E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në promovimin e librit "Pavarësia, udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit", të autorit Ilir Ikonomi

Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në promovimin e librit "Pavarësia, udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit", të autorit Ilir Ikonomi. Ky libër sjell me hollësi, përmes fakteve dhe qëmtimit të mijëra dokumenteve historike të arkivave, udhëtimin e paharruar të themeluesit të pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalit, nga Stambolli për në Vlorë. Libri është botim i Shtëpisë Botuese UET.

Kryeministri Berisha falënderoi z. Ikonomi për sjelljen e një vepre të tillë, duke vlerësuar se ai, jo vetëm ka vendosur një monument për themeluesin e pavarësisë, por ka vendosur një monument në letërsinë historike të vendit. Kryeministri nënvizoi faktin se në këtë vepër, edhe pse Ilir Ikonomi ka derdhur gjithë atë dashuri e admirim ndaj themeluesit të pavarësisë,  nuk ka shmangur as edhe një dokument të vetëm historik, por i ka pasqyruar të gjitha aty, duke i bërë një shërbim të madh shkencave historike të vendit.

Kryeministri theksoi se në këtë 100 vjetor, ka një  rëndësi të jashtëzakonshme fakti që historianët, studiuesit, publicistët, ndërmorën me studimet e tyre, paraqitjen e veprave të shkëlqyera, të cilat kanë bërë që kurrë më, historia e kombit tonë  të mos jetë ajo e shkruara që ka qenë deri tani. “Ne e kemi pasur nevojë jetike këtë gjë, sepse një komb nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa raportin e tij me të vërtetën. Në Shqipëri, ne i kishim ato të deformuara, në Kosovë, ne i kishim të ndaluara në shkallë ekstreme”, u shpreh Kryeministri.

Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, unë dua të përshëndes shumë përzemërsisht Ilir Ikonomin për këtë monument madhështor që ai paraqet sot para kombit shqiptar, për themeluesin e pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalin.

Libri, në një aspekt, është një apoteozë e vërtetë për burrin që, në kushtet më të vështira të ekzistencës sonë, në kushtet kur një perandori në të cilën shqiptarët kishin qenë pjesë e saj rreth 400-500 vjet, po shembej, në kushtet kur fqinjët u vërsulën për ta asgjësuar kombin jetim dhe të pambrojtur shqiptar, kombin pa shtet, ky burrë, zyrtar nga më të lartët e perandorisë osmane, që kishte bërë përpjekjet më të  mëdha për reformimin e saj, i përkushtohet tërësisht çështjes shqiptare, i përkushtohet çështjes kombëtare dhe, me të gjithë qenien e tij, bën gjithçka për të garantuar ekzistencën politike të kombit shqiptar, të cilin Kongresi i Berlinit e kishte dënuar me vdekje në rrafshin politik. Kongresi i Berlinit kishte shpallur se shqiptarët nuk janë një komb shtet-formues, por thjesht një nocion territorial. Ishin tre dekada përpjekje të mëdha të shqiptarëve, pasi ata, në ngjarjen më të rëndësishme të kohës dhe me verdiktin e më të fuqishmëve të asaj kohe, u përpoqën t’i dalin zot vetes së tyre.

Ismail Qemali ishte një ideator e frymëzues i këtyre lëvizjeve, të cilat filluan si lëvizje për autonomi. Është mirë që ne shqiptarët, historinë ta interpretojmë në kontekstin e saj, sepse në të kundërt, bëhemi folklorik dhe folklori nuk na shërben shumë në histori. Duhet të jemi realist, se lëvizja autonomiste krijoi nocionin e Shqipërisë etnike. Ishte ajo lëvizje që kërkoi bashkimin e vilajeteve, nën Portën e lartë, por ama bashkimin e tyre. Kërkoi pra, krijimin e Shqipërisë etnike, e cila ishte një e drejtë e patjetërsueshme e shqiptarëve.

Por lufta e parë ballkanike ishte lufta e cila u bë pikërisht për shkak të lëvizjes autonomiste të shqiptarëve, sepse fqinjët tanë e kuptuan se shqiptarët po ecnin me shpejtësi drejt shtetit të tyre të pavarur dhe ata ndërmorën betejat më të egra kundër të sëmurit të Bosforit, por këto të gjitha në kurriz të trevave shqiptare, të cilat do të përdoreshin për t’u marrë vesh njëri me tjetrin. Në këto rrethana, Ismail Qemali, ky atdhetar, diplomat, deshendent padyshim i familjes më të famshme të kombit shqiptar në perandorinë otomane, merr këtë udhëtim, që ngjan si një udhëtim biblik, jo tashmë për Shqipërinë etnike, por për Shqipërinë jetike (do t’i marr hua këtë term që ka përdorur autori në librin e tij).

Nuk  dua të ndalem në analizën historike, por dua ta përgëzoj autorin sepse, jo vetëm ka vendosur një monument për themeluesin e pavarësisë, por ka vendosur një monument në letërsinë historike të vendit. Unë kam admiruar faktin se Ilir Ikonomi ka derdhur gjithë atë dashuri e admirim ndaj themeluesit të pavarësisë, por nuk ka shmangur as edhe një dokument të vetëm historik. Për hir të  së vërtetës historike, ai i ka pasqyruar të gjitha aty, duke i bërë një shërbim të madh shkencave historike të vendit.

Unë mendoj se mënyra se si e ka paraqitur këtë udhëtim dhe Ismail Qemalin, autori e ka vendosur atë si një figurë, ashtu siç është, në qendër të historisë sonë kombëtare, por natyrisht, si të gjithë të tjerët, në doktrinë, askush nuk del jashtë teorisë së gabimeve.

Është një moment shumë i veçantë në libër, ku Ilir Ikonomi jep një intervistë të Ismail Qemalit dhënë një gazete italiane, pak ditë pas shpalljes së pavarësisë, në të cilën Kryeministri i Shqipërisë së pavarur deklaron se ai kishte punuar shumë për të reformuar perandorinë osmane dhe rikthehet e rikujton një deklaratë të Jeferson, e cila është absolutisht identike, e bërë 140 vjet më parë, tek shpalli pavarësinë, ku Jeferson deklaron se “askush më shumë se unë nuk ishte për bashkëjetesën me Mbretërinë e Bashkuar, por kur na u vendosën ato kondita, kjo e bëri të pamundur qëndrimin tim”. I tillë ishte edhe qëndrimi i prijësit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Të dashur miq,

Ky 100 vjetor është pa diskutim një piedestal i kombit dhe ka shumë arsye që shqiptarët të ndihen krenarë, por edhe reflektiv për 100 vitet e shkuara. Ajo që unë mendoj se ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme, është fakti se në këtë 100 vjetor, historianët, studiuesit, publicistët ndërmorën me studimet e tyre, paraqitjen e veprave të shkëlqyera, të cilat kanë bërë që kurrë më, historia e këtij kombi dhe e këtij vendit të mos jetë ajo e shkruara, siç ka qenë më parë. Ne e kemi pasur nevojë jetike këtë. Një komb nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa raporti i tij me të vërtetën dhe të vërtetat historike janë të vërtetat më të para të një kombi të qytetëruar. Në Shqipëri, ne i kishim ato të deformuara, në Kosovë, ne i kishim të ndaluara, të ndaluara në shkallë ekstreme.

Në këtë 100 vjetor, po paraqiten, njëri pas tjetrit, monumentet e të vërtetave historike kombëtare. Kur bisedoja me një mik timin, duke i thënë se duhej të rishikonte disa gjëra, ai m’u përgjigj; “Ç’të bëj unë me rreth 5000 faqe të shkruara?” Nuk është ky argumenti. Argumenti dhe qëndrimi ynë është se çfarë të bëjmë me të vërtetën. Ne duhet të nxjerrim të vërtetën. Sido që të na duket, ajo është nga më uniket, sepse vështirë të gjesh një histori më të vështirë se tonën, por vështirë të gjesh edhe një histori tjetër, kur një komb, gjatë shekujve, është ngritur nga hiri. Atëherë kur mendonin se po e zhduknin, ai ngrihej përsëri.

 Të dashur miq,

Në këtë libër, ka një fjalim të Thomas Maderit, një demokrat i madh, një themelues i shtetit mik. E lexova me vëmendje dhe mund t’u them se një fjalim të tillë e kam dëgjuar edhe para 4 vitesh, natyrisht jo kundër shqiptarëve, por në mbrojtje të verbër të serbëve në një çështje shumë të padrejtë. E them këtë sepse sigurisht historia ndryshon, gjërat ndryshojnë, por nuk ndryshojnë aq shumë sa mendojmë ne.

Ndaj edhe njëherë, unë dua t’ju falënderoj shumë për këtë libër z. Ikonomi, për këtë kryevepër që ke shkruar dhe dua të bëj edhe një falënderim tjetër publik edhe për veprën tjetër për Faik Konicën. Ke përzgjedhur, pa diskutim, shqiptarin më inteligjent. Nuk them në politikë, por në letra. Si shqiptar, asnjë tjetër nuk shpreh në gjithçka karakterin e shqiptarit, sa Faik Konica dhe ti e ke paraqitur atë me vërtetësinë më të madhe. Faleminderit”.


07/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›