E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton vendim për fondin e ekselencës për mbështetje financiare të studentëve të shkëlqyer

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin “Për fondin e ekselencës për mbështetje financiare të studentëve e shkencëtarëve të rinj, të shkëlqyer”. Vendimi propozon që me fondin e ekselencës prej 150 milionë lekë në të mbështeten studentët që fitojnë të drejtën e studimit/master/doktoraturë në një nga universitetet më të mira të botës, sipas renditjes botërore të universiteteve të vitit të fundit. Vendimi parashikon zgjerimin e listës së universiteteve, sipas fushave të studimit në shkencat shoqërore apo shkencat natyrore, në bazë të renkimit të tyre botëror. 

Duke prezantuar këtë vendim, Kryeministri Berisha tha se qeveria do të mbështesë studentë nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët fitojnë të drejtën e studimit në një nga 10 universitetet më të mira të botës. “Kjo ofertë të jetë për të gjithë studentët shqiptarë. Nuk mund të bëjmë dallim. I takon Shqipërisë të krijojë mundësi më të gjera.”

Vendimi përcakton se studentët dhe doktorantët që do të formohen në universitetet më të mira të botës do të japin kontributin e tyre për 3 vjet në Shqipëri, në sektorin publik ose privat.

Kryeministri tha se Shqipëria ka personalitete të shquara, të cilët i bëjnë shumë nder jo vetëm kombit shqiptar, por edhe kombeve ku ata jetojnë e punojnë, ndërsa nënvizoi se duhet të bëhet gjithçka që lidhjet e tyre me Shqipërinë e shqiptarët të jenë lidhje sa më prezente.

Fjala e Kryeministrit Berisha lidhur me këtë vendim.

“Një vendim i rëndësishëm është ripërtëritja e një qëndrimi të shpallur në drejtim të ekselencave shqiptare. Trajtimi i ekselencave dhe Brain Gain duhet të ridimensionohet, të strukturoret e fuqizohet.

Sot, ne kemi personalitete ndër më të shquarat në fushat e tyre, të cilët i bëjnë shumë nder jo vetëm kombit shqiptar, por edhe kombeve ku ata jetojnë e punojnë. Duhet të bëjmë gjithçka që lidhjet e tyre me Shqipërinë e shqiptarët të jenë lidhje sa më prezente, të bëjmë gjithçka që ata, krahas kontributit të tyre në art, shkencë e muzikë në vendet ku jetojnë e në botë, të kenë mundësi ta ekspozojnë këtë gjerësisht, para shqiptarëve. Ata janë pjesë e krenarisë kombëtare. Gjithçka që ne bëmë për 100 vjetorin, më të madhen e bënë shqiptarët dhe artistët tanë me famë europiane e botërore, të cilët në skena të mbyllura apo në shesh paraqitën para shqiptarëve dhe Europës, koncertet më të bukura. Natyrisht, shqiptarët ishin të parët, pasi vërshuan nga të katër anët e trojeve shqiptare, për të festuar me dinjitetin më të madh 100 vjetorin e pavarësisë.

Në këtë proces, përqendrimi është sërish në 10 universitetet e para që ata fitojnë. Qeveria do të mbështesë studentë nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët fitojnë të drejtën e studimit në një nga 10 universitetet më të mira të botës. Zoti ministër i Arsimit, ky njoftim duhet të jetë në faqen zyrtare. Natyrisht, ky standard do të jetë pak i ndryshuar. Mund të jenë 10 universitetet më të mira për shkencat shoqërore, artin, sportin, ndërsa për shkencat natyrore, teknologjike, shkencat e edukimit, propozohet e do të diskutohet në qeveri që ky klasifikim të jetë pak më i gjerë. Kjo me qëllim që të inkurajojmë përgatitjen e kuadrit në këto fusha me përparësi jetike. Ne kemi shpallur si përparësi matematikën dhe i njëjti standard do të mbahet edhe për albanologjinë. Nuk mund të përcaktojmë si standard për albanologjinë, 10 universitetet e para të botës, sepse në asnjë prej tyre mund të mos ketë katedra albanologjie. Ndaj detyrohemi ta zgjerojmë listën e universiteteve. Albanologjia është një degë e një rëndësie jetike për kulturën, gjuhën dhe identitetin, ndaj ka e do të ketë një përparësi absolute.

Qeveria do t’u paguajë këtyre studentëve shpenzimet e studimit, të doktoratës, kundrejt kontratave rigoroze, sipas të cilave ata duhet të kthen të punojnë në Shqipëri, për një kohë të caktuar. Ne e kuptojmë që më i shquari ka shumë arsye të ndjehet qytetar i botës, por për një periudhë të caktuar t’i shërbejë Shqipërisë e shqiptarëve. I vetmi problem, zoti ministër, është që kjo ofertë të jetë për të gjithë studentët shqiptarë. Nuk mund të bëjmë dallim. I takon Shqipërisë të krijojë mundësi më të gjera.”


19/12/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›