E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e kryeministrit Berisha në seancën parlamentare

-          Kam një mirënjohje të thellë dhe të pakufishme ndaj të gjithë atyre qytetarëve shqiptarë që votuan për maxhorancën aktuale, votuan më shumë se kurrë që nga ‘92 e deri më sot, duke i dhënë asaj një mbështetje, që do ta konsideroja ndër  më të mëdhatë.

Në fjalën e mbajtur në seancën e parë parlamentare të zhvilluar pas zgjedhjeve vendore të 8 majit, Kryeministri Berisha përshëndeti qytetarët shqiptarë që me qëndrimin dhe dinjitetin e tyre e shndërruan 8 majin në ditën e ngadhënjimit të idealeve të tyre europiane, duke dëshmuar qëndrimin e qytetëruar ndaj votës, si liria themelore, demokratike  e njeriut.

Ne fjalen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: 

"Zonja kryetare,

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptarë,

Sot, është seanca e parë e parlamentit të vendit, pas 8 majit ndaj dhe unë dua të shfrytëzoj këtë seancë për të përshëndetur mbarë qytetarët shqiptarë, që me dinjitetin e tyre, me qëndrimin e tyre shndërruan 8 majin në një ditë të ngadhënjimit të idealeve të tyre evropiane, shndërruan 8 majin në një ditë të manifestimit të dinjitetit të qytetarëve të lirë, shndërruan 8 majin në një ditë vërtetë historike për demokracinë shqiptare, duke dëshmuar ndaj njëri- tjetrit dhe mbarë Evropës, votimin  e tyre, qëndrimin e tyre të qytetëruar ndaj votës, si liria themelore demokratike e njeriut.

Por, unë jam këtu për të shprehur një kënaqësi të madhe shpirtërore shumë të veçantë, se në këto zgjedhje votuan mbi 1,6 milion shqiptarë dhe kjo përbën një kënaqësi të madhe të jetës sime, përbën qetësim të një brenge 20 vjeçare, e cila buronte nga fakti se Shqipëria rridhte dhe rridhte njerëzit e saj.

Kjo pjesëmarrje dëshmon se Shqipëria nuk rrjedh më, se Shqipëria nuk po  braktiset, se Shqipëria po mbushet dhe se njerëzit në këtë vend kanë shpresë dhe besim, janë të vendosur të ndërtojnë këtu të ardhmen që meritojnë.

Natyrisht, unë kam një mirënjohje të thellë dhe të pakufishme ndaj të gjithë atyre qytetarëve shqiptarë që votuan për maxhorancën aktuale, votuan më shumë se kurrë që nga ‘92 e deri më sot, duke i dhënë asaj një mbështetje që do ta konsideroja ndër më të mëdhatë, duke vendosur  mbi të, në mënyrë të padiskutueshme, një barrë po kaq të madhe, po kaq të rëndë përgjegjësie para tyre, para të gjithë shqiptarëve, para dhe të gjithë atyre që votuan kundër saj.

Zonja dhe zotërinj,

të dashur qytetarë,

bashkëkombës të mi kudo që ndodheni,

Prej dy javësh, vendi i shëmbëllen një teatri absurd. Në qoftë se qytetarët shqiptarë votuan më 8 maj, në mënyrën më dinjitoze, më të civilizuar, më evropiane, pas kësaj dite ndodh rrethimi i KQZ, bllokim rrugësh dhe një varg i pafund ultimatumesh, kërcënimesh. Të gjitha këto me një arsye të vetme sepse dikush kërkon me çdo kusht të mos njohe dhe mos respektojë votën  e qytetarëve.

Zoti Rama ka qeverisur Tiranën për 11 vjet, por me 8 maj qytetarët e Tiranës i dhanë “Aleancës për qytetarin” një fitore të katërfishtë, dhe kjo fitore qëndron në radhë të parë në parlamentin e kryeqytetit, në parlamentet e minibashkive, në kryetarët e minibashkive dhe një fitore të qartë, të ngushtë në kryetarin e bashkisë.

Ne, megjithë këto rezultate të qarta në dritën e diellit jemi shprehur dhe shprehemi se  presim me besim dhe me durim verdiktin e institucioneve kushtetuese të vendit. Në këtë kontekst, çdo qëndrim tjetër do të përlyente qëndrimin fisnik të qytetarëve shqiptarë më datën 8 maj.

E kundërta ndodhi me zotin Rama. Në mënyrën më ultimative, sapo përfundoi numërimi i garës për kryetarin, pa u certifikuar asnjë rezultat, zoti Rama shpalli fitoren, duke harruar se Tirana ka një KZAZ, ka një komision zone, të cilin me kërkesën dhe insistimin  e tij, këtë detyrë ia ka ngarkuar KQZ-së.

Në ligjin shqiptar të miratuar bashkërisht me zotin Rama nuk është KQZ-ja ai që shpall fituesin. “Neni 33” i kodit elektoral, pika “g”, autorizon për të shpallur kandidatin fitues vetëm KZAZ, pra vetëm komisionin zonal dhe jo KQZ. Ligji i miratuar nga unë dhe zoti Rama, nga ju dhe socialistet , në zgjedhjet lokale ka autorizuar KQZ-në të shpallë vetëm këshillat dhe këshilltarët, pra parlamentet dhe jo kandidatët. Atëherë natyrshëm lind pyetja, si ka mundësi të shpallet një rezultat në kundërshtim me ligjin? Si ka mundësi ti kërkohet KQZ të shpallë rezultatin në një kohë kur ai nuk e ka këtë tagër? Shteti ligjor dhe ligjet  e vendit këtë tagër ia kanë caktuar komisionit zonal të Durrësit, të Kavajës, të Shkodrës, të Lezhës, të Tiranës e kështu me radhë.

Ky është një teatër absurd, kërkojnë që të shkruajnë rezultatin nga zyrat  e partive, por kjo nuk mund të ndodhë në asnjë mënyrë. Ultimatumi është i tillë “ose karrigen  e kryetarit, ose përmbysjen si maxhorancë” dhe këtë ultimatum ia bën një maxhorance, e cila vetëm dy javë më parë mori një mbështetje 17 % më shumë se koalicioni që ai udhëhoqi dhe që mbetet e hapur për bashkëpunim, për mirëkuptim, por që kurrë nuk mund të bëjë një pazar të tillë,sepse kjo do të ishte goditja më palcore që mund ti jepej sistemit demokratik shqiptar.

Njeriu që për dy vite me radhë kërkoi me te gjitha mjetet , me zjarr dhe me çdo mënyrë hapjen  e kutive për rinumërimin e votave , pasi gjykata e apelit, kolegji kishte vendosur mos rinumërimin e votave për shkaqe të thella ligjore të diktuara në ligj. Njeriu që qarkoi Evropën me kërkesën për rinumërim sepse votat ishin vjedhur, tani kërkoi me çdo kusht mos rinumërimin e votave të qytetarëve të tyre vetëm  e vetëm se ai nuk mund të njohë votë tjetër përveç votës në favor të tij, duke iu kujtuar shqiptarëve kohën kur vota kundër pushkatohej, kur vota kundër ekzekutohej. Deklaron se nuk do të njohë as rezultatin , as vendimin e gjykatave, institucioneve. Pra, “gjithçka për karrigen time dhe çdo gjë për mua”. Kjo moto nuk funksionon dhe nuk mund  të funksionojë sepse vota është e drejta më themelore, demokratike  e qytetarëve, sepse për votën , njeriu dhe qytetërimi perëndimor, për votën  e lirë kanë bërë sakrificat më të mëdha , kanë derdhur lumenj sakrificash, vuajtjesh për ta fituar atë dhe ironia e fatit tonë është se, ndonëse njëri prej kombeve më të vjetra në Evropë ishim të fundit që kënduam këngën e votës ë lirë. Në një udhëtim të zgjatur mijëravjeçar ne nuk  e kishim votën  e lirë. Tani që e fituam, kërkohet të na mohohet, kërkohet të na shkelmohet, kërkohet të përçmohet, kërkohet të burgoset. Kjo nuk mund të ndodhë.

Dua ti rikujtoj zotit Rama këtu dhe mbarë shqiptarëve se më datën 9 korrik 2010, gjykatësi Mac R. Fisher, në vendin e madh të demokracisë amerikane do t’i deklaronte kandidatit që humbi garën, i cili u paraqit në gjykatë për të paditur numërimin e votave që ishin hedhur në kuti të gabuar, në korrik të 2010, rreth dhjetë muaj më parë, se vota është një e drejtë, për të cilën njerëzit kanë sakrifikuar edhe jetën e tyre për ta mbrojtur atë dhe ajo nuk mund të përjashtohet. Ftoj zotin Rama të përdorë fabrikën e tij të mendimit që e mban mbrapa, të klikojë në google www. misplaced ballots dhe do të gjejë me qindra e qindra raste, kur ato kanë ndryshuar rezultatin, kur ato janë numëruar dhe më shumë se kudo të tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se aty vota ka peshën më të madhem, se aty liria është e garantuar. Por kjo ka ndodhur prore edhe në Britaninë e Madhe. Kjo ndodhi aty edhe para dy vitesh, në zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe zgjedhjet për qeverinë vendore, kur qindra vota ishin keqvendosur dhe pa asnjë lloj zhurme, ato i kaluan kandidatëve të caktuar. Kjo ndodh kudo, në Itali, në Austri.

Zotërinj deputetë, në botën e qytetëruar, ka një kriter për qëndrimin ndaj votës dhe ky kriter thotë se vlefshmëria e votës përcaktohet nga shprehja e qartë e qëllimit të zgjedhësit. Aty, ku zgjedhësi ka shprehur qartë preferencën e tij, askush nuk mund të vërë në diskutim vlefshmërinë e saj. Ky është një parim themelor i standardit të Këshillit të Europës dhe OSBE-së. Standard, i cili kërkon që vlefshmëria e votës të përcaktohet nga shprehja  e qartë  e mendimit, qëllimit dhe vullnetit të votuesit, për kandidatin apo forcën politike. Ky qëndrim shprehet qartë në Kodin e Etikës, të praktikave të mira për zgjedhjet të Komisionit të Venecias, i cili thotë se autoritetet zgjedhore duhet të bëjnë maksimumin e përpjekjeve, për të mbledhur numrin më të madh të mundshëm të votave të vlefshme. Ky qëndrim është i shprehur në mënyrë të kristaltë në Kodin e IFES-it, institucionit më prestigjoz të zgjedhjeve në botë. Një Kod që përdoret në të gjitha vendet jashtë zonës së OSBE-së. Ky Kod thotë se në qoftë se gjatë procesit të numërimit, një votë e një gare është gjetur e hedhur aksidentalisht në kutinë e garës tjetër, kryetari i qendrës së numërimit e merr atë dhe ia dorëzon ekipit që ka bërë numërimin për garën tjetër, duke e firmosur së paku me dy firma. Ky është Kodi që IFES, institicioni që ka dhënë një kontribut të madh në konsolidimin e strukturës zgjedhore në Shqipëri, ka të përcaktuar mbi votën dhe ky është Kod i vitit 2007. Pra,  nuk është Kod i vjetër, por është i ri. Errare humanum est (të gabosh, njerëzore është).

Dua t’i bëj një pyetje, zotit Rama. Çfarë do të thonin këtë qytetarë, të cilët pritën me kënaqësi 8 majin dhe si qytetarë të përgjegjshëm të kësaj republike shkuan aty për të shprehur bindjet e tyre politike dhe për të parë bindjet e tyre politike të vlerësuar në votë, në qoftë se ne do t’ua hidhnim në kosh këtë vota. Këta qytetarë ishin burra e gra të bindjeve, moshave, profesioneve e rangjeve të ndryshme. Ndodhi që Presidenti i Republikës votoi në një kuti të gabuar, por çfarë do të thonin qytetarët shqiptarë, në qoftë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të hapte kutinë për të numëruar votën e tij. Ata do të thonin se, kur këta nuk çajnë kokën për votën e Presidentit, çfarë na mbetet neve. Çfarë do të thoshte bota,  kur do të shihte se këtu nuk numërohet vota e Presidentit? Këta janë bizarë, do të thoshte. A nuk do të krijohej një Dushk i dytë, për të cilën u bëmë të famshëm në të gjithë Europën? A nuk do të bëheshim të famshëm edhe për atë që quhet disenfranchise të votave të hedhura? Pra, ky është një proces. Cili mund të jetë qëndrimi tjetër, përveçse qëndrimi mbrapa çdo vote.

Zotërinj deputetë, ne e kemi bërë sëbashku Kodin Zgjedhor dhe kemi përcaktuar në këtë parlament tetë kushtet, në të cilat vota është e pavlefshme, por nuk kemi përfshirë kushtin e kutisë së gabuar. Cili ka të drejtë të shtojë një kusht të nëntë, për të dënuar votën e qytetarëve shqiptarë? Askush. Asnjë autoritet. Kushtetuta e vendit shpall vota është e barabartë. Për çfarë barazie bëhet fjalë, kur unë e ti kemi shprehur intensionin për kandidatin që duam, por vota ime numërohet, e jotja jo. A janë këto vota klandestinësh? Jo. Këto janë vota qytetarësh me karta identiteti, me gjurmë gishtash, më të sigurtat në Europë, janë vota qytetarësh me lista elektronike. Pra, nuk janë klandestine. A janë këto vota alienësh, vota të askujt? Jo. Këto janë vota burra e grash, të cilët për një arsye ose një tjetër ngatërruan kutinë e votimit, por votën e tyre nuk e hodhën në korridor, në rrugë a dysheme, apo ta linin në dhomën e fshehtë, por e hodhën në kutinë e një gare tjetër dhe ka një rregull botëror se çbëhet me të. Por, kur na intereson duhet të rinumërojmë çdo votë të numëruar, sepse komisionerët e mi mi ka blerë Berisha dhe kur nuk na intereson dhe kur e konsiderojmë votën plumb për armikun, atëherë lërë aty, e mallkuar qoftë, është votë e askujt, pavarësisht se është votë që ka dy vula, dy firma, ndodhet në kuti, ka karakteristikat zyrtare të një vote.

Unë do ta mbyll fjalën time, duke garantuar shqiptarët se në mënyrën më absolute nuk ka në këtë çështje përveçse një qëllimi të vetëm, çdo votë të numërohet. Nuk mund të pranoj t’i klasifikoj qytetarët e këtij vendi në të parë e të dytë, nuk mund të pranoj ata që ofrojnë zgjidhje të tjera, përveçse asaj që buron nga shteti ligjor. Atyre, të cilët mendojnë se shqiptarët duhet ta zgjidhin politikisht dhe e e zëmë se e kanë me qëllime të mira, u them se jeni shumë jashtë realiteteve. Shqiptarët votuan si qytetarë europianë dhe politika më e shkëlqyer që mund të bëjnë ata është të respektojnë vullnetin e qytetarëve të tyre, të respektojnë ligjet, shtetin ligjor, institucionet. Ndërsa të tjerëve që e kanë për racizmat shpirtërore ndaj shqiptarë, u them se ju jeni e shkuara. Shqiptarët vërtetë kanë vuajtur më shumë se çdo komb tjetër nga racizmat e përçmimet, por ka kaluar ajo kohë, kur ata mund të pengohen prej tyre. Ata janë të vendosur të ndërtojnë demokracinë dhe të konsolidojnë vlerat e saj. E garantoj zotin Rama se, të përgatitur për të njohur çdo verdikt me asnjë kërcënim, me asnjë shantazh, me asnjë skenar, nuk do mund të shkelmojnë mbi votën e qytetarëve shqiptarë. Ne jemi të vendosur të qëndrojmë me të gjithë forcën e ligjit. I garantoj qytetarët shqiptarë se ky është interesi jetik i tyre dhe më jetik se çdo gjë tjetër, sepse, në qoftë se në këtë vend pushtetet jepen në tavolinë, ky vend nuk do të ketë të ardhme, në qopftë se në këtë vend pazaret bëhen jashtë vullnetit të tyre, ky vend nuk do bëhet ndonjëherë, nuk do të të jetë ndonjëherë në lartësinë e idealeve të qytetarëve të vet. Ndaj unë e ftoj zotin Rama të deklarojë se pret me durim verdiktin, të shfrytëzojë të gjitha potencialet e sistemit që kemi ndërtuar sëbashku, për të paraqitur të gjitha ankesat, t’u faktojë shqiptarëve se ku po i bëhet padrejtësia, por jo të përpiqet të nxijë në mënyrë të paskupullt çdo gjë. Shqiptarët panë përfaqësuesit e tij të deklaronin para kamerave e para kutisë së votimit, ende pa u hapur, kur lexohej procesverbali se në këtë kuti janë katër vota, se janë vota të futura nga jashtë dhe kur u hap kutia, doli se tre vota ishin për zotin Rama. Nuk mbahen qëndrime të tilla primitive, nuk angazhohen njerëzit në shpifje dhe trillime për të nxirë një proces, i cili shpreh një qëndrim demokratik të mbarë shqiptarëve. Por përse nuk flet më zotëria për rinumërim? Atëherë e kishte diferencën 100 mijë vota dhe kërkonte rinumërim, tani diferenca është 81 vota, por a e keni dëgjuar të shqiptojë fjalën rinumrim. Kategorikisht jo, sepse i konceptoi votat në lule të ballit. Problemi është se kahja nuk i eci.”


26/05/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›