Fjala e plotë e Edi Ramës: Faleminderit Friedrih Ebert!
I dashur ministri dhe miku i veçantë i kësaj mbrëmjeje Gernot Erler e ju miq të ardhur enkas nga Gjermania,E nderuara zonja ambasadore e Gjermanisë,
I dashur Mikael, miku ynë i shtrenjtë dhe drejtor i Fondacionit Friedrih Ebert për Shqipërinë,
Të nderuar miq dhe ju të tjerë të ftuar këtu nga Fondacioni Fridrih Ebert,
Eshtë privilegj për mua që, në njëzetvjetorin e pranisë në Shqipëri të këtij fondacioni, të kem mundësinë e shprehjes së mirënjohjes më të thellë për ndihmën e pakursyer që Partia Socialiste ka marrë prej Fondacionit Friedrih Ebert në gjithë këto vite. Ka qenë një ndihmë e vijueshme e cila, sidomos vitet e fundit, ka ardhur duke u rritur e duke ndikuar ndjeshëm në rritjen cilësore të burimeve tona njerëzore, në plazmimin e programit tonë politik e qeverisës si një alternativë europiane për Shqipërinë, në mbështetjen ndaj të rinjve të angazhuar në partinë tonë si edhe në tërësi për zgjerimin e eksperiencës dhe fuqizimin e ekpertizës sonë me eksperiencën e me ekspertizën e partisë së madhe europiane të socialdemokratëve gjermanë.Vizitat studimore që Fondacioni Friedrih Ebert ka mundësuar për grupe deputetësh të rinj të Partisë Socialiste në Bundestagun Gjerman e në gjirin e grupit parlamentar socialdemokrat të vendit mik, si edhe asistenca teknike e miqve gjermanë në selinë rozë, ku do doja të përmendja sot veçanërisht kontributin e vyer e të pandërprerë të mikut tonë të shtrenjtë Kristof Zoepel, ekonomist me përvojë të madhe dhe ministër i kabinetit të kancelarit Shrëder, kanë qenë një vlerë e shtuar në jetën e partisë që kam nderin të udhëheq.Ky njëzetëvjetor përkon me një kohë të vështirë për Shqipërinë. Vendi ynë përballet me rrezikun e dështimit të përsëritur në aplikimin për statusin e kandidatit për Bashkimin Europian. Dhe dita e sotme ishte një rast i veçantë për të diskutuar me miqtë e ardhur nga Berlini mbi domosdoshmërinë e daljes nga rrethi vicioz i dështimit, ku Shqipëria rrezikon seriozisht të futet në këtë vjeshtë me një refuzim të ri të Komisionit Europian.Socialistët shqiptarë kanë qenë e do ti mbeten mirënjohës Gjermanisë për gjithshka ka bërë për Shqipërinë në këta njëzet vjet. Gjermania renditet tradicionalisht tashmë ndër më të parët në ndihmën financiare e teknike për vendin tonë dhe asnjëherë ska ngurruar ta mbështesë pa rezerva proçesin e integrimit të Shqipërisë në NATO e në Bashkimin Europian. Ka qenë një mbështetje e pakushtëzuar nga ngjyrat e qeverive në Shqipëri dhe as e lëkundur ndonjëherë nga ngjyrat e qeverive gjermane të këtyre njëzet vjetëve. Ky fakt kuptimplotë shpreh më së miri ndjenjat shumë miqësore të Gjermanisë ndaj nesh, ashtu siç na detyron ne, të gjithëve, që të dëgjojmë me vëmendje dhe të përmbushim me përkushtim ekzigjencat e përfaqësuesve e zëdhënësve të popullit mik gjerman ndaj politikës shqiptare si një e tërë – ku secili ka padyshim pjesën e vet dhe luan rolin e tij dhe skemi të gjithë njësoj të njëjtat detyra e përgjegjësi.
Me këtë rast i njohëm miqtë e ardhur sot në Tiranë me përmbajtjen e kursit tonë të ri politik; me qëndrimin tonë pa asnjë ekuivok si alternativë e re për Shqipërinë Europiane; me nismat tona të reja parlamentare për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe ndryshimet e domosdoshme të rregullave të proçedurës parlamentare, në funksion të rivendosjes së normalitetit në Kuvendin e Shqipërisë edhe në dritën e Raportit të Progresit e të deklaratës kuptimplotë të baroneshës Ashton e të Komisionerit Fule; si edhe me gatishmërinë që të bëhemi pjesë e një proçesi demokratik e transparent parlamentar, që ti kthejë votimet me 3/5-tat nga arrnime kodesh e ligjesh për të bërë shkeleshko detyrat e shtëpisë, në jetësim të një vizioni kombëtar e europian për shtetin shqiptar.
Folëm sigurisht edhe për humbjen e madhe dhe të përsëritur të shansit që Shqipëria pati në 8 maj për të zhvilluar zgjedhje të standartave të Bashkimit Europian, prej ku, siç e tha me një alegori elegante zonja ambasadore pak kohë më parë, doli një raport ndërkombëtar vëzhgimi që ngjan me Guernikën e Pikasos – kryevepra pa ngjyra e artit botëror që ishte flamuri i revoltës së gjeniut spanjoll ndaj shkatërrimit të një pushtimi.
Megjithatë, që pamja dhe përmbajtja e zgjedhjeve të ardhshme të mos ngjajë me Guernikën e zymtë po me ngjyrat e ndritshme të flamujve të Europës së Bashkuar, ne jemi të angazhuar të bëjmë çdo gjë na takon për të reformuar ligjin dhe administratën zgjedhore në Shqipëri, sigurisht edhe me ndihmën e domosdoshme të miqve e të partnerëve plotësisht të ndërgjegjësuar ndërkombëtarë lidhur me cenet e rënda të proçeseve elektorale në këtë vend.
Jam i bindur se në gjithshka thashë, Fondacioni Fridrih Ebert sdo të mungojë në asnjë rast të japë ndihmesën e vet, me modestinë intelektuale që karakterizon të gjithë qasjen e tij ndaj problemeve të ngatërruara të Shqipërisë, dhe me atë sens të prekshëm përkushtimi e dashurie për këtë vend që karakterizon drejtorin e fondacionit në Shqipëri Mikael Vaishert.
Ne kemi një shprehje, Dielli duket që në mëngjez, e cila pas njëzet vjetësh pranie të Fondacionit Fridrih Ebert në Shqipëri, na mjafton për të mos ngurruar ta falenderojmë qysh sot me mirënjohje fondacionin për ndihmën që do të na japë edhe për shumë vitet që vijnë.
Le të shpresojmë që kriza ekonomike të mos ndikojë në financimin që shteti gjerman i bën këtij fondacioni, se as nuk bëjmë dot gjë për ta ndihmuar në rast shkurtimi të fondeve. E thashë këtë se kam edhe hall mos shkon deri në Berlin fjala e Saliut që thotë se Shqipëria është sot ekonomia e dytë më e fortë në Europë pas Gjermanisë! Do ishte vërtet punë dreqi.