Kryeministri Berisha pret Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës Sllobodan Petrovic

Kryeministri Berisha priti sot në takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, zotin Sllobodan Petrovic.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen ministrit Petrovic dhe delegacionit që e shoqëronte, Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e kësaj vizite si një kontribut në marrëdhëniet midis dy vendeve, por edhe për shkëmbimin e përvojave përsa i përket qeverisjes vendore, e cila është qeverisja e drejtpërdrejtë për qytetarin.
Ministri Petrovic e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin për pritjen dhe i përcolli atij urimet më të përzemërta të Kryeministrit Thaçi dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Gjithashtu, ministri Petrovic e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e vazhdueshme që ai dhe qeveria shqiptare i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës. Një falënderim të veçantë ministri Petrovic shprehu për kontributin që qeveria shqiptare ka dhënë për komunën e Graçanicës, duke theksuar se qytetarët e Gracanicës presin me kënaqësi të veçantë një vizitë të Kryeministrit në komunën e tyre.
Në takim u diskutua vullneti i palëkundur i të dy qeverive dhe vendeve për të ndërtuar bashkëpunimin më të ngushtë në të gjitha fushat dhe për të krijuar lehtësirat më të mëdha për qytetarët e të dy vendeve, për shkëmbimet e tyre ekonomike, turistike, duke hequr të gjitha pengesat për lëvizjen e lirë të qytetarëve, mallrave etj., për të arritur të njëjtat standarde si dhe ato që ekzistojnë në BE dhe duke e kthyer bashkëpunimin midis dy vendeve në shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit e miqësisë në rajon.
Në takim u ritheksua se Bashkimi Europian është e ardhmja më e mirë e të dy vendeve, por dhe e mbarë rajonit. Në këtë kontekst, u ritheksua mbështetja e plotë për dialogun Prishtinë- Beograd, për të gjitha çështjet teknike që kanë të bëjnë me çështje që prekin aspekte të jetës së përditshme të qytetarëve të dy vendeve dhe se fillimi i një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis tyre është interesi më i mirë për serbët dhe shqiptarët në Ballkan. Sikundër u theksua se pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial është dhe mbetet interesi më i mirë jo vetëm i Kosovës, por dhe i paqes, sigurisë dhe stabilitetit të qëndrueshëm të mbarë rajonit.
Në takim u theksua gjithashtu rëndësia e procesit të decentralizimit, si shumë i rëndësishëm për konsolidimin e demokracisë dhe qeverisjen e mirë në shërbim të qytetarëve. Po ashtu u vlerësua rruga e kombit, që përfshin rrugën Durrës-Kukës dhe atë që kalon në Kosovë, Vërnicë-Merdarë në punim e sipër dhe që do të shndërrohet në një nga korridoret më të rëndësishme për Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, rajonin e më gjerë. Gjithashtu u vlerësua edhe ngritja e linjës së re të interkonjeksionit 400 kv Tiranë-Prishtinë, që pritet të fuqizojë sistemet energjetike të të dy vendeve.
26/05/2011