E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Të votojmë tre ligjet e kërkuara nga KE për integrimin, në interesin më të mirë kombëtar

Kryeministri Berisha i ripërsëriti sot, kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Edi Rama, ftesën për të shqyrtuar e miratuar bashkërisht, në parlament, tre ligjet e kërkuara nga Komisioni Europian, për t’u përmbushur si pjesë e reformave të procesit integrues. Duke folur nga mbledhja e qeverisë, Kryeministri tha se të besosh se mund të krijosh kapital politik nga bllokimi i tyre, është absurde.  

“Unë jam i bindur se, në rast se do të udhëhiqemi nga interesi jetik i qytetarëve shqiptarë, nga interesi i shoqërisë shqiptare, nga interesi kombëtar, i cili është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, nuk mund të ketë asnjë pengesë për votimin e këtyre tre ligjeve.”  

Fjala e Kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë.

“Mbledhja ka një seri çështjes, por sërish shfrytëzoj rastin të ftoj kryetarin e opozitës, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, të autorizojë deputetët e tij për të shqyrtuar në parlament tre ligjet, që janë kërkesë e qartë e Komisionit Europian, për t’u votuar në mënyrë që Komisioni të mund të informojë vendet anëtare që Shqipëria përmbushi plotësisht edhe tre kërkesat e lëna për t’i realizuar gjatë muajit nëntor. Unë jam i bindur se, në rast se do të udhëhiqemi nga interesi jetik i qytetarëve shqiptarë, nga interesi i shoqërisë shqiptare, nga interesi kombëtar, i cili është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, nuk mund të ketë asnjë pengesë për votimin e këtyre tre ligjeve.

Amendimet në ligjin për Gjykatën e Lartë janë diktuar tërësisht nga grupi i Partisë Socialiste, i cili kërkoi në ligjin e Gjykatës Administrative, të shtohet kolegji administrativ në Gjykatën e Lartë dhe ne e pranuam, pavarësisht se hartuesit e ligjit nuk e kishin parashikuar, nuk e konsideronin të nevojshëm. Por ne jemi të gatshëm për të dëgjuar propozime të tjera të grupit të deputetëve socialistë për këtë ligj, në mënyrë që ai të votohet bashkërisht. Ky ligj është hartuar me mbështetjen e EURALIUS, një mision i vendosur pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe që Bashkimi i Europian paguan për të asistuar institucionet e shtetit shqiptar, në të gjitha çështjet ligjore dhe të zbatimit të tyre.

Po kështu, ligji për Shërbimin Civil është hartuar me ndihmën e një kompanie, që ka ekspertizën më të madhe në Europë në çështjen e ligjeve të shërbimit civil dhe të ligjeve të së drejtës publike. Ligji është në parlament dhe, në qoftë se Partia Socialiste ka vërejtje apo sugjerime, ne jemi të hapur plotësisht t’i pranojmë ato, mjafton që ne të konsolidojmë më tej shërbimin civil. Disa nga konceptet janë pak të ndryshme nga ato që kemi, por ne i jemi përmbajtur strikt konceptit të depolitizimit. Megjithatë ne jemi të hapur ndaj Partisë Socialiste, për të marrë vërejtjet dhe sugjerimet e reja që ata kanë.

Përsa i përket rregullores së parlamentit dhe fatmirësisht, kësaj here me dëshmitarë, edhe më shumë se një, unë pranova që pas fjalës kryesore të kryeministrit, kryetari i opozitës të marrë fjalën jo dy minuta, siç e ka të drejtë sot, por me rregullore ta marrë fjalën 10 minuta. Meqenëse kryetari i opozitës kërkon me çdo kusht të shpallet kryeministër edhe kur nuk është, më duhet t’i them të informohet mirë. Në të gjitha protokollet e vendeve të lira, kryetari i opozitës ka statusin e një ministri dhe nuk mund të ketë status tjetër. Këtë status, me të gjitha aspektet, unë jam i pari që i a kam akorduar zotit Rama dhe është vepruar shumë drejtë. Nuk e kam nxjerrë ndonjëherë këtë tezë, pasi kam menduar se gradualisht do ta realizojë. Vendi nuk mund të ketë dy statuse të njëjta, ndaj Kushtetuta parashikon të drejtën e kryeministrit si të drejtë kryeministri dhe kjo ka logjikë të thellë ligjore dhe të gjithanshme. Është absolutisht e paimagjinueshme që parlamenti të shndërrohet në një arenë të dy vetëve. Kjo nuk mundtë ndodhë. Por, sigurisht, pas fjalës të kryeministrit, unë kam shumë kënaqësi që kryetari i opozitës, në rastin konkret Gramoz Ruci, të marrë fjalën.

Zoti Rama shtron problemin e Fierit. Unë dua të informoj shqiptarët se, meqenëse ky problem po stërzgjatet, nuk ka një njeri të lirë, shqiptar a i huaj, që të mund të lidhë ligjin e Gjykatës së Lartë me problemin e Fierit. Absolutisht, as edhe një i vetëm, sepse janë dy gjëra tërësisht të palidhshme. Por, në rast se zoti Rama dyshon në statusin aktual të qarkut të Fierit, të kryetarit, të anëtarëve të qarkut, unë i ofroj një kompromis të qartë politik. Ky kompromis është që secili nga anëtarët e qarkut dhe të gjitha instancat t’i nënshtrohen mocionit të besimit, ata që vijnë nga bashkia, në këshillat bashkiake, ata që vijnë nga komunat, në këshillat komunalë. Përbërja e këshillit të mund të përcaktohet nëpërmjet këtij votimi, por jashtë kushteve ligjore, askush nuk mund të cenojë mandatin e këshilltarit. Këshilltari i qarkut është deputeti i komunës apo bashkisë në këshillin e qarkut, pasi këshilltari i komunës është deputeti i komunës në komunë dhe ai i bashkisë i qytetit. E kam thënë me dhjetëra herë, a më ka dëgjuar ndonjëherë zoti Rama të shkoj në gjykatë apo të ankohem për Paulinin? Absolutisht jo! Njerëzit janë të lirë, nuk janë skllevër as të kryetarit e as të partisë, se ç’mund të them për njerëzit e mi që kanë ndërruar kampin.

Unë mendoj të mos lidhim të palidhshmen, por të votojmë ligjin, në interesin më të mirë. Por, meqenëse zoti Rama ka bërë një kazus të madh për Fierin, t’i vendosim të gjithë në mocion. Kjo është oferta më e ndershme. Nuk duhet të kemi frikë nga mocioni. Nuk mund t’i mohosh kurrë të drejtën ligjore të emërimit dhe shkarkimit të anëtarëve të këshillave të qarkut, këshillave të komunave dhe bashkive. Kjo është e sanksionuar në një ligj themelor për pushtetin vendor dhe në një parim universal të të zgjedhurve. Nëse do të tregosh vullnet, për t’iu përmbajtur zotimi të vjeshtës së vitit 2011, sipas të cilit Partia Socialiste nuk do të bllokonte më, por do të votonte të gjitha ligjet e reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian, zgjidhja është. Këto tre ligje janë kërkuar në mënyrë të qartë nga Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule në konferencën për shtyp, kur paraqiti Raportin e Progresit për Shqipërinë. Është absurde të besosh se mund të krijosh kapital politik nga bllokimi i tyre. Dua t’i rikujtoj se, nëse lexon studiuesit më të mëdhenj të kohërave për shqiptarët,  në çdo lloj rrethane, me shkollë e pa shkollë, kudo ku kanë jetuar, pasaportën ata e kanë njësoj: inteligjentë. Gjenitë e fushave si Kretschmer etj. kanë studiuar patentën e tyre psikologjike dhe të intelektit. Ndaj të mos mendohet se qytetarët shqiptarë nuk janë në gjendje të bëjnë dallimin midis këshillit të qarkut të Fierit dhe kërkesës së Komisioni Europian, për marrjen e statusit nga Shqipëria. Për këto tre ligje ka zero vakum dhe ligjet ekzistuese nuk janë të vjetra, janë ligje të reja. Por fakti që kërkohen dhe zoti Rama i refuzon është sinjali më i keq që ne i dërgojmë Europës, që përfaqësuesit e këtij populli nuk kanë vullnetin për të shtyrë përpara procesin e integrimit.”


07/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›