Kryeministri Berisha: Ftoj opozitën të ushtrojë gjithë kontrollin që dëshiron mbi përgatitjen e procesit zgjedhor
Kryeministri Berisha përshëndeti sot gjatë mbledhjes së Grupit parlamentar të Partisë Demokratike hapjen e sesionit të ri parlamentar duke e cilësuar atë si madhor për të gjitha reformat, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e zgjedhjeve.
Duke vlerësuar se çështja më kryesore e kësaj periudhe dhe të gjithë këtyre muajve janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, Kryeministri u kërkoi deputetëve të mazhorancës që të ulen me opozitën për ngritjen e një komisioni me kredibilitetin më të lartë.
Gjithashtu Kryeministri Berisha ftoi opozitën të ushtrojë të gjithë kontrollin që dëshiron mbi përgatitjen e procesit zgjedhor duke e konsideruar kontrollin e saj si kontribut të madh në këtë drejtim. “Qëllimi ynë është të zhvillojmë një proces zgjedhor dinjitoz”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Në këtë kontekst, Kryeministri tha se qeveria dhe mazhoranca janë të hapur ndaj çdo lloj propozimi që opozita gjykon dhe që i shërben transparencës dhe kompletimit më të mirë të procesit zgjedhor. “Ne duam që çdo forcë politike të gjejë veten e vet në këtë proces. Nuk kemi asgjë përjashtuese në këtë proces”, tha Kryeministri.
Lidhur me propozimin e opozitës për marrjen e një vendimi nga Këshilli i Ministrave për afatin e përdorimit të pasaportave ekzistuese, Kryeministri tha se do të autorizojë Ministrinë e Brendshme që të vendosë menjëherë konktaktet për diskutimin e këtij propozimi.
19/01/2009