do të thotë se një forcë politike nuk ngrihet mbi interesat e ngushta të karriges për pushtet dhe rezulton se do të bllokojnë.
A mendoni ju kur kërkoni ndryshimin e Rregullores në një formë të atillë, e cila krijon dy kryeministra në vend. A e mendoni ju se kjo nuk ekziston kurrkund në botë, a e mendoni ju se kjo është në kundërshtim flagrant me parimet më themelore të Kushtetutës. A e mendoni ju se gjatë viteve që shkuan Sali Berisha të kishte qenë i barabartë me një kryeministër do ishit futur çdo ditë nën tavolinë. Duhet ti mendoni gjerat para se ti propozoni. Nuk krijohen dy kryeministra me ligj. Ju kështu tregoni se mendoni se jeni opozitë e përjetshme.
I ka thënë një mik atij, i tha se "ti je një politikan shumë, shumë i mirë, për një kohë shumë, shumë të gjatë në opozitë".
08/11/2012