E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike

Më lejoni të përshëndes fillimin e këtij sesioni të ri parlamentar, i cili do të jetë madhor për të gjitha reformat që do të vazhdojnë deri ditën e zgjedhjeve.
Dua të ftoj opozitën të bëhet pjesë e Komisionit të Verifikimit të Figurës së Zyrtarëve të Lartë në zbatim të ligjit të lustracionit.  
Unë i drejtoj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, një thirrje të hapur dhe të sinqertë, pavarësisht qëndrimeve që ka mbajtur. Përpara se të vendosë për qëndrimin kundër zbatimit të ligjit të lustracionit, e ftoj z. Rama të shtrojë para vetes në mënyrë qytetare vetëm dy pyetje. Pyetja e parë: A përbëjnë krimet e regjimit totalitar të Enver Hoxhës, krim kundër njerëzimit apo jo? Dhe së dyti: A duhen dënuar krimet kundër njerëzimit?


Në rast se çdo njeri do t`u referohet dokumenteve bazë që përcaktojnë se cilat janë krimet kundër njerëzimit, çfarë përbën krim kundër njerëzimit, në të gjitha statutet dhe eksperiencën botërore, në të gjitha përcaktimet krimet kundër kundër njerëzimit janë akte veçanërisht të ulëta që përbëjnë sulm ndaj dinjitetit njerëzor, poshtërime të rënda, tortura, degradim të qenieve njerëzore,  persekutime për qëllime politike fetare raciste e tj. Ato nuk grupohen dhe nuk cilësohen të tilla kur janë akte sporadike, por ato janë të tilla dhe vetëm të tilla kur  janë elementë të një politike të caktuar, kur janë të përhapura dhe të përsëritura.


Atëherë meqenëse gjatë gjithë këtyre muajve z. Rama ka adaptuar një qëndrim të papranueshëm në këtë drejtim, e ftoj edhe njëherë t`i shtrojë vetes pyetjen a janë krime kundër njerëzimit, mijëra e mijëra ekzekutime në emër të luftës së klasave, pra të një platforme politike të shpallur publikisht?  A janë krime kundër njerëzimit me dhjetra mijëra internime të bazuara në një platformë politike të luftës së klasës dhe armikut të klasës? A përbëjnë krime kundër njerëzimit shkatërrimi masiv i vlerave kulturore dhe fetare dhe imponimi i ateizmit, poshtërimi ndaj dinjitetit njerëzor të besimtarëve? A përbën krime kundër njerëzimit sistemi i tollonave që vendosi në Shqipëri regjimi? A përbëjnë krime kundër njerëzimit torturat dhe persekutimet masive? Të na thotë z. Rama, t`u thotë shqiptarëve çfarë i konsideron ai këto. Të dalë dhe të përgjigjet.


Nuk ka vend që të ketë përjetuar ato që përjetoi Shqipëria nga regjimi komunist. Këto krime ishin të lidhura me politika qeveritare dhe si të tilla konsiderohen nga konventat dhe ligjet ndërkombëtare si krime kundër njerëzimit. Konventat dhe ligjet ndërkombëtare për krimet kundër njerëzimit, doktrina mbi këto krime është e qartë si kristali. Përgjegjës për këtë janë jo vetëm hartuesit e platformave, por edhe ekzekutuesit e akteve qoftë edhe një apo dy akteve të vetme në kuadrin e një situate të krimeve kundër njerëzimit, pra të krimeve të përhapura.
Në të gjithë doktrinën e sotme mbi krimet kundër njerëzimit, të tilla konsiderohet çdo gjë mizore e  kryer në shkallë të gjerë. Ishin të kufizuara pushkatimet në Shqipëri? Janë më të shumta se në ish-vendet komuniste të marra së bashku përveç Bashkimit Sovjetik. Ishin të kufizuara internimet në Shqipëri? Ato ishin kolektive me gra dhe fëmijë më të shumta se në çdo vend tjetër. Ishin të kufizuara persekutimet politike apo fetare në Shqipëri? Në cilin vend të botës u arrestua kleri në tërësi dhe u ekzekutua?


Ndaj dhe i bëj thirrje zotit Rama sërish të ndalet mbi këtë moment. Ligji i lustracionit është absolutisht përgjigja, do të thosha më e butë, dhe përgjigja më e ndershme që ne kërkojmë t`i japim ndarjes nga ajo e shkuar. Absolutisht më e buta. Unë mendoj se kjo është një zgjidhje e drejtë. Natyrisht kjo përbën një çështje madhore politike, e një politike që kërkon të ndahet nga një e shkuar, të ndahet nga krimi monstruoz kundër njerëzimit. E gjitha kjo synon të mbyllë një kapitull që është ende i hapur, qartësisht i hapur. Uroj që këtë mesazh të mos e gjykojmë me verbëri politike, por me dokumentacione, me praktikat më të mira, më të qytetëruara.

Së dyti çështja më kryesore e kësaj periudhe dhe të gjithë këtyre muajve janë zgjedhjet. Ju bëj thirrje edhe ju të ulemi me opozitën për të ndërtuar një komision me kredibilitetin më të lartë, sikundër ftoj opozitën të ushtrojë të gjithë kontrollin që dëshiron mbi përgatitjet për procesin zgjedhor. Ne do ta konsideronim kontrollin e saj kontribut të madh. Nuk kemi asnjë qëllim, vetëm një proces dinjitoz zgjedhor. Duke ardhur këtu më informuan se kryetari i opozitës ka kërkuar vendim qeverie për pasaportat ekzistuese. Unë do të autorizoj Ministrinë e Brendshme që menjëherë të vendosë kontaktet me ta. Çdo lloj propozimi që opozita e gjykon dhe që i shërben transparencës dhe kompletimit më të mirë të procesit ne jemi të hapur. Ne duam që çdo forcë politike të gjejë veten e vet në këtë proces. Nuk kemi asgjë përjashtuese në këtë proces.         


19/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›