Kryeministri Berisha: “Shqipëria, vend i zhvilluar” ka në themel politikën e ndërtimit dhe vizionin e ndryshimit
Kryeministri Berisha tha sot, se Shqipëria ka shënuar në këto vite, ndryshimet më të mëdha në historinë e saj dhe katër vitet e ardhshme janë vitet e finalizimit të projektit – Shqipëria, vend i zhvilluar.
Kryeministri, duke folur në ceremoninë e përfundimit të ujësjellësit në zonën e plazhit Shkozet-Plepa, në Durrës, tha se Shqipëria, vend të zhvilluar është objektiv madhor që ka në themel politikën e ndërtimit dhe vizionin e ndryshimit.
“Ne, kudo që shkojmë, nuk ofrojmë fjalë boshe e slogane, por shkolla të reja, ujësjellës të rinj, kanalizime të reja, biznese të reja, ofrojmë tërheqje të bizneseve të huaja, ofrojmë hidrocentrale të reja të ndërtuara në të katër anët e vendit, zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë, ofrojmë shumëfishim të turizmit. Këto do të jenë ofertat tona për katër vitet që vijnë, sepse këto janë edhe nevojat më të ngutshme, më të ndjeshme të qytetarëve shqiptarë.”
Ndërsa përshëndeti përfundimin e ujësjellësit të ri, një investim me vlerë 1 milionë euro, Kryeministri tha se gjatë këtyre viteve, në furnizimin me ujë janë investuar mbi 500 milionë dollarë dhe rreth 97 përqind e qytetarëve furnizohen sot, me ujë të rrjedhshëm, duke garantuar se furnizimi i tyre me ujë, 24 orë, është ndër përparësitë në programin e qeverisë. Sistemi i furnizimit me ujë dhe i kanalizimeve, tha Kryeministri, është ndër veprat më të kushtueshme, por edhe më jetiket për komunitet tona. Edhe ujësjellësi i sapo inauguruar i jep zgjidhje problematikës së furnizimit me ujë të pijshëm të zonës së plazhit. Pas investimeve të bëra në rrjetin e ujësjellësve në Durrës, është bërë e mundur furnizimi 24 orë me ujë të pijshëm i rreth 15 mijë familjeve.
Fjala e Kryeministrit në inaugurimin e ujësjellësit.
“Ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë time të veçantë që sapo inauguruam sëbashku rindërtimin e plotë të rrjetit të furnizimit me ujë të 15 mijë banorëve të kësaj zone, rindërtim prej rreth 1 milionë euro e që bën të mundur furnizimin me ujë, pa ndërprerë 24 orë, të familjeve tuaja. Unë ju siguroj se ne do të bëjmë gjithçka që qytetarët e Durrësit e të mbarë Shqipërisë të kenë furnizim me ujë 24 orë, me cilësinë më të lartë.
Në këto vitet qeverisjes sonë, ne kemi investuar në furnizimin me ujë, të qytetarëve shqiptare, mbi 500 milionë dollarë. Ne ia kemi dalë që sot rreth 97 përqind e të gjithë qytetarëve të vendit të furnizohen me ujë të rrjedhshëm, natyrisht, jo 24 orë, por të rrjedhshëm. Objektivi ynë është të ecim me shpejtësi drejt garantimit të furnizimit të tyre me ujë, 24 orë. Sistemi i furnizimit me ujë dhe i kanalizimeve janë ndër veprat më të kushtueshme, por janë edhe më jetiket për komunitet tona. Në këtë kontekst, kam kënaqësinë të informoj shqiptarët se janë 60 projekte të financuara për sistemet e kanalizimeve të vendit. 14 projekte të tjera janë në ndërtim e sipër për pastrimin e ujërave të zeza, në mënyrë që ujërat në liqene dhe detet tona, nga Velipoja në Ksamil të jenë ndër më të pastrit në Europë. Ne do të bëjmë gjithçka, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kenë furnizim me ujë të cilësisë më të lartë dhe që ujërat e tyre në dete e liqene të jenë ndër më të pastrit e kushtet më të mira.
Zonja e zotërinj,
Tek inauguronim përfundimin e punimeve të këtij ujësjellësi, një zonjë në pragun e shtëpisë më tha se ujësjellësi është gjë shumë madhe për ne, por tani na duhet edhe rruga. Kjo zonjë kishte shumë të drejtë se rruga ishte e paasfaltuar. Dhe nuk është vetëm kjo rrugë e paasfaltuar, janë mijëra kilometra rrugë të paasfaltuara në Shqipëri. Në këto 6 vite, ne kemi asfaltuar mbi 10 mijë kilometra rrugë në të katër anët e vendit dhe gjatë 2-3 vitet të ardhshme, ne jemi të vendosur të asfaltojmë çdo kilometër rrugë, kudo në Shqipëri. Ne kemi ndërtuar në 6 vite, siç thotë Komisioni Europian, më shumë rrugë se të gjitha e vendet e rajonit të marra sëbashku. Ne po finalizojmë një infrastrukturë ndër më modernet në Ballkan e më gjerë.
Ne po ecim drejt zgjedhjeve të vitit 2013. Në sytë e çdo qytetari, që takoj, lexoj të shkruar fjalën fitore, lexoj besimin e madh të tyre tek fitorja e sigurt e zgjedhjeve të vitit 2013, vendosmërinë e tyre për të rendur pas çdo vote, vendosmërinë e tyre për të hartuar sëbashku, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo komunitet e kudo, programin e përgjithshëm për katër vitet që vijnë, të shndërrimit të Shqipërisë në vend të zhvilluar, programin e përgjithshëm të ndërtimit të Shqipërisë europiane.
Ne ecim drejt zgjedhjeve të ardhshme, pasi trokasim në çdo zemër e çdo mendje, si gratë e burrat që kemi mbajtur fjalën, si njerëzit që do të flasim me vepra e jo me fjale boshe. Kudo që shkojmë, ne flasim e do të flasim me rrugë dhe rrugët që do të ndërtojmë. Kudo që shkojmë, ne flasim me rritjen e rrogave dhe rrogat që do të rrisim më tej. Kudo që shkojmë, ne flasim e do të flasim për rritjen e pensioneve dhe pensionet që do të rrisim më tej. Kudo që shkojmë, ne flasim e do të flasim për vendet e punës, qëllimin tonë më madhor. Sot, jemi vendi i vetëm, në të cilin, sipas Komisionit Europian, papunësia jo vetëm që nuk është rritur, por është ulur në mënyrë progresive dhe ne jemi të vendosur që në programin e ardhshëm ta shndërrojmë sërish punësimin, krijimin e vendeve të punës, qëllimin tonë më madhor. Ne, kudo që shkojmë, nuk ofrojmë fjalë boshe e slogane, por shkolla të reja, ujësjellës të rinj, kanalizime të reja, biznese të reja, ofrojmë tërheqje të bizneseve të huaja, ofrojmë hidrocentrale të reja të ndërtuara në të katër anët e vendit, zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë, ofrojmë shumëfishim të turizmit. Këto do të jenë ofertat tona për katër vitet që vijnë, sepse këto janë edhe nevojat më të ngutshme, më të ndjeshme të qytetarëve shqiptarë.
Zotërinjve që qarkullojnë nga një tribunë në një tjetër me fjalën rilindje, dua t’u them se rilindja e tyre është rilindja e bllokut dhe blloku nuk do të mund të rilindë më kurrë. T’u paraqesësh shqiptarëve taksën progresive si taksë të rilindjes, nuk bën gjë tjetër veçse vendos para të gjitha zyrave tatimore të Shqipërisë, bustin e Spiro Kolekës, dajës tënd, zoti Rama. Të kalosh nga një dyqan në tjetrin, duke u betuar se do t’u heqësh taksat, ndërkohë që je njeriu, i cili, kur ishe kryetar i Bashkisë së Tiranës, i rrite ato nga 67 mijë lekë që i gjete, në 147 mijë lekë, nuk bën gjë tjetër veçse u paraqet qytetarëve hijen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sepse Rama i vërtetë është Rama i rritjes së taksave. Hijeve askush nuk u beson. Me këtë rilindje që ka nisur, zoti Rama do të ecë drejt të shkuarës me shpejtësi të madhe.
Në këtë hark kohor, ne kemi shënuar ndryshimet më të mëdha në historinë e këtij vendi. E vërteta është se ne jemi ndryshimi. Cilido që sheh këto vite, ka vetëm një përgjigje: ai është ndryshimi, është anëtar i këtij procesi të madh të ndryshimit, mbështetësi i këtyre reformave, që bënë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, një nga ndryshimet më të mëdha në historinë tonë kombëtare, është kontribuues i atyre ndryshimeve që bënë të mundur që ne të lëvizim sot, të lirë, pa viza në Europë, është kontribuues i atij ndryshimi që ne të rrisim me 120 deri në 150 përqind rrogat në këtë vend, të rrisim me mbi 100 pëqind pensionet e ulëta dhe në mënyrë shumë ndjeshme pensionet e tjera, që bënë të mundur të qëndrojmë pa rënë në krizë, në kohën e krizës më të egër që Europa ka njohur në historinë e saj, që bënë të mundur që, në një kohë të shkurtër, shqiptarët të kenë shtëpi për frymë më shumë se 5 kombe të tjera të vendeve të zhvilluara, që bënë të mundur që shqiptarët të mos kenë rritje papunësie, por rritje të punësimit, në një kohë kur në vende të tjera papunësia është dy e trefishuar. Ndaj edhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë këtë ndryshim, jemi të vendosur që në katër vitet që vijnë të finalizojmë projektin tonë: Shqipëria Europiane, Shqipëria e zhvilluar.
Zoti Rama, këto vite u faktove shqiptarëve dhe i bërë të kuptojnë të njohin se çdo të thotë bllokim. Këto vite u faktove shqiptarëve se filozofia dhe praktika jote e vetme është bllokimi i asaj që ti mund të bllokosh, është politika e bllokimit. Por politika e bllokimit, e cila mori ndëshkimin e vet në zgjedhjet e vitit 2011, sërish do të përballet në qershorin që vjen, me politikën e ndërtimit, me vizionin e ndryshimit. Jam i sigurt se qytetarët shqiptarë nuk do të të lejojnë të vendosësh edhe një herë, para zyrave të taksave të këtij vendi, bustin e dajës tënd të dashur Spiro Koleka. Ne do të vazhdojmë të ulim taksat, siç i kemi ulur. Ne do të vazhdojmë krijimin e vendeve të punës. Ne do të vazhdojmë dyfishimin e bizneseve,. siç i kemi dyfishuar. Vetëm në këtë qytet, ku ka pasur 8 mijë biznese, sot ka 16 mijë e 200 biznese. Këtu ka pasur 450 biznese turizmi, sot janë 1100 biznese të tilla. Në këtë rreth janë asfaltuar gjatë këtyre viteve, 540 kilometra rrugë, janë ndërtuar e rindërtuar 64 shkolla, janë ndërtuar 104 qendra shëndetësore. Në qoftë se do të kishte funksionuar bllokimi yt, qytetarët shqiptarë, sot nuk do të mund të numëronin e të gëzonin asnjë prej tyre. Ndaj, qershori po afron dhe jam i sigurt se qytetarët do të votojnë për Shqipërinë vend zhvilluar, do të votojnë për veten e tyre, qytetarë të një vendi të zhvilluar.
Duke e mbyllur këtë fjalë, ju uroj gëzuar 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Le të përulemi me nderimin më të madh, ndaj atyre burrave e grave të Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë, të cilët 100 vjet më parë, në kushtet më të jashtëzakonshme, mbështetën Ismail Qemalin dhe burrat e tjerë të shquar të kombit për të ngritur flamurin e pavarësisë në Vlorë, atyre që këto 100 vite u martirizuan për lirinë kombëtare në të katër anët e trojeve etnike shqiptare, atyre që u martirizuan për lirinë e të drejtat e njeriut, atyre që bënë të mundur që sot, ne të jemi qytetarë të lirë kudo që jemi, atyre që bënë të mundur që sot, shqiptarët të ndërtojnë të ardhmen e tyre, të jenë anëtarë të aleancës më të fuqishme të lirisë së kohërave, NATO-s, të jenë të lirë kudo e të ecin të sigurt drejt Europës. Gëzuar 100 vjetorin e pavarësisë!
08/11/2012